Komisioni Europian në emër të Bashkimit Europian, i ka akorduar Shqipërisë ditën e sotme 90 milionë euro në kuadër të programit të ndihmës makro-financiare (MFA) lidhur me COVID-19.
Lajmi është bërë i ditur nga ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca.
Shqipëria bëhet kështu i teti vend që merr një disbursim nga paketa emergjente e Ndihmës Makro Financiare prej 3 miliardë eurosh për dhjetë vende partnere të zgjerimit dhe fqinjësisë, që synon t’i ndihmojë ato të kufizojnë pasojat ekonomike të pandemisë së koronavirusit.
Përmes kësaj ndihme, BE-ja shpreh solidaritetin e saj në krah të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj në këto kohë të vështira.
Ndërkohë që nëpërmjet postimit të tij në rrjetet sociale Soreca njofton që pritet dhe një tjetër ndihmë, prej 90 milionë eurosh por kjo nga gjysma e dytë e këtij viti, kur politika të përmbush kushtet.
“COVID19 nuk njeh kufij, Bashkimit Evropian qëndron në krah të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj në këto kohë të vështira. Disbursimi i parë prej 90 milion € do të kontribuojë në zbutjen e pasojave të rënda negative socio-ekonomike të pandemisë, duke mbështetur kategoritë e prekshme në Shqipëri.
Një disbursim i dytë prej 90 milion € do të pasojë më vonë këtë vit, me përmbushjen e kushteve të politikës. Ky program është një demonstrim tjetër i fortë dhe konkret i solidaritetit të Bashkimit Evropian me Shqipërinë në një kohë krize të paparë.”- shkruan Soreca.