Hyrje
Studimi i organizimit të vjetër shoqëror në kuadrin e hulumtimit të përgjithshëm të traditave historike të popullit shqiptar, ka tërhequr dhe vazhdon të tërheqë vëmendjen e studiuesve. Në këtë lëmë, një vend të veçantë zen bajraku. Për këtë institucion janë dhënë disa përcaktime:” Njësi territoriale administrative – ushtarake që u formuan në malësitë shqiptare të vetëqeverisura në kushtet e rrethimit feudal osman”; 2 Bajraku qe njësi administrative me funksione ushtarake e pleqnore (gjyqësore), në thelb të të cilit qëndronte organizimi i vjetër shoqëror”;3 “Bajraku ishte njësi ushtarake dokësore administrative e kanunore”.4
Mendimi i përgjithshëm i historiografisë shqiptare është se si njësi administative -territoriale bajraku është krijuar në fund të shek.XVII, 5 por janë shprehur edhe pikëpamje të ndryshme. Sipas P.Doçit “Njësia në të cilën në malësitë e veriut ushtrohej në masë të plotë pushteti ushtarak e gjyqësor i vetëqeverisjes sipas dokeve, pra njësi bazë etnologjike ishte mali”6. Ky, si term- po sipas këtij autori – në kuptimin e njësisë administrative, dokësore shqiptare u shpreh në terminologjinë zyrtare osmane me fjalën turke bajrak, kështu që hyri në qarkullim historik e letrar me këtë emër e që andej u përhap edhe në popull.7 Dhe ky proces, mendon P.Doçi, ka ndodhur nga gjysma e dytë e shek.XIX e jo më përpara.8
Dihet se në periudhën e parë të sundimit osman në Shqipëri, Porta e Lartë aplikoi sistemin e timarit. Por, pas disfatave që pësuan turqit sidomos gjatë shek.XVII në përpjekjet për të mposhtur qëndresën e malësorëve shqiptarë të Veriut, ata hoqën dorë gradualisht nga sistemi i timarit dhe synuan të shfrytëzonin organizimin e vjetër të malësive të lira për të mobilizuar forcën luftarake të tyre. Sepse në pjesën më të madhe të malësive të Veriut ruheshin të pashpërbëra njësitë e vetëqeverisjes, ku ushtrohej në masë të plotë ose pjesërisht të plotë pushteti ushtarak e gjyqësor sipas dokeve të vendit. Këto njësi emërtoheshin diku “mal” e diku “dhe”. Kështu p.sh., në nahijen e ashtuquajtur të Dibrës (midis përrenjëve të Bushtricës e Veleshicës), visi i Kalisit dhe i Vilës njihej “mal” ndërsa viset e Bushtricës, Çajës e Radomirës njiheshin “dhena”. Prej këndej, banorët e Kalisit e të Vilës mbaheshin “malësorë”, ndërsa ata të Bushtricës, Çajës e Radomirës – “dhetarë”.
Në dëfterët osmanë të regjistrimit të tokave e të popullsisë (fund i shek. XVI) jepen të dhëna për ekzistencën e disa njësive vetëqeverisëse sipas dokeve të tyre në sanxhakun e Dukagjinit, ku përfshihej edhe Luma. Njësi të tilla ishin edhe Bushtrica (me mahallat Gjonan, Priftan, Martan, Nikosan, Kuqkiq, Bardan, Drazh, Lijash, Shirgjan), Diragishta (me mahallat Bloshtan, Çeren, Radomir, Shin Andre, Shullan), Çajla (Çaja) /me mahallat Fshat, Buzëmadhe/, Shinmirija, Vad, Martan, Shkiza), Kalisi, Tejdrinia, (Ujmisht, Arën, Surroj, Mamzë, Kolsh) 9, Luma e Topojani.
Po në ata dëfterë (vitet 1571, 1591) viset që përbëjnë krahinën e sotme etnografike të Lumës, qenë ndarë administrativisht në katër nahije: nahija e Lumës, (Ujët e Poslishtit, v. -Qafa e Kolesjanit, j. – me 31 qendra të banuara,10 nahija e Dibrës (Qafa e Kolesjanit, v.- Ujët e Veleshicës, j) me 12 katunde, disa të ndarë në mahalla; 11,nahija e Gores (në l. të Gjalicës) 12 dhe ajo e Spasit (në të majtë të Drinit të Zi)13. Në këto nahije janë regjistruar feude të klasifikuar në timare, zeamete e hasse, mbi bazën e të cilëve vilej renta feudale në akçe. Megjithatë, pushteti osman që në vitet e para hasi në kundërshtimin e malësorëve të këtyre nahijeve, të cilët kundërshtonin detyrimet ekonomike si dhe mobilizimin në ushtri. Shprehje e kësaj qëndrese qenë kryengritjet e njëpasnjëshme të viseve malësore të sanxhakut të Dukagjinit e më gjerë në shek.XVI-XVII, të cilat rrezikuan pushtetin osman. Në krahinën e Lumës janë të njohura shumë kryengritje, sidomos ato të viseve të Arnit, Surrojt, Mamzit etj., të cilat penguan konsolidimin e pushtetit osman, vjeljen e taksave dhe mobilizimin e ushtarëve.
Sipas dokumentave të kohës, në shkurt 1565, kishin ngritur krye një pjesë e fshatrave të sanxhakut të Dukagjinit, midis tyre edhe Mamish (Mamëzi), Ulumisht (Ujmisht), Suroj, Kolsh. Kundër tyre dërgohen forca edhe nga sanxhakët e Shkodrës e të Ohrit, të cilat porositen që “në kohën e sulmit të kapin rob fëmijët dhe gratë e malësorëve”14.
Në shtator 1565, malësorët e Ulumishtit, të Surrojt e Kolshit kishin vrarë vojvodët e sanxhakbeut të Dukagjinit, prandaj ndaj tyre veprojnë edhe forca jeniçerësh të oborrit të Sulltanit.15
Kryengritja në sanxhakun e Dukagjinit vazhdoi edhe në vitet e mëvonshme. Në gusht 1568 sanxhakbeu i Ohrit urdhëroi të kapen krerët e fshatrave kryengritës Ushah e Reç të nahijes së Dibrës së Poshtme, të cilët -thuhet në një dokument osman- “janë në një mendje me qafirët e fshatit Surroj, që njihen si kryengritës në sanxhakun e Dukagjinit”16
Në nëntor të atij viti, kryengritësit e sanxhakut të Dukagjinit, po sidomos ata të fshatrave Surroj, Ulumisht, Enovez (Arën – Sh.H.) kanë shpaluar përsëri flamurin e kryengritjes dhe nuk pranojnë të paguajnë haraç, prandaj kundër tyre dërgohen forca edhe nga sanxhaku i Shkodrës dhe nga Kalaja e Durrësit, të cilat ishin porositur të ndëshkojnë “ata që marrin emra muslimanë për t’u shpëtuar taksave (haraçit) dhe të shpërngulin me forcë malësorët kryengritës e t’i vendosin nëpër fusha”.17
Lëvizjet e armatosura të malësorëve lumjanë kanë vazhduar edhe në shekujt e mëvonshëm. Në shkurt 1690, përsëri “fiset e Surrojt, Ulumishtit e Arzës” ishin bashkuar me austriakët që synonin të zbrisnin në Kosovë.18 Po kështu, në gusht 1713, banorët e fshatrave Pobreg (Përbreg), Dobrashin (Dobrosh), Arën, Kashtanija (Gështenjë) etj. kundërshtojnë pagimin e taksës së çiftit, duke pretenduar se s’janë “rajà defterlù”.19
Kryengritje të tilla qenë zhvilluar gjithandej në malësitë e Veriut, por këto u shtypën nga forcat osmane të pushtimit; njëherazi në këto kryengritje, popullsia e trevave malore pësoi dëme të mëdha njerëzore e materiale dhe kjo çoi në dobësimin e pushtetit osman, sepse atij nuk po i paguhej haraçi, i rrezikoheshin rrugët e komunikimit dhe të tregtisë, i cënohej autoriteti. Sistemi i timarit përditë e më shumë po shthurej, burimet ekonomike e njerëzore po zvogëloheshin, forca e perandorisë po binte. Në rrethana të tilla u gjet një rrugëdalje, mbështetja në bashkësitë fisnore ose fisnore-territoriale që gjallonin që herët në trevat malore. Këto bashkësi të njohura me emrin “mal” e “dhe” e që vetëqeveriseshin sipas normave të tyre dokësore, drejtoheshin nga krerët e tyre, të cilët gëzonin të drejtën e pushtetit administrativ, gjyqësor e ushtarak. Krahu ushtarak i këtyre bashkësive drejtohej nga njëri prej djemëve të kreut (zakonisht prej djalit të tretë), ose të shtëpisë a barkut të tij, gjithësesi prej atij më të zotit dhe më trimit. Megjithëse në shkrimet e botuara nuk është shpjeguar shkaku i kësaj përzgjedhjeje (pse djali i tretë caktohej në krye të krahut ushtarak), kjo bëhej, besoj, sepse djali i parë trashëgonte të jatin në funksionin e kreut, ndërsa i dyti në atë të pleqnarit.
Megjithëse deri tani nuk është shpaluar ndonjë akt zyrtar i Perandorisë Osmane që ligjëronte zëvendësimin e sistemit të timarit në malësi me atë të njësive vetëqeverisëse tradicionale dhe si njësi administrative-ushtarake osmane me emrin “bajrak”, ky proces mendohet të ketë nisur para shek.XVIII.20 Pra, nuk kemi të dhëna për vitin e emërtimit të bajrakëve, për ndryshimet që pësuan ata më vonë (deri në fillim të shek.XIX), për titullarët e parë etj. Qëllimi ishte shfrytëzimi i autoritetit të kuvendeve dhe krerëve të këtyre bashkësive për rekrutimin në shërbim të Perandorisë të forcës luftarake të malësorëve të lirë,21 sepse tani këta detyroheshin të paguanin për shtëpi vetëm një taksë e të shkonin në rast nevoje ushtarë me pagesë.22. Kështu, në një letër që mytesarrifi i Prizrenit, Mahmud pashë Rrotulla, u shkruante agallarëve të Bicajt e të fshatrave të tjerë të Lumës (1824-1825) thuhet:”Nga bajraku juaj do të nxirrni në dy shtëpi një ushtar, gjithësej 291 ushtarë, të cilët, siç është zakoni juaj, do të paguhen”23. Ky organizim i ri, në procesin e shthuarjes së sistemit të timarit, pat pasoja pozitive për një kohë për pushtetin osman, sepse i hapi rrugën mobilizimit të ushtarëve me pagesë, të cilët shkonin në luftë me dëshirë dhe tregonin akte guximi e trimërie; po ashtu, malësorët luftëtarë, të shtyrë nga mundësia për të siguruar disa mjete jetese, nëpërmjet pjesëmarrjes në luftë, po i shmangeshin prirjes për kryengritje kundër Perandorisë Osmane.
Po ndërkaq, malësorët nuk u penguan t’i rregullonin marrëdhëniet midis tyre sipas së drejtës kanunore tradicionale.24 Në një dokument osman që mban datën 22 dhilhixhe 239 (v.1823) e që bën fjalë për një marrëveshtje midis banorëve të Kolesjanit e Ujmishtit, në pikën 4 të saj thuhet:” Në livadhet e kositura të kolesjanasve do të kullosin gjënë e gjallë edhe ujmishtasit. Por, kur livadhet të jenë mbuluar përsëri nga bari, në qoftë se kafshët e ndonjerit cilido qoftë ky, hyjnë në livadhe e bëjnë dëm, i zoti i kafshëve do të pranojë të paguaj dëmin sipas kanunit”. Pra, edhe në marrëdhëniet civile e pronësore pushteti osman qe detyruar t’u referohej normave kanunore tradicionale.24/1
Në trevën e katër nahijeve (Lumë, Dibër, Gorë, Spas) ku përfshihej krahina etnografike e Lumës, u pikasën shtatë bashkësi fisnore a fisnore -territoriale, vetëqeverisëse të cilat u njohën si njësi administrative me funksione edhe ushtarake e pleqnore nga pushteti osman: Luma, Tejdrinia, Qafa, Kalisi, Radomira, Çaja e Topojani. Secilës prej këtyre iu dha një flamur (bajrak), prandaj edhe u emërtuan bajrakë. Ne, për fat të keq, nuk njohim të gjithë flamujt e bajrakëve të Lumës, por vetëm atë të Rrafshës. Në luftrat ku morën pjesë, njësitë luftarake të bajrakëve priheshin nga flamuri (bajraku) i tyre. “Kështu, që kur të ju vijë letra ime e dytë- u shkruante Mahmud pashë Rrotulla Bilal agë Bicanit e të gjithë agallarëve të Lumës (1824-1825) – të vini këtu ( në Prizren-Sh.H.) me ushtarët, duke pasur përpara bajrakun tuaj.”25
Eshtë shkruar se “në krye të çdo bajraku qeveria osmane emërtoi një barajktar (flamurtar). Ky do të përfaqësonte banorët e bajrakut pranë autoriteteve shtetërore”.26 Këtë pohim e gjykoj të pasaktë, sepse udhëheqja e bajrakut u përkiste krerëve të fisit a të bashkësisë territoriale dhe ishte e drejta e tyre, jo e organeve qeveritare, që të caktonin bajraktarin, i cili – siç thamë më lart – qe njëri ndër djemtë (zakonisht i treti) e kreut të fisit ose i bashkësisë territoriale.27
Siç do ta përmendim edhe më poshtë, në gjysmën e parë të shek.XIX, “fisi i Bilalëve” ia hoqi të drejtën e bajraktarit barkut të nuhiallarëve dhe ia kaloi një barku tjetër. Dhe këtë veprim Bilalët e bënë pa pyetur pushtetin osman, por vetëm me vullnetin e tyre dhe sipas normave tradicionale. Po, gjithashtu, nuk përputhet me të vërtetën as pohimi tjetër se “bajraktari përfaqësonte banorët e bajrakut pranë autoriteteve shtetërore”.28 Këtë detyrë e kryenin kreu ose krerët e bajrakut (paria) dhe bajraktari në Lumë, së pakut në periudhën e lulëzimit të këtij institucioni (gjysma e parë e shek.XVIII-shek.XIX) kryente gjithësesi vetëm detyrën e tij, atë të mbajtjes së flamurit në luftë. Vetëm kur bajraktari qe iingranuar edhe në detyra shtetërore ose bënte pjesë në krerë, përmendim rastin e Muharrem Bajraktarit (gjysma e parë e shek. XX) ai mund të shërbente edhe si ndërlidhës i bashkësisë së tij me organet qeveritare osmane. Pra, fuqizimi i pushtetit të bajraktarit, mund t’i përkasë periudhës së fundit, asaj të shthurjes së këtij institucioni, por jo periudhës së mëparshme.
Ne kemi në dorë një numër dokumentesh që i përkasin gjysmës së parë të shek.XIX dhe që kanë të bëjnë me marrëdhëniet midis mytesarrifit të Prizrenit e bajrakëve të Lumës. Dhe asnjëri prej tyre nuk dëshmon një komunikim drejtasi të mytesarrifit me bajraktarët e krahinës së Lumës, por me krerët e këtyre bajrakëve: Bilal agë Bicanin, Shaban agën, Hamza agën, Ahmet agën etj. Madje, më 1806, mytesarrifi i Prizrenit, Mehmet Seid, u dërgon një letër “krerëve të bajrakut të Kalisit” dhe jo bajraktarit. 29
Bajrakët e Lumës kanë pasur pikun e lulëzimit sidomos në shek.XIX, po edhe pak më parë, sidomos gjatë qeverisjes në sanxhakun e Prizrenit të familjes feudale Rrotulla (1750-1843), e cila ishte me origjinë lumjane. Për afër një shekull, përfaqësues të Rrotullajve, me tedel nga Ujmishti (Tejdrine)30, gjetën mbështetje në Lumë, por edhe ata i përkrahën lumjanët. Kur, më i shquari i Rrotullajve, Mahmud pasha, mytesarrif i Prizrenit (1808-1836) u konfliktua me Portën e Lartë, Luma e përkrahu dhe e strehoi.31
Më 1823 (27 shevval 239), Mahmud Pasha ftoi në Prizren Bilal agë Bicanin e krerët e tjerë të Lumës32 siç duket për të biseduar për konfliktin midis Kolesjanit e Ujmishtit.33 Gjatë vitit 1824-1825 Mahmut Pasha mobilizoi bajrakët e Lumës për t’i shkuar në ndihmë valiut të Bosnjes dhe atij të Nishit, Osman Pashës. Në letrën që u shkruan agallarëve të Bicajt, thuhet: “Me ferman perandorak jam ngarkuar të vete pranë Shkëlqesisë së tij, valiut të Bosnjes, duke pasur me vete 1500 ushtarë. Prandaj është e domosdoshme që të mblidhen e përgatiten ushtarët sa më parë. Eshtë e qartë se në bajrakun e Qafës dhe në bajraqet e tjera nuk ka ushtarë, prandaj në bajrakun tuaj të nxirren në dy shtëpi një ushtar, gjithësejt 291 ushtarë. Prandaj u shkrua kjo letër, e cila po ju dërgohet me Bilal agën dhe me njeriun tonë, Ahmet Qafën”.34
Në letrën tjetër porositet Bilal aga që të viheshin në gjendje gadishmërie ushtarët, të paguheshin ata dhe me urdhërin e dytë krerët e Lumës të niseshin me forcat, në krye të të cilave do të ishte bajraku.35
Më 1826/27, përsëri Mahmut pashë Rrotulla, njofton Bilal agë Bicanin dhe agallarët e krerët e tjerë të Lumës se “do të marrshonin kundër të pafeve grekë”, të inkuadruar në ushtrinë e valiut të Rumelisë 36. Edhe dy vjet më vonë (1829) agallarët e krerët e Lumës urdhërohen të përgatiten për marrshim 37. Për arsye se në fushatat e fundit Mahmut Pasha ish treguar i lëkundshëm duke u lidhur edhe me Bushatasit e Shkodrës, Porta e Lartë e kish dënuar atë. Por, në vitin 1830, mytesarrifi i Prizrenit dhe përkrahësit e tij falen38. Në një letër që Mahmud Pasha u shkruante Bilal agës, agallarëve e krerëve të Lumës, thohet: “Falë i qofshim zotit, në sajë të përpjekjeve të miqëve, faji që patëm bërë na u fal… T’ua njoftoni të gjithëve çështjen e faljes si dhe urdhërin e sadriazemit… të vini pranë nesh për të biseduar lidhur me zbatimin e iradesë perandorake…”39
Edhe pas shkarkimit të Mahmut Pashë Rrotullës dhe ekzekutimit të tij, në Bolla të Anadollit (1836), krerët e Lumës nuk i shkëpusin lidhjet me administratën e Prizrenit. Në vitin 1837 adjutanti i valiut të Prizrenit, Rafet, i shkruante Shaban agë Lumës që të shkonte bashkë me parinë në Prizren për t’u takuar me Hajredin Pashën e “për të biseduar për qeverisjen e fshatrave të Lumës”40.
Gjatë periudhës gati njëqindvjeçare të sundimit të familjes feudale të Rrotullajve në sanxhakun e Prizrenit (1750-1843), të Begollajve në Pejë, të Gjinollëve në Prishtinë e të Palloshëve në Tetovë, në Lumë u fuqizuan disa krerë të bajrakëve, ndër ta më të njohurit qenë Bilal agë Bicani e Halil agë Luma, shtëpitë e të cilëve u njohën si “dyer të mëdha” në bajrakun e Lumës e më gjerë dhe pinjoj të tyre u veshën me pushtet nga Porta e Lartë. Ndonjëra prej këtyre dyerve, si ajo e Halil agë Lumës, u përpoq, madje, të grumbullojë edhe prona tokësore. Këto shtëpi (dhe të tjera më të vogla se këto në Lumë) u bënë ndërmjetëse midis bajrakëve e pushtetit osman, por nuk mbërritën të zbejnë rolin e kuvendeve dhe të krerëve, që në Lumë quheshin “të parë” a “pari”.
Ndër ditët më të lavdishme, por edhe më tragjiket për bajrakët e Lumës kanë qënë ato të viteve 1876 – 1877, 1909, 1912. Më 30 qershor 1976 Serbia i shpalli luftë Perandorisë Osmane dhe më 2 korrik filluan operacionet luftarake. Përballë forcave serbe u vunë 153 batalione osmane me 192 topa (133 mijë ushtarë e 20 mijë “bashibozukë). Ndër forcat “bashibozuke” bënin pjesë edhe malësorët e Lumës të përfshirë në shtatë bajrakë. Në këto luftime ranë krerët Ejup Topojani e Sahit Gega (Topojan) dhe bajraktarët Avdi Tahiri (Topojan), Bet Gjini (Bushtricë), bajraktari i Çajës (Graci) metri vëllezër e dhjetëra e dhjetëra malësorë lumjanë. Kësaj beteje i është kënduar kjo këngë:
Prej Prokupes deri në Nish,
vijnë bajraqet me irish.
Kur po i binë llogorit t’parë,
me dushmanin ball’ për ballë.
Kur po i binë llogorit t’ditë,
me qafirin fit për fit.
Kur po i binë llogorit t’tretë,
me qafirin jan’ zatekë.
Kur vikati Jup Topojani
n’shtat’ llogore u dha zarmi.
Sahit Gega n’kalin gjok,
irish po ban drejt e n’top.
(Topojan )
Jo më pak tragjike për Lumën e bajrakët e saj ka qenë lufta e Plevnes (lufta ruso-turke 1877). Këtu – në bazë të dhënash gojore- kanë mbetur mbi 300 lumjanë, të cilët luftonin përkrah forcave të Osman pashës.
Ja kënga:
Osman Pasha del në kodër,
del në kodër, qet di topa,
qet Miskovi gjashtqin topa.
N’Plevne t’vogël na u dridh toka,
na u dridh toka n’istikam,
s’po m’di mbreti se ku jam.
Osman Pasha fol’ ni fjalë:
“Kam askerin krejt shiptarë”.
Çka me ba shiptari i shkretë,
nuk paç buk’ e s’paç fishekë,
s’ta lirojshem njer’ n’kjamet”.
Osman Pasha asht varrue,
m’jamurllëk e kan’ mulue,
hiç askerit s’i kan’ kallxue.
(Nangë)
Ndër betejat e njohura që kanë bërë bajrakët e Lumës është edhe ajo e 1909 në Qafë të Kalesjanit (kundër forcave të gjeneralit turk Xhavid Pasha). Tri vjet më vonë, lumjanët, të inkuadruar në bajrakët e tyre, luftuan përsëri kundër forcave serbe në Qafë të Duhlës e në Qafë të Kolesjanit. Në Qafë të Duhlës mbetën bajraktari i Kalisit (Idriz Bajraktari) dhe ai i Topojanit (Zaim Hamza), si dhe u plagos bajraktari i Rrafshës, Hamit Bajraktari.
Të dhëna për bajrakët
1. Emrat e bajrakëve
Emrat e bajrakëve të Lumës i kemi ndeshur për herë të parë në dokumente osmane të gjysmës së parë të shek.XIX: Luma, Drini ( edhe: Bregu i Drinit, Ana e Drinit), Qafa, Kalisi, Radomira, Çajla, Topojani.41 Studjuesi rus, Jastrebov, (gjysma e dytë e shek.XIX), ka shënuar për rrethin (okpyg) e Lumës shtatë bajrakë: Bicaj, Tejdrine, Bushtricë, Kalis, Radomirë, Çajla, Topojan.42 P.Bartli jep për kazanë e Lumës pesë bajrakë: Bicaj, Tejdrine, Qafë Kljesh (Kalis -Sh.H.) Topojan.43 Shtatë bajrakë ka dhënë për Lumën edhe K.Ulqini:43/1, Rrafshe, Tejdrine, Bushtricë, Kalis, Radomirë, Qaje, Dollovisht. Sipas tronditës popullore, Luma ka pasur këto bajrakë: Luma (a Rrafshja), Tejdrinia, Qafa (a Bushtrica), Kalisi, Radomira, Çaja e Topojani.
- Dhenat e bajrakëve (Territori)
Rrafshja: Uji i Poslishtit (v) – Uji i Lapave (j), Drini i Bardhë (vp), Drini i Zi (p), Koritnik – Gjalicë -Teje – Lera e Sorrave (l).
Tejdrinia: Deri në fundin e shek.XVI shtrihej në anën e majtë të Drinit të Zi, prej nga kishte marrë edhe emrin. Sipas S.Pulahës, Kalaja e Reskovës (e Domajt Sh.H), ka nisur të popullohej gjatë gjysmës së dytë të shek.XIX 44. Ky bajrak shtrihej nga lumi i Mallës (Zepë-Kom-Kumbull – Uji i Kalimashit (p) Drini i Bashkuar (v), Drini i Zi (më vonë: Qafa e Reskut -shpati perëndimor i Limthit) /l/.
Qafa: Uji i Lapave (v), Skavicë -Drajë -Drini i Zi (p), Kroj i Damallit -Suka e Kalisit -Voren-Pardhuke -Gjinetë (j), Kepi i Fshatit – Bakëll -Carrakol -Shpellat e Ploshtanit (l).
Kalisi: Ujët e Veleshicës (j), Drini i Zi (p), Përroi i Shullanit (l), Suka- Voreni -Pardhuke -Gjineta (v).
Radomira: Gryka ku del Ujët e Veleshicës nga Korabi.
Çaja: Lugina e përrenjve të Çajës dhe Kulotës si dhe bjeshkët përreth.
Topojani: Gjalica (p) – Koritnik (v) -Kallabak (l).
- Qendrat e banuara
Bajraku i Rrafshes: Lusën, Bicaj, (Canaj, Osmanaj, Mustafaj, Tërshenë, Gabricë, Bushat), Kolesjan, Nangë, Shtiqen, (Shtiqen, Muje, Kodër-Lumë), Gostil, Kukës, Përbreg, Gjegjën, Bardhoc, (Bardhoc, Shahe) Morin, Vërmicë, Shkozë, Dobrusht, Zhur. Në gjysmën e parë të shek.XIX mekëtë bajrak shkonin edhe fshatrat Billushë e Poslisht. Jastrebovi len jashtë këtij bajraku, veç këtyre dy fshatrave edhe Vërmicën, Shkozën, Dobrushtin e Zhurin.46
Bajraku i Tejdrinës: Arën (Arën, Arzë, Vërri, Barrë), Surroj (Qinamakë, Aliaj, Leshniqe), Mamzë (Mamzë, Myq), Kolsh, Ujmisht, (Tejdrine, Skavicë, Malqene, Resk, Domaj).
Bajraku i Qafës: Ceren, Ploshtan, Dode, Bithuq, Shullan, Bushtricë, Gjegje, Matranxh, Palush, Vasije, Vilë, Shpat, Barruq, Vilë). Jastrebovi ka përfshirë në këtë bajrak Qinamin, Palushin, Gjabrrin, Gjanet, Gjinin, Vasijen, Vilën e Misket47, pra, ka lënë jashtë: Cerenin,. Ploshtanin, Dodet, Bithuq e Shullan.
Bajraku i Kalisit: Kalis (Kalis, Gurrë, Prahlisht, Gështenjë, Zallë). Jasterbovi48 ka shënuar tri mahallet (fiset): Nikollet, Simet, Mahalla e Poshtër.
Bajraku i Çajës: Fshat, Buzëmadhe, Çaje, Shkinak.
Bajraku i Radomirës: Radomirë (Tejs, Dërbaç, Çernjevë. Rade, Stërdok). Sot Radomira është e ndarë në katër fshatra: Tejsi, Ujëmirë, Kullas,Radomirë.
Jastrebovi përfshin gabimisht në këtë bajrak edhe Cerenin, Ploshtanin, Shullanin, Bithuqin, Dodajt.49
Bajraku i Topojanit: Brekijë, Topojan, Xhaferaj, Turaj, Kollovoz, Shtreze, Novosej, Lojme, Nimçe, Bele, Orçikël.
- Madhësia e bajrakëve
Burimet dokumentare për madhësinë e bajrakëve të Lumës (numri i shtëpive, popullsia ) në periudha të ndryshme i kemi shumë të pakta. Në një dokument të gjysmës së parë të shek. XIX 50 jepet lista e fshatrave që përbënin bajrakun e Lumës (Rrafshes) me numrin e shtëpive: Billusha (39), Poslishti (11), Zhuri (79), Shkoza (7), Dobrushi (5), Vërmica (17), Bardhoci (15), Morini (16), lagja Shahe (12), Gjegjani (22), Përbregu (53), Gostili (24), Shtiqni (61), Nanga (47), Bicaj (44), Osmanaj (25), Mustafaj (39), Lusna (62), Kolesjani (21); gjithësej: 597 shtëpi.
Jastrebovi 51 jep këto të dhëna për bajrakët e Lumës (fund i shek.XIX): Bajraku i Rrafshës (800 shtëpi), bajraku i Tejdrines (460 shtëpi), bajraku i Qafës (280 shtëpi), bajraku i Kalisit (300 shtëpi), bajraku i Radomirës (530 shtëpi), bajraku i Çajës (130 shtëpi), bajraku i Topojanit (500 shtëpi).
Por, me që Jastrebovi i jep ndryshe dhenat e bajrakëve të Rrafshes, Qafës e Radomirës, në numrin e shtëpive të tyre mund të bëhen këto përmirësime:
Rrafshja: 800 shtëpi + 271 shtëpi (Vërmicë, Shkozë, Dobrusht, Zhur) = 1071 shtëpi. Radomira: 530 shtëpi – 260 shtëpi (Shullan, Bithuq, Dode, Ceren, Ploshtan) = 250 shtëpi. Qafa: 280 shtëpi + 260 shtëpi (Shullan, Bithuq, Dode, Ceren, Poshtan) = 540 shtëpi.
- Kryeqendrat e bajraqeve
Bajraku i Rrafshes (Bicaj); bajraku i Tejdrinës (Domaj e Soponikut; më parë: Kolsh, Skavicë); bajraku i Qafës (Bushtricë; më parë: Ceren, Ploshtan); bajraku i Kalisit (Mahalla e Poshtër);bajraku i Radomirës (Tejsi), bajraku i Çajës (Fshat); bajraku i Topojanit (Brekijë).
- Titullarët
Bajraku i Rrafshes (Bilalët); bajraku i Tejdrines (Domi; më parë: Ali pasha, pastaj Mema); bajraku i Qafës (Gjini; më parë: Kolgjini, Flisi); bajraku i Kalisit (Ymeraj); bajraku i Radomirës (Ahmataj), bajraku i Çajës (Graci); bajraku i Topojanit (Islamaj; më parë: Manaj).
7.Flamuri
Çdo bajrak ka pasur flamurin e vet, me të cilin printe bajraktari në luftë. “Kur të ju vijë letra tjetër – porosiste mytesarrifi i Prizrenit krerët e Lumës – të keni gati ushtarët dhe të niseni duke patur përpara flamurin tuaj”52 Flamuri shoqërohej nga “tri djem të shkathët e trima, të cilët, po të vritej bajraktari, nuk duhej ta linin të binte në tokë 53.
Prej flamujve të bajrakëve të Lumës ne njohim vetëm atë të Rrafshës, i cili ruhet ende në shtëpinë e bajraktarit, në Bicaj. Ky është një pece drejtkëndëshe me ngjyrë të kuqe, e rrethuar nga një shirit (kornizë) prej garzeje të hollë të gjelbërt, 12 cm e gjerë. Flamuri, së bashku me kornizën, ka sot përmasat 2m x 1.35 m (në anën gjatësore i është shkyer një pjesë). Me flamurin janë edhe dy tufa: një më e madhe, prej fijesh pambuku të bardha e të kuqe dhe, një më e vogël, mefije të mëndafshta ngjyrë ari. Tufat i vareshin shtizës së flamurit. Në sipërfaqen e peces së kuqe dallohen qartë shenjat e 9-10 pëllëmbëve të gjakosura. Sipas prof.M.Tirtes, i cili mbështetej në pohime të etnologut të njohur Rr. Zojzi, pëllëmbët e gjakosura mbi flamur janë dëshmi e betimit që kishin bërë krerët e bajrakut. Këta, pasi kishin lyer duart me gjak berri, ishin betuar mbi flamurin e njësisë (bashkësisë) së tyre për të luftuar deri në vdekje me hasmin.
Ndryshe, titullari i fundit i bajrakut të Rrafshës së Lumës, Ethem Bajraktari, më pat thënë se pëllëmbët e gjakosura mbi flamur i kishin vënë ata që ishin vrarë (plagosur) duke e mbrojtur atë (1965). Sipas disa të dhënash, deri vonë ruhej edhe flamuri i bajrakut të Topojanit, në shtëpinë e Behlul Baftjarit, e shoqja e të cilit, Raza, kish qenë e martuar më parë me bajraktarin Abdyl Myrta. Thonë se ruhet edhe bajraku i Qafës, në shtëpinë e Gjinit, por nuk e kemi pikasur ende.
Të dhëna për bajraktarët
1. Bajraku i Rrafshes
Bajraktari i parë që njohim me emër është Emrullah Bajraktari, i barkut të nuhiallarëve. Këtë e vrau në vitet 40 të shek.XIX çaushi Isuf Hysen Hana (Skavicë), që kryente detyrën e dervenagait në rrugën Prizren-Shkodër. Për Isufin, thonë se ishte zallm, e, kur qanin fëmijët, u bëzanin nënat:”Meni, se po vjen Isuf Hysen Hana!”.
Me që barku i Nuhiallarëve, pas vrasjes së bajraktarit, nuk dha kushtrimin për të ndjekur vrasësin, fisi i Bilalëve ia dha bajrakun një barku tjetër, atij që e mban ende sot.54
Në bazë të lisit gjenealogjik të Bilalëve (të Bicajt), Bilal aga kishte pasur edhe pesë vëllezër, Aliu, Mata, Nuhia, Muslia e Tarçuku. Prej barkut të Tarçukut rrjedh bajraktari i sotëm i Rrafshes (Lumës). Ja vijimësia e tij:
Tarçuku
Zeneli
Latifi
Hamiti Osmani Zeneli Tapiri
Siç duket, bajraktari i parë nga ky bark ka qenë Zeneli, pas tij Latifi. Biri i Latifit, Hamiti, u plagos si bajraktar më 1912(në Qafët të Duhlës) duke luftuar kundër serbëve.55
- Bajraku i Tejdrines
Më 12 shaban 70 (v.1853), çaushi Sulejman Domi ishkruan një letër falenderimi Islamit (Domi), bajraktar i Tejdrines56. Një vit më vonë, po ky, ushtar në Sevastopol,. meanë të një letre që i dërgon të atit, Veli Domi, në Ujmisht, falenderon përsëri Islam Bajraktarin dhe të vëllanë e tij, Limanin.57
Në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përmendet si bajraktar i Tejdrines Adem Domi58.
Në fillim të këtij shekulli, bajraktari i Tejdrines, Dervish Bajraktari, është ndërmjet tetëmbëdhjetë krerëve lumjanë që ndiqen nga Shemsi Pasha dhe disa prej tyre internohen në Turqi59. Pas vrasjes së tij më 1914, bajraktar është Neziri, dhe, më pas, i biri, Muharrem Bajraktari, që kreu edhe funksione të larta shtetërore.
- Bajraku i Qafës
Tregohet se bajraktarët e parë kanë qenë nga vëllezëritë Kolgjin (Ceren) e Flis (Ploshtan), por nuk dihen emrat e tyre60. Në luftimet e Nishit kundër forcave serbe (1878), bajraktar i Qafës ka qenë Bet Gjini, i cili u vra. Populli e ka kënduar në këngë:
-Kush ka hipë i pari n’llogor?
-Çaj Bet Gjini me bajrak n’dorë.
Kur ka hipë Bet Gjini n’lak,
e ka la bajrakin n’gjak.
Bajrak i Bet Gjinit:
lulja e dranafillit.
Bini, gjem, dushmanit
për hatër t’vatanit.
Amanet -thot’ Bet Gjini –
jataganin me bisht florini
merrnie e çonia ktij Veziri.
4.Bajraku i Kalisit
Në mesin e shek.XIX, bajraktar i Kalisit ka qenë Selë Bajraktari, i vëllazërisë Ymeraj (fis i Mahallës së Poshtër), më i madhi midis dy vëllezërve. Pas vdekjes së tij titullin e mori djali i dytë i vëllaut më të madh, i Rexhës (Rexha ishte bir i Selës). Ky bajraktar e pat emrin. Idriz Bajraktari u vra duke luftuar me serbët në Qafë të Duhles (vjeshtë 1912). Titullin e bajraktarit e trashëgoi Hasani, vëllau i madh i Idrizit.
- Bajraku i Radomirës
Titullin e bajraktarit e mbanin Ahmatët. Këta ndaheshin në dy barqe: Xhelilët që mbanin bajrakun e Mahmutët që ndanin esnafin (pleqëritë).
Bajraktar i fundit mbahet mend Isuf Ahmati, i cili mori pjesë në luftën e Kolesjanit (vjeshtë 1912). Ndër krerët e njohur, i veshur me funksione pushtetare në këtë bajrak, ka qenë Rroshi, larguar në Turqi më 1912.
- Bajraku i Çajës
Thohet se bajraktar i fundit ka qenë Baftjar Graci, i cili u vra së bashku me tri vëllezër në luftën e Nishit, duke luftuar kundër serbëve (1876).
Në luftën e Nishit morën pjesë gjashtëdhjetë luftëtarë nga ky bajrak, prej të cilëve dyzet mbetën të vrarë. Si mbaroi lufta, ata që shpëtuan u kthyen natën nëpër shtëpia, në shenjë zije për shokët e humbur. Të nesërmen, u shpallën njëherazi dyzet morta e ky vit mbahet mend si “viti i katërdhjetë mortave” 61.
- Bajraku i Topojanit
Bajraktari i parë që njihet me emër është Avdi Tahiri, i cili u vra duke luftuar kundër serbëve në Nish (verë 1876), së bashku me krerët Ejup Topojani e Sahit Gega. Pas tij, qe bajraktar Zaim Hamzi, që rroku bajrakun në luftën e Nishit. Por edhe ky u vra në luftë me serbët, në Qafë të Duhlës(vjeshtë 1912). Vendin e tij e zuri Abdyl Myrta. Për këtë tregojnë:”Në fundin e shek.XIX u mblodh në Krue të Bardhë kuvendi i shtatë bajrakëve të Lumës me vu kararet e dheut. Në kuvend u zunë mes vedi veqili i besës së bajrakut të Topojanit, Misin aga, me bajraktarin e Tejdrines për bjeshkën e Bërllogjit (në Kallabak). Kjo bjeshkë kishte qenë ma parë mera e Tejdrines dhe disa malësorë të këtij bajraku kishin vra tri topojanas, prandaj Bërllogji i kaloi për gjak Topojanit.
Në këtë kuvend, bajraktari i Tejdrines i kërkoi Topojanit t’i kthejë këtë bjeshkë, bile edhe barin e shumë viteve që ish kositë aty. Misin aga ra ngusht, pse s’diti t’u përgjigjej tejdrinasve dhe kështu po rrezikohej bjeshka. Në çast i afrohet Misin agës nji djalë i ri topojanas, hismeqar në Çajë, e i lypë leje me folë. Misin aga i dha leje me iu përgjegjë bajraktarit të Tejdrines. “Bajraktar – i tha djali- na jep tre copë katunde ( e kishte fjalën për pasardhësit e të vramëve, që do të lenin prej tyne) e na po ta japim Bërllogjin”.
Kësaj fjale të mençme s’i dha dum bajraktari i Tejdrines, prandaj bjeshka i mbet Topojanit.
-Për këtë që bane për bajrakun tonë (Topojanin) – i tha Misin aga djalit – kemi me të ba bajraktar. Dhe ai u ba. Ky ishte Abdyl Myrta, i cili u vra në luftë kundër serbëve në Koritnik (shtator 1919).
Organizimi i një bajraku (Kalisi)
(Funksioni qeverisës e pleqnues)
Kalisi ka tri “fise”: “fisi” i Mahallës së Poshtër (fis i parë), “fisi” Nikollëve (fis i dytë), “fisi” i Simeve (fis i tretë). Sipas kësaj radhe zinin vend burrat e Kalisit në odë, në sofër, në kuvend.
Secili “fis” i Kalisit ndahej në kabile (vëllazëri) dhe këto në barqe. Mahalla e Poshtër përbëhej nga 12 kabile, Nikollet nga 11 kabile, Simet nga 10 kabile. Në krye të katundit ishte “shtëpia e plakut”, nga kabilja Ymeraj e Mahallës së Poshtër. Edhe dy “fiset” e tjera, Nikollet e Simet, kanë pasur pleqtë e tyre. Plaku i Nikolleve ka qenë i Istrefaj, plaku i Simeve – i Cenaj. Por edhe çdo kabile ka pasur plakun e vet; pra Kalisi ka pasur 33 pleq kabilesh.
Kalisi ka pasur këto kabile:
I- Mahalla e Poshtër:Ymeret, Gjanet, Lezet, Nuzet, Koket, Muratet, Hasalamet, Matet, Drizet, Shahinet, Tutet, Micolet.
II- Nikollet: Istrefet, Market, Sulet, Prendet, Sufet, Ishet, Kotaret, Uket, Bodinet, Bajet, Noket.
III- Simet: Cenet, Lazet, Shiret, Feratet, Ramet, Terziet, Keqet, Litet, Lashet, Dacet.
a) Plaku i bajrakut ishte shtëpi e parë dhe kishte të drejtë të mblidhte kuvendin burrë për shtëpi, pleqësinë e “fiseve” ose të të gjithë kabileve (vëllazërive). Ky ishte kreu i veqilave të besës së dheut (kreu i pleqësisë së besës), pra “rez” (kryetar) i besës së dheut, si dhe plak i parë i kanunit.
Plaku i bajrakut, që në zenafillë, ka qenë”shtëpi plaku” dhe detyra e tij trashëgohej prej babës te djali më i madh. Po qe se ky nuk ishte për këtë detyrë, plak bëhej djali i dytë e kështu me radhë. Në qoftë se shtëpia e plakut nuk kishte burrë për t’i prijë bajrakut, mblidhej kabilja e Ymerajve dhe caktonte nga barku i të parit një plak tjetër të aftë për atë detyrë. Po qe se Ymerajt nuk kishin burrë për plak, ky caktohej nga një kabile tjetër e “fisit” dhe qëndronte në detyrë derisa nga “kabilja amë” (Ymeraj) dilte burri që duhej. Shtëpia e plakut në Kalis mbahej mbi të tjerat, sepse thohej: është soj; nuk ka prerë “kënd në besë, nuk ka lënë gjak pa marrë, nuk ka shti pushkë pa vend, ka pastruar të keqen që i ka mbirë për të mos i lënë nam të keq mbrapa kabiles.
Prej shtëpisë së plakut ose barkut të tij ishte edhe bajraktari.
b) Plaku i “fisit” ishte kreu i fisit të vet dhe kishte të drejtë të thërriste në kuvend burrë për shtëpi ose vetëm krerët e kabileve. Kuvendi i “fisit” shqyrtonte problemet që lindnin, grindjet e mbrendshme ose ato me “fiset” e tjera, si dhe zbatimin e karareve të besës së “dheut “dhe thyerjet e tyre.
Ky ishte edhe veqil i besës për “fisin” e tij në bajrak dhe për çdo gjë që ndodhte kishte të drejtë të thërriste kuvendin e pleqëve të kabileve.
Plaku i “fisit” ishte edhe “plak kanuni” për “fisin” e tij dhe çekiç i plakut të bajrakut. Kur ky nuk zgjidhte dot çështjet që lindnin në “fisin” e tij, këto i kalonin katundit.
- c) Plaku i kabiles (vëllazërisë) kryesonte kuvendin e pleqëve të barqeve të saj si dhe të burrave për shtëpi. Është veqil i kabiles. Ai ishte edhe plak kanuni për vëllazërinë e vet.
Në Kalis pranë tri pleqëve të katundit ishin edhe bajraktari e shehu (ky jashtë kanunit). Madje, shehu në odë, sofër e kuvend, vinte pas plakut, pastaj vinin dy pleqtë e “fiseve” (Nikolla, Sime), e në fund bajraktari.
Këta të pestët, kur e gjykonin të nevojshme, thërritnin në kuvend edhe 33 pleqtë e kabileve dhe, kështu, bëheshin 38 vetë. Këtë kuvend e kryesonte plaku i bajrakut.
Kuvendi i bajrakut përbëhej nga burrë për shtëpi. Ky mblidhej në vendin e quajtur “Livadhi i Teqes”. Burrat në kuvend renditeshin sipas “fiseve” (i pari, i dyti, i treti). Plaku i bajrakut hapte kuvendin, parashtronte çështjen që duhej biseduar dhe u kërkonte “fiseve” fjalën e tyre.
Këta pastaj tuboheshin veças (në vend qëndronte Mahalla e Poshtër), bisedonin për të gjetur përgjigjen dhe bashkoheshin përsëri.
Pleqësia e besës (ose veqilat e besës) përbëhej nga pleqtë e “fiseve” (i Mahallës së Poshtër, i Nikolleve, i Simeve) dhe të kabileve dhe kishte për detyrë të mbikqyrte zbatimin e besës së bajrakut. Në krye të saj ishte “rezi” (kryetari), gjegjësisht plaku i bajrakut. Shpesh në vend të pleqëve të fiseve dhe të kabileve në pleqësinë e besës caktoheshin nga vetë “fiset” dhe kabilet pleq të tjerë. Kohëzgjatja si veqil bese ishte “nga besa në besë” pra për gjashtë muaj a një motmot. Veqili i besës garantonte zbatimin e karareve nga “fisi” a kabilja e vet. Për çdo thyerje të besës së dheut të bajrakut, veqili, kur nuk ishte plak, përgjigjej përpara plakut të vet dhe të katundit. Por veqili kishte për detyrë të mbronte interesat e “fisit” a të kabiles përpara bajrakut.
Për të ndëshkuar thyesin e besës në “fis” a në kabile a për ndonjë ngjarje të jashtëzakonshme, pleqësisë së besës së dheut i printe në “fis” plaku i “fisit” (veqili) dhe në kabile plaku i kabiles (veqili i saj).
Kur dikush në bajrak thyente besën ose kararet e itifakut, “rezi” (kryetari) i besës” thërriste kuvendin e veqilave, të cilët, së bashku, shqyrtonin aktin dhe caktonin dënimin që do t’i jepej fajtorit (bidatxhiut a beterrit). Pastaj mblidhej kuvendi i bajrakut, të cilit i paraqitej çështja nga “rezi i besës” dhe mendimi i kuvendit të veqilave (pleqësisë së besës). Kuvendi i bajraktarit, si e bisedonte çështjen, dilte me vendimin përkatës, i cili merrej me shumicë zërash. Kush kundërshtonte vendimin e marrë, njihej “beterr” e leçitej katundisht: veçohej për dasëm e morte, për hua e borxhe etj. Po qe se të leçiturin e përkrahte dikush tjetër fshehtas a haptas, edhe ky njihej “beterr” e leçitej po ashtu.
Ata që thyenin kararët e besës, dënoheshin sipas fajit që kishin bërë e për këtë dënoheshin: a) me therjen e gjësë së gjallë ( dele, dhi, ka), pjesërisht a tërësisht dhe me ndarjen e mishit për shtëpi; b) me djegien e shtëpisë pa tesha mbrenda; c) me djegien e shtëpisë me teshë e koteshë; d) me përzënien nga katundi për 3 vjet, 5 vjet a përgjithmonë.
Kur vendosej t’i vihej zjarri shtëpisë së një fajtori, vinin aty veqilat e të gjithë “fiseve” e kabileve, si dhe plaku i bajrakut, shehu e bajraktari. Unin e zjarritë në shtëpinë e fajtorit, apo thikën në berret e tij e vinte plaku (veqili) i kabiles. Për thyerje itifakesh për ujin, mullirin, meranë, pyllin, udhën etj, fajtorëve u viheshin gjoba.
Gjykimin e ngatëresave midis katundarëve e bënin pleqtë e kabileve, të “fiseve” dhe plaku i bajrakut. Mbrenda kabiles ngatërresat synohej të zgjidheshin “me sull”, dmth me pajtimin e palëve. Në raste të tilla nuk shtroheshin pengje dhe nuk jepej “pleqni” (openga).
Kur çështja nuk zgjidhej në kabile “me sull”, palët i drejtoheshin plakut të “fisit” të tij, i cili ishte çekiç i plakut të bajrakut ose plakut të një “fisi” tjetër, i cili kish për detyrë të orvatej ta zgjidhte çështjen me “sull” (pa provë e be), por kësaj here ai duhej paguar nga palët në konflikt. Po qe se edhe ky nuk e zgjidhte çështjen pa provë (be), palët i drejtoheshin plakut të bajrakut, i cili e gjykonte vetë ose ua kalonte çekiçëve të tij (pleqëve të fiseve).
Në rastin kur një çështje nuk zgjidhej nga plaku i “fisit”, ky humbiste të drejtën për të marrë shpërblimin, i cili i jepej plakut të bajrakut.
Po qe se as plaku i bajrakut (i vetëm a me çekiçët e tij ) nuk e zgjidhte çështjen që i ish shtruar për gjykim, apo kur njëra palë ose të dyja palët nuk i rrinin pleqësisë së tij, këta kishin të drejtë t’i drejtoheshin një plaku jashtë Kalisit, psh Lushës a Nokës në Dibër etj. Plaku i jashtë katundit quhej “staraplak”. Kur “staraplaku” e shkelte plakun e bajrakut, ky i fundit humbte të drejtën e marrjes së “pleqnisë” (opengat) dhe kjo i kalohej “staraplakut”. Kështu ndodhte edhe kur plaku miratonte pleqësinë e çekiçit, por me këtë rast paguhej edhe plaku edhe çekiçi nga palët në konflikt.
Kur plaku merrte edhe çekiçët për të pleqëruar së bashku një çështje, një pjesë e pagesës u jepej çekiçëve, për aq sa i bënte zemra atij.
Po qe se ndonjë çështje nuk zgjidhej në “fis”, palët nuk ishin të detyruara t’i drejtoheshin plakut të bajrakut, por mund t’i drejtoheshin edhe një plaku të një katundi tjetër, madje, edhe mund të mos e njoftonin fare atë. Por, kur vendosnin t’i drejtoheshin një staraplaku, ishin të detyruar të njoftonin plakun e bajrakut, që e kish gjykuar këtë çështje. Plaku i jashtë bajrakut, çekiçin a çekiçët i sillte me vete ose i merrte në bajrakun e Kalisit. Por për gji të rënda, çekiçët ishin të huaj.
Përmbledhëse
- A) I. ORGANET DREJTUESE TË BAJRAKUT TË KALISIT
- – Kuvendi i bajrakut
(Burrë për shtëpi)2.-Pleqesia e kabileve
(33 pleq kabilesh)3.- Pleqësia e fiseve*
(3 pleq fisesh)PLAKU I PARË
(Mahalla e Poshter)
(Ymeret)PLAKU I DYTË
(Nikollet)
(Istrefet)PLAKU I TRETË
(Simet)
(Cenet)
______
*) Në tubim merr pjesë edhe bajraktari dhe shehu - – ORGANET DREJTUESE TË FISIT1.- Kuvendi i fisit
2.- Pleqësia e kabileve të fisit
3.- Plaku i fisitIII. ORGANET DREJTUESE TË KABILES
1.- Kuvendi i kabiles
2.- Plaku i kabilesB) FUNKSIONET E ORGANEVE TË BAJRAKUTI. PLAKU I BAJRAKUT:
(i parë)– mbledh kuvendin burrë për shtëpi, pleqësinë e kabileve dhe të fiseve
– është kreu i veqilave të besës së dheut (kryetar i besës)
– është plak i parë i kanunitII. PLAKU I FISIT:
– mbledh kuvendin e fisit burrë për shtëpi ose pleqësinë e kabileve të fisit
– është veqil i besës për fisin e tij
– është plak kanuni për fisin dhe çekiç i plakut të bajrakutIII. PLAKU I KABILES:
– mbledh kabilen (vëllazërinë) burrë për shtëpi ose pleqtë e barqeve
-është veqil për kabilen
-është plak kanuni për kabile të vet dhe çekiç për të në “fis”IV. BAJRAKTARI
-medije të plakut të bajrakut ose të pleqësisë jep kushtrimin për luftë
– i prinë djelmnisë së armatosur me flamur në dorëV. PLEQËSIA E BESËS
-Mbikqyr zbatimin e besës së lidhur nga kuvendi i bajrakut
-Ndëshkon thyesin e besës së dheut (bidatxhiun a beterrin) sipas vendimit të kuvendit të bajrakutVI. KUVENDI I BAJRAKUT
-Shpall dhe ndalon luftën
-Vendos mënyrën e administrimit të merasë së bajrakut
– Cakton masën e dënimit për bidatxhitë, beterrët dhe thyesët e besës së bajrakut. - C) MËNYRAT E PLEQNIMIT NË BAJRAK TË KALISIT
Pleqnia bahet me çekiçë, pleq e starapleq.
– Plaku i kabiles pleqnon në vllazni të vet “me sull” (pa pengje e openga).
-Kur plaku i kabiles nuk e zgjidh çështjen “me sull”, palët në konflikt i drejtohen plakut të fisit të vet ose të një fisi tjetër. Kur plaku i fisit nuk mundet të pleqnojë “me sull”, kërkon pengjet. Plaku i fisit pleqnon me openga dhe këto lahen, kur dahet e pranohet pleqnia.
-Nëse plaku i fisit nuk mundet ta ndajë pleqninë, palët i drejtohen plakut të bajrakut ose një plaku jashtë tij. Plaku i bajrakut pleqnon vetë ose me çekiçët e tij (pleqtë e fiseve);në të dy rastet lypen pengje e openga. Opengat i merr plaku, ndërsa çekiçët pjesën sa i bën zemra atij.
-Po qe se palët a njera prej tyre nuk i rri pleqnisë së plakut të bajrakut, i drejtohen një plaku të jashtëm, i cili quhet staraplak. Staraplaku pleqnon me çekiçë që i merr në bajrak ose jashtë tij.
Kur staraplaku shkel plakun e bajrakut, ky humbet pleqninë (opengat); po ia miratoi, staraplaku pleqnin plakut openga marrin të dy palët, plaku e staraplaku.
KANUNI I BAJRAKEVE TË LUMËS
- Bajraku
1.- Bajraku përbahet prej nji katundi a prej disa katundesh të nji gjaku ose jo. Bajrak- katund kanë qenë Kalisi, Radomira, Çaja.
- Dheu i bajrakut asht me kufij.
3.- Qendra e bajrakut asht, zakonisht, aty ku ka kullën bajraktari. Ndrrohet bajraktari, luen qendra e bajrakut.
4.- Bajraku ka flamurin e vet. Flamurin e ruen bajraktari. Humb flamurin bajraktari, humb bajraktarinë.
- Prija e bajrakut
5.- Organi ma i naltë drejtues i bajrakut asht kuvendi..
6.- Kuvendi shpall e ndalon luftën, mbikqyr mbarështrimin e merasë së bajrakut, cakton masën e dënimit për bidatxhiun, beterrin, kryekcyemin, thyesin e besës dhe të karareve të vume.
7.- Në krye të bajrakut asht kreu a plaku. Ky thërret kuvendin burrë për shtëpi e parinë; ka fjalën e parë dhe të mbrame në kuvend dhe në pleqësinë e besës. Udhëheq së bashku me të parët e katundeve (fiseve a vëllaznive) djelmninë në luftë. Ka vendin e parë në odë dhe në sofër (në bajrakun e vet).
- Asht plak i parë i kanunit
- Pleqësia e besës së bajrakut prihet nga kreu i bajrakut dhe ka për detyrëmendjekë zbatimin e karareve të dheut.
- Në pleqësinë e besës bajnë pjesë përfaqësues nga çdo katund (a vëllazni) dhe këta janë veqila për bashkësinë e tyne në bajrak.
III. Bajraktari
- Bajraktari ka për detyrëmepri para djelmnisë që shkon në luftë me flamur në dorë. Motit bajraktari u printe edhe krushqeve të darsmës.
12.- Bajraktari asht i shtëpisë së plakut ose i barkut a i vëllaznisë së tij. Në zanafillë ka qenë djali i tretë i kreut.
13.- Bajraktaria trashëgohet ose jo. Kur vdes bajraktari, hyp në kambë të tij djali ma i madh Kur ky nuk vyen, asht djali tjetër. Por edhe i vëllau a djali i vëllaut merr tagrin e bajraktarit.
- Kur bajraktari, shtëpia a barku i tij nuk janë të zotëtmepri me bajrak në dorë, ky i kalon një barku tjetër: e merr kush asht i zoti për të. Kalimin e bajraktarisë prej nji barku në një tjetër e ban vëllaznia.
15. Në luftë bajraktari e mban bajrakun në shtizë ose të lidhur për mesi.
16. Pranë bajraktarit rrinë dy-tre djem të shtëpisë a të barkut të tij të dalluem për shkathtësi e trimni dhe këta kanë për detyrë me rrokë bajrakun, po u vra bajraktari. Kush rrok bajrakun i pari, njihet bajraktar. - Gjaku i bajraktarit vlen nji gjak njeriu: shkon “nja për nja” a “krye për krye” me gjakun e çdo mashkulli tjetër.
- Në porotë bajraktari zihet nji plak beje, jo ma shumë.
19. Bajraktari e shtëpia e tij vihen në be, shtrojnë pengun, lajnë gjak e marrin gjak si çdo shtëpi tjetër. - Në luftë, kur asht lidhë besa, bajraktari asht në besë të bajrakut: gjakun ia lyp e i merr bajraku i tij. Jashtë besës, gjakun bajraktarit ia merr shtëpia e tij.
Kuvendi i bajrakut
- Bajraku mblidhet në kuvend “burrë për shtëpi”, “në shtatë e në shtatëdhjetë ose “medhetarë”.*)
- Në kuvend dhetarët ulen në formë rrethi e në krye të tyre qëndron plaku (kreu) dhe paria.
- Kur duhet që kuvendarët të lëvizin për t’u tubue sipas katundeve, vendësit nuk luejnë, luajnë vendin të ardhunit.
- Dhetarë të bajrakut janë krenët a pleqtë e katundeve a të fiseve; në bajrakun – katund dhetarë janë pleqtë e fiseve (vëllaznive)
- Bajraktari, megjithëse nuk asht krye, zen vend me krenët. Vendin e tij në kuvend e zen njiishtëpisë së tij, me të njëjtin tagër.
- Bajraktariishtëpisë së plakut zen vendin e plakut, përndryshe jo.
27. Kuvendi i bajrakut mblidhet zakonisht dy herë në vit: në Shëngjergj e në Shëmitër, por edhe simbas nevojës. - Bajraktari, si të marrë fjalën e plakut ose të kuvendit, jep kushtrimin simbas zakonit e del me flamur në dorë. Pa fjalë të plakut e të kuvendit bajraktari s’ka tagërmedhanë zanin për kushtrim. Kushtrimi jepet me pushkë,me lodër, me za.
- Bajraku mblidhet në qendër të bajrakut ose ku asht vendi i caktuemmerazi të pleqve.
- Vendet ku mblidhen bajrakët janë:
Bajraku i Rrafshës: Kodra e Osmane a Kepi i Kovaçit (Bicaj)
Bajraku i Tejdrinës: Kodra e Qinamakut (Surroj), Kepi iShtanës (Ujmisht)
_______
*) dhe + tar = përfaqësues i dheut
Bajraku i Kalisit: Livadhi i Teqes
Bajraku i Radomirës: Xhamia e Tejsit
Bajraku i Qafës: Kalaja e Dodës (Ploshtan), Livadhi i Zallit (Bushtricë)
Bajraku i Çajës: Xhamia e Fshatit.
Bajraku i Topojanit: Kodra e Burrave (Brekijë).
- Bajrakët e Nahijes (Kalis, Radomirë. Qafë, Çajë) mblidhen në Kala të Dodës.
- Bajraktar i parë në Lumë asht ai i Bicajve, pse “Luma askeri” – thonin të vjetrit*
33.Radha e bajrakëve të nahijes asht: Kalis, Qafë. Radomirë, Çajë.
Prona e bajrakut **)
34.Veç pronës së ndame për shtëpi, vëllazni, mahalla e katund, disa bajrakë kanë meranë e vet: një kullotë, pyll e mal.
_______
*) Ka edhe mendime se bajrak i parë është i Topojanit, sepse ky bajrak ka treguar trimëri në betejat e Qafës së Duhlës kundër Serbëve (1912) dhe më parë (1876) edhe në Prokupe, Nish etj. Prej këtij bajraku kanë dalë burra dhe ushtarakë të lartë të Perandorisë Osmane: Sinan pashë Topojanin (1506-1596), Ajaz pasha (ekzekutuar 1558), Mustafa pasha (biri i Ajaz Pashës), Ferhat pasha etj. Sipas një dekreti sulltanor (1586), Topojani me rrethinë ka gëzuar privilegje nga Perandoria Osmane)
**) Mera bajraku ka pasur, psh Çaja e Radomira. Por edhe mali i Gjinetës (Kalis) deri në vitin 1913 ka qenë mera e bajrakut, pastaj u nda.
35.Meraja e bajrakut shfrytëzohet si “nja e nja” nga meratarët, por në të nuk mund të shkemish tokë të re e të ndërtosh sllon e shtëpi pa leje të kuvendit të bajrakut.
- Dami dhe fitimi në mera janë të përbashkët për të zotët e saj.
- Meraja, po u pa e nevojshme, ruhet me rojtar, e ky paguhet për shtëpi.
- Meraja ndahet, po u nda bajraku e meratarët marrinsi”nja e nja” ti nji pëllambë, unë nji pëllambë, ti nji gisht, unë nji gisht.
- Në meranë e pandame nuk mund të presish dru e landë a të kositësh bar e të presish gjeth me shitë, por vetëm për hall tandin. Ndryshe veprohet me vendim të Kuvendit të Bajrakut.
40.Banorët e bajrakut, po u banë në një mendje, shesin e blejnë mera.
41.Meraja e bajrakut ruhet me itifak. Kush shkel itifakun e merasë ka gjobë, gjobë mbi gjobë, leçitje e përzanie prerj vendit.
- Dami i të huejit në mera të bajrakut “lahet jashtë karareve të bajrakut”
- Morta e atij që vritet përmembrojtë merunë, bahet nga bajraku.
Vetëmbrojtja e bajrakut
- Detyra kryesore që kanë krenët dhe vegjëlia asht mbrojtja e bajrakut:
mosrrezikimi i njerëzve dhe ruajtja e vërrinit, bjeshkës, malit, ujit. - Në krye të burrave të armatosun asht plaku dhe përkrah tij paria. Kur plaku asht i pamundun (i sëmunëa imotnuem), ja lëshon prinë e luftës nji tjetri që mund ta bajë atë barrë.
- Në luftë shkojnë burrat e njehun a “më shtatë e më shtatëdhjetë “. Burrat e luftës caktohen për shtëpi a për katund. Tubës së burrave të një katundi u prinë plaku i katundit.
- Armët e luftës i ka çdo burrë në shtëpi.
- Luftëtari që i bishtnon luftës ose që largohet prej saj pa dije të kreut të katundit a bajrakut gjykohet e dënohet. Gjyqohet e dënohet edhe ai që thyen besën e luftës, shtjen pushkë përmemarrë gjak a për me ra në gjak.
DOKUMENTE*
1.Letër dërguar Bilal agës (Bicaj) 1824
Mbas përshëndetjeve, ju njoftojmë se na ka ardhur ferman perandorak për të mobilizuar një orë e më parë ushtarë. Prandaj të jeni të gatshëm dhe të zellshëm. Ju porosisim në mënyrë kategorike që t’ua bëni të ditur këtë fshatrave që janë në juridiksionin e bajrakut. Brenda një jave, duke filluar nga dita e sotme, të grumbulloni dhe të bëni gati ushtarët tuaj. Për këtë qëllim u shkrua kjo letër e cila po ju dërgohet me Demir agë Nangën.
Kërkoj që, kur të mbërrijë, me ndihmë të zotit, aty, të veproni sipas asaj (letrës Sh.H.) dhe brenda një jave të keni gati ushtarët.
23 shaban 240 (1824)
Mytesarrifi i Prizrenit
Mahmud
2. Agallarëve të Bicajt e të fshatrave të tjerë të Lumës,
1824-1825 (?)**)
Ju njoftojmë se me ferman perandorak jam ngarkuar të vete pranë Shkëlqesisë së tij, valiut të Bosnjës, duke pasur mevete 1500 ushtarë. Prandaj është e domosdoshme që të mblidhen e të përgatiten ushtarët sa më parë.
————–
* Marrë nga libri në dorëshkrim i autorit “Luma në gjysmën e parë të shek. XIX. Tiranë, 1999.
**) Letër e mytesarifit të Prizrenit Mahmud pashë Rrotulla
Është e qartë se në bajrakun e Qafës dhe në bajraqet e tjera nuk ka ushtarë, prandaj është e nevojshme që nga bajraku juaj të nxirrni në dy shtëpi një ushtar, gjithësejt 291 ushtarë *, të cilët, siç është zakoni juaj, do të paguhen. Prandaj u shkrua kjo letër, e cila po ju dërgohet me Bilal agën dhe me njeriun tonë, Ahmet Qafën
Kur kjo letër të mbërrijë atje, me ndihmën e zotit, dhe pasi ta kuptoni mirë çështjen edhe nga relacioni që do t’u bëjë me gojë Bilal aga dhe njeriu ynë, Ahmet aga, të merrni masat e nevojshme në mënyrë që, kur të ju vijë letra tjetër, të bëni gati ushtarët dhe të niseni duke pasur me vete përpara flamurin tuaj.**
- Letër e Mahmud pashë Rrotullës, mytesarrif i Prizrenit, dërguar Bilal agës në Bicaj e të gjithë agallarëve të Lumës,
1824-1825 (?)***
Të nderuarit Bilal aga në Bicaj e të gjithë agallarëve të Lumës.
Mbas përshëndetjeve, ju njoftojmë se:
Dje erdhi një bujurulldi e valiut të Nishit, Shkëlqesisë Osman pasha, me anën e së cilës ky na porosiste dhe na urdhëronte që të kemi në gjendje gadishmërie ushtarët. Prandaj të regjistroni ushtarët që keni rekrutuar, t’i paguani ata dhe t’i vini në gjendje gadishmërie. Kështu që, kur të ju vijë letra ime e dytë, të vini këtu bashkë me ushtarët, duke pasur përpara bajrakun tuaj. Gjerë të shtunën e ardhme duhet të jeni përgatitur plotësisht.
Përsa më sipër u shkrua kjo letër që po ju dërgohet me një njeri timin.
————
*) Në mesin e viteve njëzet të shek XIX, bajraku i Rrafshës (Lumës) paska pasur 582 shtëpi.
**) Megjithëse dritë nuk ka, pas gjithë gjasash, dok.i përket vitit 1824-1825. Kështu ka menduar edhe përkthyesi V.Buharaja.
*** Letra mund të jetë e gjysmës së dytë të dhjetëvjetëshit 1820-1830
kjo letër të mbrrijë aty, me ndihmë të zotit, dhe të njiheni me përmbajtjen e saj, të veproni sipas saj. *
- Letër e Mahmud pashë Rrotullës dërguar “të nderuarit Bilal
aga në Bicaj dhe agallarëve e krerëve të tjerë të Lumës,
1826-1827 (?)
Mbas përshëndetjes ju njoftoj se:
Me urdhër të lartë perandorak jemi ngarkuar që të marrshojmë kundër të pafeve grekë, duke qenë të inkuadruar në ushtrinë e zotërisë së tij, valiut të Rumelisë. Kështu që, me ndihmën e zotit, do të nisemi për të marrë pjesë në këtë luftë. Tani ka ardhur koha që të përgatisim forcat ushtarake. Prandaj është e domosdoshme që këtë të hënë të niseni që andej dhe të vini këtu për të biseduar mbi përgatitjen e forcave ushtarake që do të më shoqërojnë mua (në këtë fushatë -Sh.H.)
Për të njoftuar sa më sipër, u shkrua kjo letër e cila po ju dërgohet me një njeri timin, Kur kjo me ndihmë të zotit, do të mbërrijë aty dhe ju do të merrni njoftim mbi përmbajtjen e saj, ashtu siç urdhëroheni, të hënën të niseni e të vini. Kaq **
Mahmud ***
———-
* Megjithëse nuk shënohet, letra është e mytesarifit të Prizrenit, Mahmud pashë Rrotulla
** Sipas përkthyesit, Vexhi Buharaja, letra është shkruar në vitet 1826-1827
*** Mahmud pashë Rrotulla, mytesarif i Prizrenit
- Letër e Mahmud Pashë Rrotulla, mytesarrif i Prizrenit dërguar të nderuarit Bilal aga në Bicaj dhe gjithë agallarëve e krerëve të Lumës, (1828)Mbas përshëndetjeve ju njoftohet se:
Vëllai im, Emin pasha, është nisur nga Stambolli dhe është duke udhëtuar për të ardhur në këto anë. Ndërkohë mbërriti dhe korrieri ynë, Sadiku, i cili na solli një urdhër të pashait. Në bazë të këtij urdhëri, unë jam i ngarkuar që të përgatis forcat ushtarake. prandaj, në bazë të urdhërit që kam marrë, duhet të përgatiten ushtarë. Për këtë arsye, ju agët dhe krerët e vendit, të enjten të niseni që andej dhe të premten të jeni në Prizren. Përsa më sipër u shkrua kjo letër, e cila po ju dërgohet me një njeri timin. Kur, me ndihmë të zotit, të merrni dijeni në lidhje me sa më sipër, ashtu siç u tha, të enjten që vjen të niseni që andej dhe të premten të jeni në Prizren.
244(4.1828)*
(Mahmud) **
- Defter llogarie mbi sasinë e furnizimeve dorëzuar ushtrisë në Prizren, 1837. Ushtarë dhe kuaj që duhej të ushqenin vetë bajrakët për vitin 1253(1837)
Bajraku Vetë kuaj
Luma 160 240
Bregu i Drinit*** 52 8
Qafa 93 6
——–
* Muaji është grisur në dokument
** Mahmud Pashë Rrotulla, mytesarifi i Prizrenit
*** Në dokumente të tjerë edhe Qafa e Drinit, Ana e Drinit
Radomira 45 6
Topojani 50 7
Kalisi 38 6
Çajlla(Çaja) 40 8
Dolovishta 80 4
Opola(Opoja) 100 10
Ostrozupi 124 7
Pollozha 76 6
Suhareka 107 6
Lubina(Lubizhdë) 84 3
Hoça 22 –
7.Letër e një çaushi që shërbente në regjimentin e tretë, batalioni i dytë i redifëve në frontin turko-rus, 1853*
Shpirti im, i dashuri im, që jeni i pajisur me sjellje të bukura, z.Islam Bajraktari. Pyes për shëndetin tuaj dhe ju bëj të fala. Uroj që të jeni ashtu si duhet me shëndet. Në qoftë se pyetni për ne, lavdi zotit, gjer në këtë rast që po ju shkruajmë këtë letër, jemi mirë. Zoti na e bëftë mbarë që të shihemi së afërmi. Amin! Mora 15 groshet që na dërguat. U gëzuam sa s’mund ta përshkruajmë dot. Zoti ju gëzoftë edhe ju. Të fala Numan (Liman-Sh.H.)Bajraktarit, Ali agës, Bajram agës, Dervish agës e Abdulla agës…
12 shaban 70 (1853). Sulejman Çaushi, biri i Veli Domit nga fshati Ulumishte (Ujmisht) i kazasë së Prizrenit, regjimenti 3-të batalioni i 3-të i ushtarakëve redifë
——-
* Për herë të parë përmendet emri i një bajraktari në Lumë
TABELE PERMBLEDHESE
- Qendrat e Titullarët (Vëllazëritë)Emri i bajrakut Qendrat Titullarët
Luma (Rafshja) Bicaj Bilalët
Tejdrinia Ujmisht (Domaj) Domi
Qafa Bushtricë Gjini
Kalis Mahalla e Poshter Ymeraj
Radomirë Tejs Ahmati
Çajë Fshat Graci
Topojani Brekijë IslamajII. QENDRAT E BANUARA TE BAJRAKUT TE RRAFSHES
(LUMA E MIREFILLTE)Gjysma e parë e shek.XIX* (Vitet 40) Gjysma e dytë shek.XIX**
Bilusha 19 shtëpi Bicaj 150 shtëpi
Poslishta 11 shtëpi Kolesjan 50 shtëpi
Zhurë 79 shtëpi Lusna 110 shtëpi
Shkoza 7 shtëpi Gabrica
Dobrusha 5 shtëpi 10 shtëpi
Virmica 17 shtëpi Nankovcë 60shtëpi
———-
*) Luma në gjysmën e parë të shek.XIX, dok.69. Këtu nuk jepet si katund i këtij bajraku
** Jastrebov, Stara Srbija i Allbanija, 1904, f.214
Barlovca (Bardhoc)15 shtëpi Shtiqen 100 shtëpi
Morina 16 shtëpi Gostil 60 shtëpi
Lagje Shahe 12 shtëpi Kukës 30 shtëpi
Gjegjina 22 shtëpi Përbreg 100 shtëpi
Bobregu(Përbregu) 53 shtëpi Gjegjën 40 shtëpi
Gostila 24shtëpi Bardhoc 50 shtëpi
Shtiqeni 61 shtëpi Morin 40 shtëpi
Nankovca (Nangë) 47 shtëpi
Bicaj 44 shtëpi
Lagja e Osmanit 25 shtëpi
Lagja e Mustafajt 39 shtëpi
Kolosnani 21 shtëpi
———————————–
597 shtëpi 800 shtëpi
——————————————–
Shënime për studimin
1.- Fjala “bajrak” në Fjalorin e Gjuhës Shqipe (Tiranë, 1980. f.84) është shpjeguar në këtë mënyrë:”BAJRA/K -U m.sh. – Ë, – ËT dhe – QE, – QET 1. vjet.Flamur.2.hist, njësi ushtarake e më vonë administrative që u krijua në ndarjen tokësore të disa krahinave të Shqipërisë ku kishte mbeturina të organizimit fisnor patriarkal dhe që i zunë vendin këtij organizimi. 3.etnogr. shami e kuqe me lule e xhufka që e mbanin krushqit si flamur kur shkonin të merrnin nusen”.
Fjala “bajraktar” në këtë fjalor (f.84) shpjegohet:’BAJRAKTAR- 1 m.sh. -Ë, – ËT, 1.vjet.Flamurtar 2.hist.kreu i bajrakut…3.etnogr.krushku që mbante bajrakun e dasmës, kur shkonin të merrnin nusen.
“Bajrak” është fjalë me origjinë persiane e hyrë në gjuhën shqipe nëpërmjet turqishtes. Sipas S.Frashërit, fjala “bajrak” si term i vjetër ushtarak osman, është me burim kurd, dhe në zanafillë kishte kuptimin e një reparti ushtarak (tabor). Ai, pra S.Frashëri, shpjegon edhe: bajrak açmak- shpalos flamurin, mbledh ushtarë, ngre krye; bajrak askeri – ushtri e bajrakut e formuar nga i gjithë populli për të luftuar kundër armikut (Sh.Samy-bey Frashëri, Dictionaire turc- français, Costantinople, 1885, f.321. Po ky Kamusi-turk, Istambul, 1899-1900, f.278; P.Doçi; vep. epërm.f.40-41.
2- Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f.613. K.Ulqini, Bajraku në organizimin e vjetër shoqëror shqiptar, Tiranë, 1991, f.3
4.P. Doçi, Vetëqeverisja e Mirditës, Tiranë 1996, f.33
5. Historia e Shqipërisë, vëll.I, Tiranë, 1965, f.206, 397; L.Mile, Kryengritjet popullore në fillim të Rilindjes sonë (1830-1877), Tiranë 1962, f.36; V.Meksi. Të dhëna rreth krahinave autonome dhe së drejtës dokësore të shqiptarëve gjatë shek.XIX dhe fillimit të shek.XX, “Referate e kumtesa” I, Tiranë 1965, f.106; I.Elezi, Karakteri i të drejtës zakonore shqiptare gjatë pushtimit turk, “Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike”, vëll.II, Tiranë 1969, f.168; po ky, E drejta zakonore penale e shqiptarëve, Tiranë, 1983, f.73; Sh.Rrahimi, Vilajeti i Kosovës, Prishtinë, 1969, f.21; S.Pupovci, Marrëdhëniet juridike e civile në Kanunin e Lekë Dukagjinit, Prishtinë, 1971; M.Krasniqi, Disa veçori etnografike të Lugut të Baranit, “Gjurmime albanologjike”-Folklor dhe etnologji, Prishtinë, 1984, f.99; K.Ulqini, Bajraku në organizimin e vjetër shoqëror, Tiranë, 1991, f.30; Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f.61
6.P.Doçi, po aty
7. po ky, f.24-25
8. po ky, f.26
9.S.Pulaha, Krahinat e Sanxhakut të Dukagjinit gjatë shek.XVI, II, Studime Historike 4, 1973, f.169, katundet Mamis (Mamzë), Kolish(Kolsh), Ulumisht (Ujmisht), Suroj, Aren i shënon në nahijen e Spasit por më vonë, duke qenë një njësi vetëqeverisëse, këta shkëputen nga Spasi e bashkohen me krahinën e madhe të tyre, Lumën.
10. Nankofc Buzrek, Nankovc Kyçyk, Gorna Goshtica (ose Pashkash), Pobrek, Dobrosh, Bushad, Shala, Dolina Goshtiça, Tatza (Truallishtë), Virnica (Virica), Kudsaq (Kodsaç), Shtiqanic, Zhur, Bulin Dol (ose Bardofc), Gabranica, Bogdanica, Pandala (ose Pankala), Bragjan,Kolosna, Dobroshin, Morina (oseVijoviq), Gamnja(Kamnja) ose Millobost, Bushishta, Lançishta (ose Tërshana), Shin Bera (Pera) ose Sveti Nika, Tatza, Krynza, Buzalepur, Kukufic, Krushofic, Muniq (Moiq).
11. Bushtrica: mahallat Gjonan, Priftan, Martan, Nikosan, Kuqkiq, Bardan, Drazh, Lijash, Shirgjan; Diragishta: mahallat Bloshtan. Çeren, Radomir, Shin Andre, Shullan; Çajla: mahallat Fshat, Buzëmadha, Shinmirija, Vad, Martan, (Matrak), Shkiza (Shkin); Kashtanija, Ajdovran, Lusëna, Mlika, Truallishta dhe Kalaja e Resovës (me banorë nga fshatrat Deçar dhe Ulumisht).
12. Në këtë nahije të madhe bënin pjesë edhe fshatrat ( e mahallat) Topoljan me mahallat Kosharishta, Bogdash, Çërveniç, Briftan, Brekça, Kollovoz, Orçikla, Lumja (Lojmja), Turja, Shtruezova (Shtreze), Novosel që do t’i gjejmë më vonë në një bajrak.
13. Në këtë nahije bënin pjesë edhe fshatrat Mamis (Mamish), Kolish, Ulumisht, Suroj, Arën (ose Vanfro).
14. Qëndresa e popullit shqiptar kundër sundimit osman nga shekulli XVI deri në fillim të shek.XVIII. Dokumente osmane -Tiranë, 1978, f.60.62.
15.po aty, f.66.67 (dok.32,33)
16.po aty, f.74.dok44
17. po aty, dok.45,46
18.po aty, dok.165
19.po aty, dok.230
20.Shih shën.5
21. Historia e Shqipërisë, Tiranë 1967, f.397
22.K.Ulqini, vep. e përm.f.16
23. Luma në gjysmën e parë të shek.XIX-Dokumente Osmane, dok.22
24.K.Ulqini,vep. e përm.f.16
24/1. Luma në gjysmën e parë të shek.XIX, dok.23
25. Luma në gjysmën e parë të shek.XIX-Dokumente Osmane dok. 24
26.Historia Shqipërisë, Tiranë, 1967, f.397
27.Krah.edhe Fjalori Enciklopedik Shqiptar, f.61
28.Historia e Shqipërisë, Tiranë, 1967, f.397
29.Luma në gjysmën e parë të shek.XIX, dok.6
30.M.Krasniqi, Prizreni “Përparimi”, 1-2, Prishtinë 1960, f.84-85; H.Kaleshi. H.Jurgen, Vilajeti i Prizrenit, “Përparimi”, 2, Prishtinë, 1967, f.190
31. A.Ahmedi -Theranda -Prizreni në shekuj, Prizren,1996, f.125
32. Luma në gjysmën e parë të shek.XIX, dok.nr.21
33. po aty, dok.nr.60
34.po aty dok.22
35.po aty, dok.24
36.po aty, dok.37
37.po aty, dok.76
38.po aty,dok.11,68
49. po aty, dok.68
40. po aty, dok.61
41.Luma në gjysmën e parë të shek.XIX, dok.44, 45, 63
42.Stara Srbija i Albanija, 1904, f.211-214
43. Die Albanischen Muslime zur zeit der nationalen Undabhangigkeits-beëgung -1878-1912- Otto Harrassoëitz -Ëiesbaden, 1968, f.60
43/1. Bajraku në organizimin e vjetër shoqëror , Tiranë, 1991, f.32
44. S.Pulaha, Krahinat e Sanxhakut të Dukagjinit gjatë shek XVI, II, Studime Historike, 4, 1973
45.Luma në gjysmën e parë të shek.XIX, dok.73
46.Staraja Srbija, f.214
47.po këtu, f.213
48.po aty, f.214
49.po aty, f.214
50.Luma në gjysmën e parë të shek.XIX, dok.73
51 Stara Srbija…, po aty
52. Luma në gjysmën e parë të shek.XIX,dok.22, 24
53. Sipas Islam Sokolit, vj.75, Bicaj, gusht 1965
54.Po ky, 21.9.1960
55.Muharrem Temi, 63 vjec, Bicaj, 10.2.1960
56.Luma në gjysmën e parë të shek.XIX dok.83
57.po aty, dok.84, 23 rebiul-evel 72 (v.1854)
58.AIH, Proceset gjyqësore kundër aktivistëve të Lidhjes, D.A-III-350, f.225-227
59.Sh.Hoxha, Një atdhetar i harruar, Mustafë Lita “Rilindja”, 16 shtator 1998.
60. Sipas Xh. Domit, Tiranë, tetor 1998.
61. A. Shehu, Historiku i Katundit Fshat (dorëshkrim).