Ballina Rajoni Për punonjësit e shëndetësisë e farmacistët në Itali vaksina me detyrim

Për punonjësit e shëndetësisë e farmacistët në Itali vaksina me detyrim

 

Punonjësit e shëndetësisë dhe farmacistët në itali, janë të detyruar tani të marrin vaksinën anti covid, përndryshe rrezikojnë të pezullohen nga puna.

Qeveria e Mario Draghit miratoi vaksinimin e detyrueshëm të kësaj kategorie për të mbrojtur sa më shumë që të jetë e mundur stafin mjekësor dhe paramjeksor si edhe ata që janë në ambjente ku mund të ekspozohen më shumë ndaj rrezikut të infektimit. Lëvizja vjen pasi shpërthime të reja koronavirusi u konstatuan në disa spitale italiane dhe besohet se kanë qenë të lidhura me staf shëndetësor që refuzonin të bënin vaksinën.

Ligji e detyron stafin publik dhe privat të shëndetësisë, si edhe farmacistët, të vaksinohen, përndryshe rrezikojnë të shkarkohen nga puna ose të zhvendosen në role ku nuk përballen me publikun. Ata madje mund edhe të pezullohen për tetë muaj pa pagesë.

Në mars, një gjykatës në qytetin e Bellunos, refuzoi një apel nga 10 punonjës të shëndetësisë, që ishin pezulluar nga puna në dy shtëpi kujdesi në shkurt, pasi kishin refuzuar vaksinën.

Italia ka edhe një ligj që e mbron stafin shëndetësor që administron vaksinat anti covid nga aksioni ligjor nëse pacienti humb jetën pas marrjes së saj. Masa u mor pas një hetimi për vrasje nga pakujdesia të nisur, kur një sicilian vdiq pasi mori vaksinën anti covid. Ministri italian i shëndetësisë, Roberto Speranza, tha se programi italian i vaksinimit kishte dhënë rezultate të dukshme në zonat ku administrimet kanë qenë më të larta, si brenda spitaleve dhe shtëpive të kujdesit.

Deri të enjten, më shumë se 10 milionë njerëz në itali kanë marrë dozën e parë të vaksinës, nga të cilët 3.1 milionë të dyja dozat. Ndërkohë sipas vlerësimeve të BE, në Itali, deri në qershor do të jenë vaksinuar 57.14 për qind e popullatës.