Medikamentet kanë një qëllim specifik, të kurojnë e të shërojnë një problem të caktuar shëndetësor. Megjithatë, shumë prej tyre shoqërohen me efekte anësore dhe një prej tyre është shtimi në peshë.
Në këtë artikull do të mësoni për listën e barnave që e kanë shtimin në peshë si efekt anësor.
Ilaçet kundër tensionit të lartë
Tensioni i lartë i gjakut është përgjegjës për shumë sëmundje shëndetësore që përbëjnë rrezik për jetën. Ilaçet e mbajnë atë nën kontroll e megjithatë, shtimin në peshë e kanë si efekt të përbashkët anësor. Barnat që ulin tensionin e gjakut kanë tendencën të nxisin shtimin në peshë. Kjo për arsyen se si fillim ulin rrahjet e zemrës por në të njëjtën kohë edhe ritmin metabolik. Një gjë e tillë bën që trupi të djegë më pak kalori.
Insulina
Insulina ofrohet për trajtimin e diabetit të tipit 1 dhe 2. Disa prej llojeve të saj nxisin shtimin në peshë deri në të paktën 5 kilogramë. Ajo ul nivelin e sheqerit në gjak dhe e udhëheq atë (sheqerin) drejt indeve ku duhet të jetë. Kjo është një nga arsyet përse diabetikët janë mbipeshë.
Anti-alergjikët
Studimet tregojnë se gratë dhe burrat që marrin ilaçe si anti-histamina shtojnë më shumë kilogramë. Histamina është një transmetues i disa alergjive dhe bllokimi i saj stimulon oreksin. Nëse barna të tilla merren vetëm sipas nevojës, atëherë mbipesha është e përkohshme. Nëse ato merren rregullisht, atëherë mbipesha është afat-gjatë.
Steroidët
Steroidët janë barna që luftojnë inflamacionin. Ato përbëhen nga kortizoni dhe përdorimi afatgjatë, në rastet e artritit, astmës dhe sëmundjeve të stomakut, nxit shtimin në peshë. Sidoqoftë, shtimi në peshë është efekt anësor i dozave të larta të këtij medikamenti.
Kontraceptivët oralë
Ekspertët thonë se të gjithë kontraceptivët janë përgjegjës për sekretimin e hormonit të quajtur progesterone. Ky hormon nxit nepsin për ushqime të caktuara. Mund të jenë të kripurat, të ëmblat apo ato pikante. Kontraceptivët rrisin oreksin por edhe nxisin akumulimin e ujit dhe lëngjeve në trup.
Anti-depresantët
Njerëzit që vuajnë nga depresioni janë ndjeshëm më të rrezikuar nga obeziteti. Këto barna supozohet t’i bëjnë njerëzit të ndihen mirë, por përveç kësaj i nxisin të shëndoshen. Sidoqoftë efektet anësore varen edhe nga organizmi i njeriut.