Seychelles mund të jetë vendi i parë në botë që do të arrijë imunitetin e tufës, falë dhurimeve të vaksinave nga India dhe Emiratet e Bashkuara.

Vendi ishullor pritet të hapet për të gjithë turistët, përveç atyre që vijnë nga Afrika e Jugut, më 25 mars. Ky do të jetë një lajm i mirë për ekonominë e vendit që varet shumë nga turizmi. Deri më tani, ata që vinin në vend duhet të qëndronin në karantinë, në një hotel enkas për qëndrimin, por kjo nuk do të kërkohet më pas 25 marsit.
Vizitorët duhet të prenotojnë në një nga 700 strukturat turistike të certifikuara – lista do të publikohet së shpejti. Për sa kohë që akomodimi është i rezervuar, nuk ka kufizime dhe lejohet udhëtimi në 115 ishuj.

Si arriti Seychelles të vaksinojë kaq shumë banorë të saj?

Fushata e vaksinimit nisi në janar dhe në fund të shkurtit, 44% e banorëve të Seychelles kishin marrë të dyja dozat. Brenda mesit të marsit pritet të arrijë 70% – kjo është përqindja e popullsisë e nevojshme për të arritur imunitetin e tufës. 50.000 doza të vaksinës Sinopharm u dhuruan nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Kjo sasi u dyfishua kur India dhuroi 50.000 doza të vaksinës AstraZeneca. Të dyja vendet kanë lidhje të ngushta tregtare dhe kulturore me Seychelles.

Qeveria e Seychelles bleu 40.000 doza vaksine për t’u siguruar se do të kishte mjaftueshëm për të vaksinuar gjithë popullsinë. Të parët që u vaksinuan ishin njerëzit e moshuar, punonjësit shëndetësorë në frontin e parë dhe disa punonjës në industrinë e turizmit në një vend ku 15% e fuqisë punëtore është e punësuar drejtpërdrejt në sektor.

“Fushata e vaksinimit pati sukses të madh. Qeveria bëri gjithçka që kishte në dorë për të siguruar mbrojtjen e popullsisë. Tani kemi arritur në pikën ku hapja e kufijve është hapi tjetër për rimëkëmbjen ekonomike” – tha ministri i Punëve të Jashtme dhe Turizmit, Sylvestre Radegonde.

“Masat e njoftuara pasqyrojnë gjerësisht rekomandimet e partnerëve tanë turistikë dhe janë bërë në konsultim të plotë dhe me miratimin e autoriteteve tona shëndetësore”.

Burimi: Euronews