LINDJA – LOJA E DIELLIT

 

Sapo lind dielli në lojë paraqitet,

Livadheve të qiellit akrobatitet…

 

Sa ka rreze – don poaq dëshira,

Në pikë të ditës ato më të mira.

 

Krejt si fëmijë është ndonjëherë,

E lanë fytyrën me vesë përherë…

 

Më i ndritshëm ka ëndje të jetë,

Si djalë dëshiri, diell me t’vërtetë!

 

Nganjëherë fshehet tinës ndër rè,

Ne mendojmë, “përtaci” – po fle! –

 

Ai na shfaqet, bobo fërkojmë sytë,

Ka sharruar n’krua,hej është mbytë!

 

Brohorisin gjethet degë mbi degë,

Dielli buzëqeshet me faqet si shegë.

 

E nis lojën kështu me tërë fëmijët,

Valëve t’krojeve – dhuratë florinjët

 

Është besnik – s’e humb durimin,

Nga vandaqet nxjerr dritë-gëzimin.

 

Mandej futet në të rejat hamullore,

I mbush qerret e arta frute diellore.

 

Dielli është kureshtar sikur fëmija,

Si kallinj grur’i rritë vargjet e mia…

 

Unë dorën me dashuri ia pehas,

Por kot, nuk mund t’i shkoj mbas!

 

E enjte, 11 mars 2021, në

Dardaninë Ilire

 

 

PRANVERA ME BAJRAK

 

Pranverë e re je nisur me bajrak,

Portave po troket me: trik – trak;

Si vogëlushe me gishta në gojë, e

Tollumbacja të iku me gjithë tojë.

 

Pranverë e re zogjët t’ngjatjetojnë,

Sqepash t’vyeshëm folet i riparojnë;

Ditëlindjen ia urojnë trëndafilit – e,

Lauresha i nis mesazhe trishtilit…

 

Pranverë e re – nusëron pranverë,

Shtatë diellna – ndezur fenerë!..

Ti që ke fytyrë nënore – të mirë,

Na mëso NEVE – si me të thirrë?

 

Pranverë e re nisur në shtegtim,

Papritur je futur në shpirtin tim…

Merrmë t’i shoh stolit paskëtaj;

Me okarina lulet kur rriten n’maj.

 

Pranverë e re amëso me bukuri,

Poeti n’çdo stinë ndjen një rini…

Gonxhesh kot i kërkoi dëshirat!

Jap thesare për ditët më t’mirat.

 

Pranverë e re qenke larë me vesë,

Kur qiellit hëna derdhën shpresë!

– Vek pa yrnek – t’endi para agimi,

Pranverë e re zemrash rritet g’zimi.

 

Pranverë e re sa je gazmendare…

Dhe brengat e jetës i harron fare,

Në mëngjes kur flakëron dielli,sa

Ëmbël ne këndojmë qeshet qielli.

 

E premte, 12 mars 2021, në

Dardaninë Ilire

 

NGJARJE E NDODHI

 

Ndodhin e ndodhin dhe ndodhin:

Rrënjët ngulitur thellë në qiell, e

Gjymtyrët mëtojnë deri në diell,

As degë përpajash nuk t’lodhin!

 

Ngjarja ndodhinë breshkë përmbi

E mbanë morr t’zi, si një dekoratë,

Kreshnik i përgjakur as pa ispatë;

Asgjë s’dëgjohet në zbraztësi, se

 

Fat e rrisk mbërthyer me shushonja

Pa kaluar kënetë, kredhur në moçal,

S’jam i zoti as të katrithem n’mal, më

Presin gojëhapur, sygjak tri ulkonja!

 

Dhëmbët i skërmisin vrer jargaviten,

Duhmë e tyre ajrin vrer ma rrallojnë,

Ngulmojnë n’mua turr t’më sulmojnë;

Me njëra-tjetrën çudi ç’po ngrafiten!

 

Ngjarjen e ndodhinë t’i bëjë kronikë?

Sizif për faqe shkëmbi mbështetem,

Para kuçedrave dilemë mos t’jepem,

S’lejoj plagë as gjakun tim pikë, pikë!

 

Me pështymë ua mbuloj tërë fytyrën,

Më mungon ogurmadhe një xixë zjarri;

Shkrep rrufeja fatit tim i ecën zari,dhe

Gjuhë e tyre n’çast e ndërron ngjyrën!

 

Tragjeditë i njoh moti nëpër bjeshkë,

Deshën ime jetë t’mbyllej me flijime!?

Në vatër t’mos kishte më lindjesime,

Ulkonjat gjetën zavall, u dogjën eshkë.

 

E premte, 12 mars 2021, në 

Dardaninë Ilire

             

DITA LIND PARA AGIMIT

 

Dita lind pa gjurmë – zbardhëllon,

Me peshqeshe e fitore vjen agimi,

Kasnecët e shiut – pa frena gëzimi;

Dita lojëra të panjohura na tregon.

 

Dita tregon rrugët – s’i kemi kaluar!

Dhuron fluroma ende t’papëlcitura,

E cyt mallin largësish të panjohura;

Dita zbulon gjole – s’kemi lundruar.

 

Ditën e presim si miken zemërmirë,

Me buzagaz dite-vjollcash stolisesh!

Në fitore t’re me mërli do të rritesh,e

Asaj bote enigmatike kristal’e dëlirë.

 

Dhe dita – gjysheloce – rrotullohet,

Ngjanë n’vjersha: xhuxhe, të gjata.

Ekuinoksi, thotë: sa dita – sa nata!-

Po gjyshja ime disi hamendësohet.

 

Dita lind domosdo para agimit,as

Nuk harbohet kalë pullali pa fre

Zogjtë cicërojnë i kadifenjti ‘i dre

Mbi brirë e bartë ditën e gëzimit.

 

Me një ëndërr endem nëpër botë,

Kur dita lind – nata – krahët i nder,

Bjeshkës ëndërrat me vete i merr.

T’nesërmen me vesë janë n’tokë!

 

E hënë, 15 mars 2021, në

Dardaninë Ilire

 

ÇUPËZA VERBËRAKE

 

Aguliçet zabelesh janë sa herake,

Kishin dëgjuar një lajm të mermët!

N’fshat jetonte një çupëz’e verbët;

E dinin drenushëzat – dythundrake.

 

Aguliçet, vjollcat, lilat dhe luletaçet,

Paksa amësonin lot t’pikëllueshme,

T’ia nisim ngjyrat të mrekullueshme,

Me motrën e vet parfum të kënaqet.

 

Cicërimë e zogjve – flatroi në erë,

Zemra e çupëzës u bë pranverë…

 

Çupëza kureshtare ka plot dëshira,

Verbërake me brengash fëmijërore,

Pas shiut ylberet shfaqen’ bregore

O mâ, pse si shoh unë ato ngjyra?

 

Bijë, n’ballin tënd ka zbritur hëna,

Ylberet po rrin mbi tuat vetulla…

Imagjinatën e ke nën sqetulla, i

Ke duar smerald-shtatë gjerdana.

 

Preke vazon lulesh kurorëbukur.

Në gisht t’është ndalë një flutur…

 

Im vëlla shpesh po më pëshpërit,

Rrezet e diellit barkavela lundrojnë,

Pse në lojë – mua – nuk më ftojnë,

Fushës s’blertë bari sa është rrit’?

 

Çupëza ime ke një anije fantazi,

– Rrush me urtësi është koka jote…

Sa bukur i njeh gjërat e kësaj bote,

Sytë tu shohin larg tej në kaltërsi…

 

Dielli ka ndërtuar luhatëse t’arta,

Ti do mbledhish lulëkuqe t’zjarrta.

 

Nëna çupëzën ngadalë e ledhaton.

– Po, bijë qershiat janë stërkuqur…

Kanisqet për ty plot janë mbushur;

Çdo fëmijë me gëzime ty sa t’don!

 

Në lojë fëmijësh do të jesh edhe ti,

I tha nëna që e mbante përdore, e

Gjezdisin me gjallëri nëpër bregore,

Ulen e pushojnë nën bredhin e ri…

 

Për një çast pranverohet përqafimi,

Çupës verbërake i kthehet shikimi!

 

E hënë, 15 mars 2021, në

Dardaninë Ilire

 

 

ÇKA ËNDËRRON ERA

 

N’ëndrrën e ëndërrave të erës, e

Takova gjëkundi larg në periferi.

Rruga m’çoi ndanë një kullumbri,

Takova parfum behar t’pranverës.

 

Sa mrekullisht – ende e pathënë,

Çka ëndërron era, shfaqa dëshirë!

Si ta pyesja m’vinte paksa v’shtirë,

Mbi shelgje më grishte tezja hënë.

 

Era defatore diçka më pëshpëriti:

“Ëndrrat e mia si din as pilivesat,

I mëshehi cicmic nëpër lakesat!”

Për një çast nga sytë m’rrëshqiti.

 

I përzgjati krahët – albatros – era,

Nga lulet e mblodhi t’rë dashurinë,

Secilës syresh ia shtoi – bukurinë.

Vetë kërkoi shtëpinë ndër ylbera.

 

Era hypën në një kodrinë të vogël,

Lisash pas ëndërrave fishkëllonte,

T’nesërmbrëma vargan i tregonte;

Me ninulla tokërrlitur sikur gogël.

 

‘E ditës e shenduar era shamatare,

– Ombrellën as që e morri me veti!

Pas shiut rrugës vend më nuk gjeti,

Me ëndrra futi kokën n’një matare!

 

E martë, 16 mars 2021, në

Dardaninë Ilire

 

BEDENI I VETMISË

 

Përtej vetmisë s’ka fshat tjetër,

As harqe urash mbi lumë t’vdekur

Mendja vete ku brenë miza hekur;

Kot pushtoi kêshtjellë më t’vjetër.

 

Kalorës m’kurajoz mbi kalë bedevi

Vetmisë së rërës gjarpron si litar, e

Prushi të ndjek prapa si një zagar…

Shikoj veten vëngër me sytë e mi!

 

Ëndërroi – oazën – e amshueshme,

Ngarenda në dete dhe në troje, e

Pelin gjerba – askund mjalt’e hoje,

Sëmbon plagën – e padurueshme!

 

Bedeni i vetmisë si s’paska fund?

Uratat po m’kthehen n’mashtrime,

Me shtrezet e bukurisë n’mallkime

Çdo dallgë shortet dot s’m’i tund.’

 

Kali vrapon – kapton në shtegtime,

Trëdafilat e mbushura çurg me lotë,

S’jam i pari t’përbirohem në botë, si

Halil Garria që flatronte për flijime!!!

 

Pas përrallave s’dua për të fjetur

Morti gjumin e ka vëlla ose motër!

Rrisk t’tillë si bukë n’sofër- Du(a)

Rimin – rrugën duhet për t’gjetur!

 

E enjte, 18 mars 2021, në 

Dardaninë Ilire

 

PËR TË NJOHURIT

(Miqtë s’gjenden as me llupë)

 

Çudi, dy guralec bashkë s’po i leni-

Duke i ndarë nga të pabërat e mia!

S’kam forcë t’iu fal, n’idilë siç jeni-

Vazhdoni sulmin,si ju ronit magjia,e

 

Unë po mirrem me art m’cyt qetësia,

Ndalnie tërbimin, or demon t’mallkuar!

Pështyj përbuzje – m’pëlqen pleqëria;

N’vetminë time të jam sa m’i rehatuar!

 

Një urti dendur përsëritet atje n’Dibër,

Thonë: “medet, ‘ipi qeni mbi sixhade!”

T’dehur mirë, merrnie lexoni ndoj’ libër;

Shekujt ndërrohen, jeta e juaj s’ka vade.

 

Më prisni n’pusi – kaptova monopatit!

Është e kot, mos iu ka lindur-“gjeniu?”

Def, ngrehni armët – pa ikur prej fatit;

Gjak hienash keni ose gjak prej njeriu?

 

E mërkurë, 22 maj 2019, në

Dardaninë Ilire

 

 

PËR VETEN… DIÇ CIRKON

 

N’asnjë mënyrë fare s’dua të mburrem,

Me misërnike jam rritur-m’duket saora…

Në tjera këmbësh ende s’dua t’thurrem,

Ninullat e nënores m’janë të arta kurora.

 

Zjarr ndeza shpirtin pa pasur djallëzinë,

Si gjithë bota pata halle plot, ore, mik! –

Për fshatin pranverova tërë dashurinë, e

Për besën e vërtetë u bëra melankolik!

 

Atit tim s’ia shpërdorova as katandinë,

Me djersët çurg shkrojta gjë me vend.

Dinsëzët m’shanin: “braktise poezinë,

T’i po këndon vetëm për shpirtin tënd!”

 

T’ndërtosh këngë, si me lugë një bunar,

Kovën e rimave e nxjerrish me mundim!

Pasioni t’fut mademesh për ndoj’thesar;

Metaforat të bëhen kallo djegin sëmbim.

 

Të “dashur” vargjet s’i kam mendjelehta,

Nuk sjellin namë – qoftë larg as tmerr, dhe

Dalin n’mejdane – janë purpur të vërteta,

Mos vrani mendjen – unë jetoj me nder…

 

E enjte, 23 maj 2019, në

Dardaninë Ilire

 

 DIMËR LUBI 1955/56

 

​- Jam dëshimtar okular, vjeç 8, kl. dytë.

 

Dimër t’hëngërt acari acarisht!

Etërit i futën lëvozhgës s’lajthisë,

Një mauzerkë u shit 25-të herë –

I 26-ti e bleu litarin-kokën’lak!!!

 

Dëborë të mallkoftë bardhësia!

Burrar zbathur fytyrat nga veriu..

Mustaqet duaj thekre rrinin lakuriq,

Çirrej udbashi Misha Stojillkoviç!!

 

Zezonë e vrerosur – çaxhëlëmerisht!

Urdhër ekzekutiv – n’sllavoserbisht:

– Donesite sva orudia, topov’i tenkovi,

– Jebem vama sve majke ballistiçke!

 

Zërat e ngjizur i nxjerrte veriu i egër:

– I kemi dorëzuar pas luftës më 1945!

– Po gnjeni, ore shiftarë të mallkuar!

Plevica e tavanet i keni plot me armë.

 

Dimri heqamë – tërbohet si shqehët!

Hafijet shqipfolës’i qen ecin sokaqesh.

Milicët iu venë pas nuhasin zagarçe-

I sogjojnë syvëngërt shtëpit dollma.

 

Dëbora nepërkë i ngjok nën këmbë!

Grumbull i fusin n’odë t’Ahmet Gegës.

Fëmijët dridhen në barqet e nënave…

Paloudbashi ziosh çirret si egërshanë.

 

Dimër, dhunë, torturë, sharje t’therta!

Fshatarët sjellin t’vjetra, t’ndryshkura;

Armë t’sulltan Abdyl Hamitit gjakatar…

– Tërbohet zemërhiena Stojillkoviç!!!

 

– Jo, jo, jo! Armë të Luftës së Dytë,që

Kur luftonit me aradhat tona partizane,

Ju ballista të “Shqipërisë së Madhe!”

Do t’thithim gjak e qumësht të çdo nëne!

 

Trimërisht jehoi zëri i Rexhep Arifit:

– Po na jemi milet i po këtij hyqmeti!

– Jo, ju s’jeni lojal t’Jugosllavisë; do

– Jo iu shpërngulim dhèut’Anadollit.

 

Dimër i egër – kallkan si ai Siberian,

Nxënësit s’mbanin mësim, këndim

Lotët e mësuesve na miklonin faqet;

Mbi banga dajaku dërrasa me emra!

 

Oxhaqet tymosnin me unat urrejtje!

Aksioni i grumbullimit të armëve,qe

I “suksesshëm” me vrasje e vrragë!

Erdhi pranvera! Pasoi verë e thatë…

 

Dielli përcëllonte – Qielli gurëkali,e

Lumi pinte ujin etshëm grykëtharë!

Sofra shtrohej vetëm 24 orë n’ditë,

Jetonin shqiptarisht plisabardhë…

 

E hënë, 18 shtator 2017, në

Vendlindje