Nga Magjistër Hasan Muzli SELIMI, Shkodër

Çdo ngjarje ka një synim. Qëllimi në vetvete i ngjarjeve kapërcen në rrugëtimin psikologjik. Breznitë marrin me vete historinë dhe e kapërcejnë nga koha në kohë duke numëruar dekadat. Misionet si pjellë e vizioneve kacafyten me konceptin brezni. Gjen shpeshherë ndodhi që vajtojnë kohën duke mallkuar e fajësuar për ndodhin edhe për sakrificën në njerëz. Harrohet qëllimi. Sakrifica përseritet. Misioni dhe misionari rrugëtimin e përbëjnë në kontratë të pashkruar. Rrugës ndodhitë shpërlajnë koncepte të vizionarit në dëm të individit. Atje në kasaphanën e modeluar renditen sukseset dhe numërohen pasojat. Koha mbështet dëshminë dhe përpiqet të mbrojë karakterin e heroit. Kudo ka karakter. Në shumë fusha të jetës ngjallet dhe vdes një hero. Ngjalljet funksionojnë. Ringjalljet edhe nuk funksionojnë. Tradita rrjedh në analet e pabesisë dhe të mohimit. Ajo ska konceptin filozofik të mohimit të mohimit. Ndalon në nihilizmin e kompromentuar. Përpiqet në smirën e vet të përjetojë funksionin e harresës. Kështu privilegji i mohimit në suazën e smirës naltësohet dhe tradita konceptualisht dergjet pareshtur. Ajo venitet edhe në odat e xhamta të burrnimit hershëm.

Formati i ndërtimit të një breznie me koncepte periodike të burimit tek zakoni sjell ngadalë, por parreshtur elemente të një kohe të re. Të një kohe që mahnit elementin pa kohë, mahnit elementin eksperiencë, mahnit elementin pa libra, gëzon elementin nihilizëm, gëzon elementin facebook, gëzon elementin smirë. Gjendja bashkon formën me përmbajtjen dhe këta dy elementë të domosdoshëm të përtëritjes udhëtojnë drejt njëzet e pesë dhjetorit. Këtu kapërcehet drejt njëzet e dy marsit e shoqëria njerëzore bashkë me familjen ngjiten në hapësirën shpirtërore. Kjo hapësirë (shpirtërorja) është e paformë dhe në formë e pakufishme. Kështu familja ka kapërcim bashkë me formën dhe ADN-në nga dekada në dekadë. E dekadat krijojnë breznitë që lidhen shpirtërisht edhe përtej kohës dhe hapësirës pa dyshim edhe në një sistem diellor tjetër.

Nga kjo që shpreha më kujton një normë cilësore të këngës së vjetër shqiptare:  “Babë e gjysh këtu i kam shti në dhé”. Me këtë varg epiko-lirik, që në shtrirjen e tij kapërcen edhe figurat më të spikatura letrare, gjejmë lidhjen fizike në kohë dhe hapësirë me atë shpirtëroren. Nis nga ky varg epik njeriu lartëson rezistencën e kujdo që dhá sadopak kontribut në të mirë të atdheut. Në familjet tona është mësuar përmendësh kënga e trimave që me vete patën edhe diturinë. Diturinë e mbrojtur me petkun e dashurisë për atdheun. Familjet shqiptare mbajtën me vete një kod që u kthye në zakon për të edukuar breznitë. U bë kjo, sepse brezi ishte historia, sepse brezi ishte trashëgimia, sepse brezi ishte e ardhmja. Në odat tona kishte orar mësimi. Kjo kudo në Shqipëri. Në cilindo shteg e shtëpi, në cilendo kullë e odë, në cilin do stan e vend pushim-freskimi. Oraret mbaheshin dhe ruheshin e respektoheshin me fanatizmin e zakonit si burim i së drejtës kohë. Aty mblidheshin. Protokolli kalonte caqet e gjithë protokolleve të kancelarive. Aty bisedohej edhe caktohej cili do flasë e çka do të trajtojë. Kënga këndohej me rregullin e protokollit. Kënga ngjallte një debat dhe mësim historie që mbahej edhe mësohej përmendësh. Aty ngjallej patriotizmi, aty ngjallej dëshira për të bërë shtetin tonë, aty ngjallej interesi për dije, aty ngjallej dëshira për të njohur burrat e mëdhenj të kohës së tyre e para saj. Në këto shkolla e në këto ngjarje u rritën djemtë shqiptarë, që në cilindo kohë i dolën zot vatanit në mënyrat e tyre. Ata dhanë jetën, ata u dënuan me vdekje në mungesë, ata u gjymtuan deri edhe psikologjikisht, ata u kënduan në këngë, ata u harruan edhe pse bënë ngjarje që s’duhet të harrohen. Jemi tek idealizmi i mirëfilltë. Kur një njeri që nuk e vë në dukje madhështinë e vet e arrin atë. Ndoshta  idealist. Kjo vjen, kur ka një qeverisje pa kontrata internacionale. Kontrata që mbartin në vetvete dëmin e të vegjëlve. Një prijës i mençur, patriot dhe i devotshëm duhet të bëjë një analizë të sintetizuar të paktën për gjakun që derdhet për atdheun. Ky gjak derdhet. Por nuk jep llogari se si derdhet. Unë e derdh gjakun, jap gjënë më të ëmbël për lirinë dhe mbrojtjen e atdheut tim. E jap në konceptin tim. E aq më shumë në vitet 39-45 të shekullit të kaluar. Në ato vite, kur shteti në Shqipëri nuk ekzistonte, në ato vite kur organizimi ishte me të drejtën e gjithësecilit për të mbrojtur trojet e veta.

Kjo ishte pak panoramë sinoptike që munda të shkruaj sot në këtë lidhje direkte me familjen shqiptare në përgjithësi dhe me familjen e Daut Halil Çakraj në veçanti. Ky emër më lidh këmbë e duar. Mbetem pa fjalë, kur unë e mendoj, mbetem pa zë e pa emër, kur mendoj të flas për të, mbetem i zhgënjyer, kur filloj të mendoj e kujtoj tregimet e të tjerve për këtë emër edhe tashi të gjallë në psikologjinë time. Gjithkund në trupin tim ka deje të atij burri, gjithkund në miligramin e gjakut tim ka sasi gjaku të atij burri, gjithkund në eshtrat e mi qëndron kryeneçe ADN-ja e Daut Halilit. Do më qeshni. Do pranoj qeshjen tuaj. Do më kritikoni edhe unë do kritikoj veten që fillova kaq vonë të bëj shënime për këtë familje. Do qesh bashkë me ju për idealizmin e atij burri dhe pasardhësve të tij. Për zemërbardhësinë e tyre, për sinqeritetin, për dashurinë e tyre që e dhanë pa kursim për cilindo njeri e sido të ketë qenë ai. Për bujarin e tyre dhe mençurinë për të zgjidhë e për të zgjedhëkohën. Për të zgjedh rrugën për kah koha e re.

Linda nga Shut Dautja. Një femër si gjithë të tjerat. Por për mua e për cilindo nëna është pasuria më e vyer. Është virtyti më i pasur, është ëmbëlsia më e paarritshme pas Zotit, është stacioni i dhimbjes dhe i dashurisë. Ajo u lind në familjen e vogël e me zë e zemër të madhe të Daut Halilit në Llugaj të Krasniqes. Po,po, lindi fëmija i fundit e si i thonë fjalës në “në djep të florinit”. Lindi nga një burrë e nga një grua që i bënin karshillëk diellit për nga drita. I bënin karshillek hanës për kah bukuria. Ngjanin me ngjyrat e ylberit. Dauti kapërcente mitet si dragoi. Eposi nuk ishte aspak ngjarje që e konkuronte edhe pse fjala e rapsodit renditej në krah të epokës. Këtu dua të tregoj një thënie të Ali Mus Lushajt: “Daja Daut ishte më shumë se yjet e Hollivudit. Ata përgatiten për aktor, trajtohen për të patur një trup të bukur. Daja ishte i lindur ashtu”. Ishte aktor i Hollivudit për nga forma e trupit. Në se atëherë, kur daja ishte në jetë do të kishte paradë bukurie për burrin me trup më të bukur, ai do të merrte vendin e parë. Unë dëgjoja Aliun dhe mendoja se si mund të ketë qenë Daut Halili. Imagjinata ime fluturonte gjithkah dhe ndalonte në Çakraj. Ndalonte në livadhet e dajës. Aty përfytyroja gjithë ngjarjet e lexuara në romanet dhe eposin, që më thoshte baba pa ndërprerë gjatë gjithë kohës. E ngacmoja Ali Lushen. Ai kishte njohje të shkëlqyer, sepse jetën më të bukur e kishte kaluar në kullën e Daut Halilit. Kullë dy katëshe me gurë të bardhë lumi, qemerin e zgjatur si strehë kullimi, mbuluar me tjergulla të kuqe, odë e madhe për shtatëdhjetë burra lirshëm, shkallët nga lindja e diellit, oborri tre dynymë, mbjellë me mana. Këtë lloj fruti e mbaj mend edhe unë, biles ka edhe tani në oborr nga kjo pemë.

Për familjen Çakraj të Llugajve të Malësisë së Gjakovës e për fëmijët e Daut Halilit ndodhi tragjedia. Kjo tragjedi pllakosi tërë atdheun. Në vitin 1939, me shtatë prill, u pushtua Shqipëria nga Fashizmi. Djemtë e Dautit tani ishin në moshën më të bukur. Të dy Bajrami edhe Osoja po rriteshin e po bëheshin çdo ditë edhe më të dukshëm. Të dy ngjasonin si arjanë. Nipa të Selim Hamzës së Gashit. Me flokë bjondë, sy jeshilë, vetulla të gështenjta, ballë të gjërë, hundë të drejtë dhe qafëgjatë, me shtat të lartë e të bëshëm. Po rriteshin dhe çdo ditë kishte ndryshim. Ata të dy këndonin bashkë me çifteli, këndonin bashkë me lahutë, kërcenin kërcimin e vendit me tupan (daulle). Me pushkë gjuanin në shenjë si me qënë qitës të ndonjë skuadre sportive të trajnuar. Thirreshin në çdo dasëm dhe në çdo darkë gëzimi. Në ngjarjet e kobshme ishin të parët për ndihmë, në shërbim edhe në ngushëllim. Kënga u nda dhe çiftelia e lahuta mbeten varur në gozhdën e odës së burrave.

Bajram Dauti u thirr ushtar dhe u mobilizua me forcë nga pushtuesi fashist. Në repartet e fashizmit në Korçë po përgatitej për një luftë me forcat Greke.  Bajram Daut Çakraj doli me leje në qytetin e Korçës. Në darkë iu foli shokëve. Po përgatitet një luftë e padrejtë. Ajo ka të bëjnë me epërsinë e fashizmit ndaj vendeve të Ballkanit. Fashizmi do të na konfliktojnë ne me Greqinë. Qëllimkeqe kjo luftë iu tha patriotëve të vet. Të gjithë po e dëgjonin me kujdes e frikë. Bajrami propozoi që të arratisen. Të gjithë njëzëri u betuan. Filloi largimi, derzertimi nga repartet fashiste. Plot dyzet burra nga Tropoja, Kukësi, Hasi e Dibra, u larguan për një orë të pranverës së dytë të vitit 1940.

Udhëtuan në këmbë me orë të tëra. Nga Korça në Pogradec, në Librazhd e në Dibër dhe deri në Kukës. Gjatë rrugës hasen në disa prita fashiste, të tradhtuar nga njerëz të paditur. Luftime sparodike në disa vende dhe munden të arrinin në Lumë natën e shtatë të arratisjes. Në Has mësuan që janë dënuar me vdekje nga fashizmi. Dyzet djemë do të pushkatoheshin po të kapeshin, sepse kishin dezertuar. Dezertuan nga një ushtri pushtuese dhe fashiste. Një togë ushtarë në shërbim të atdheut. Në treg ishte hedh një shumë e madhe për të informuar e për t’i kapur këta. Jo djemtë e dashurisë për atdheun nuk i kap dot dora e tradhtisë, kur ka dashuri për atdheun dhe për qëllimin final në ruajtje të atdheut, traditës dhe zakoneve të mira që mbartë një popull.

Në fshatin Llugaj erdhi Bajram Daut Çakraj, në atë natë të gdhirë të ditës plot shi pranvere. Ngjarjet kishin rrjedhë në anën e prurjeve të reja. Tani mendësitë kishin kaluar jehonen e këngës. Osi, vllai i tij, bashkëpunonte me forcat territorial nën komandën e udhëheqësit të rinisë antifashiste të Malësisë së Gjakovës, Jaho Sali Mulosmani.

Në fshatin Llugaj kishte kohë që vepronte fryma e Ali Brahimit të Bytyçit (Zherka). Aliu ishte nip Llugajsh dhe kishte piketuar djemtë më të mirë, trima dhe të arsyetuar dhe orientuar në përpjekje me armë. Në shtëpi rá hija e dekës. Asnjëri s’fliste. Bajrami tani i matur dhe me një arsyetim luftëtari pyeti.

-Ka diçka që nuk e di? Ju po rrini ashtu, krejt si në gjendje morti.

-Nanë, ti nuk u gëzove?

-Po të pastë nana,- ia ktheu Azize Hamzja edhe u ngrit për ta qeras me qumështin e deleve.

Tani foli gati heshturazi nana Azize.

Biri i nanës mirë se erdhe shëndoshë. Të paftë nana rriten!

Me të qeshur dhe me humorin që e karakterizonte Bajramiiu tha:

Ku të shkoj më gjatë, tani unë jam dy metër burrë. Ia kam kaluar babës pesë centim të metrit.

Rama, vllai i madh, shfryu.

Ka edhe më keq, more Bajram. Ju, ju kanë denuar me vdekje.

– Kush qenkan këta që më kanë dënuar me vdekje, o baci Ramë?

-Ja, fashistat

-Mos paç të keqe më të madhe, he burrë! Ne jemi tash kundër tyre dhe ata do të shfryjnë inatin. Po ti Oso, çfarë po bën?

-Unë jam me detyrën e forcave territoriale. Na ka udhëzuar Ali Brahimi. Burrë e trim i madh nipi ynë. Sa i mençur është more Bajram. Çka thotë në mëngjes vërtetohet në drekë.

Dialogun e prishi Daut Halili.

Mjaft me burrat e fortë. Ata e kanë projektuar të ardhmen e tyre. Ne si do ia bëjmë? Nga çasti në çast pritet ushtria fashiste të trokasin në derë.

– Edhe ne iu përgjigjemi me pushkë,- i tha Osoja i nxehur e shumë inatxhi në dialogun e luftës.

-Duhet ta pjekim e mos ta djegim,- tha Dauti me zërin e tij që i dridhej.

-Pse po flet babë si me qenë nën frikë? Nuk je ti Daut Halili që u rrite jetim prej pushkës së hasmit? A nuk je ti ai që u ndeshe me dymbëdhjetë xhandarë e fitove edhe pse të prenë në besë? A nuk je ti që more përsipër ndërmarrje që s’kishte njeri t’i merrte? A nuk je ti që i mbajte, i strehove dhe i ushqeve migrantët të dëbuar nga trojet e tyre në Plavë për vite të tëra? E tash po i frikësohesh një armiku që ka vdekur e ka mbetur pa hy në dhé.

 Sapo dialogut të nxehtë po i vjen fundi troket dera. Në dukje si në familjen e peshkatarit. Me një ndryshim. S’kishte tradhtarë të brendshëm. Derën e hapi Bajram Dauti. Në dorë mbante një kobure dhjetëshe.

U dëgjua një zë i urtë:

Hiqe atë kobure se na ftohe trupin dhe u përqafuan.

Ali Rrustemi i Gashit, foli aty:

Bajram, bëju gati dhe hajde të ikim. Kemi punë për të bërë. Osoja të njoftojnë shtabin për ardhjen tënde. E dinë ata. Duhet të mbahet sekret.

Me kaq mbaroi edhe ankthi, edhe gëzimi i familjes së Daut Halilit atë natë shiu pranvere. E thashë pak më lart. Ngjan me familjen e peshkatarit. Kur tregonin herë nana e herë daja Ramëme ngjasonte me një vepër arti të pashkruar, por skenike që në embrionin e saj. Shpesh i thoshte motra Bedrie, edhe vllai Halili,dramë me shumë akte. Nana prekej. Mendonte që këta të dy nuk donin ta dëgjonin. Ata të dy kishin të drejtë. Në kohën e tashme që po shkruaj ju jap plotësisht të drejtë. Atëherë unë isha i vogël dhe pyesja mësuesin se çfarë do të thotë dramë? Ai me shumë minuta përpiqej të më shpjegonte fjalën dramë si vepër. Kjo nuk hynë në art, i thosha si i ndrojtur. Ndoshta nga frika se mos më përfshinin edhe mua në atë vorbull intrige, meskiniteti global, që sillte vetëm fatkeqësi, sillte kob, sillte mosnjohje kontributi e sakrifice. Kjo ishte ngjarje që njerëzit e thonin në mënyrat e veta. Por krejt reale këtë ndodhi kthyer në ngjarje. Nganjëherë më dukej mitologji. Pyesja veten, bile e pyes edhe sot: Ka ndodh me të vërtetë në njerëzit e nanës time, apo në epos, kjo rrëfenjë që po dëgjoj.  

Nuk më kujtohet se si e kemi mësuar në filozofi, por morali në familjet shqiptare ka qenë dhe mbetet parimi kryesor i zhvillimit shoqëror. Për të qenë korrekt edhe për të sjellë në dritë idetë e pervetësuara në atë natë në qytetin e zejtarëve në Korçë, Bajram Dauti kërkoi nga Ali Rrustemi pikëpamjet e veta. Dua të jem i bardhë me ju, i nderuar dajë! I thërriste dajë, sepse vet Bajrami ishte nip Gashi, në familjen e Hamëz Sejdisë. Foli Ali Rrustemi dhe Oso Dauti po dëgjonte. –Këto janë edhe pikëpamjet tona, tha në ndërprerje të ligjeratës së Aliut. Këto janë fjalët e Ali Brahimit. Po Oso, këto janë. Për ne është gjithçka Shqipëria.

Më vonë kuptova që në atë kohë e në të gjitha kohët ka pasë ndasi dhe pikëpamje të ndryshme. Ajo natë kaloi me biseda. Në mëngjes Bajram Dauti dhe Ali Rrustemi kaluan lumin dhe u ngjitën brinjës së Cerrnicës për të përfunduar në detyrën e re. Detyrë që për Bajram Dautin nuk mbaroi kurrë. Ajo vetëm u nis dhe emri i tij u shënua në urën e lumit Lim në Plavë të Kelmendit. Kërkohej të luftohet për mbrojtjen e tokave tona në Veri të Shqipërisë dhe atje u inkuadrua. Luftoi si duhej dhe u vra nga forcat terroriste të Malit të Zi. Ishte muaj gusht i vitit 1941, fundi i aktivitetit luftarak patriotik, propagandistik i çështjes së atdheut për Bajram Dautin.

Ne gjithë kohën kemi menduar dhe punuar që gjaku i këtij luftëtari të mos mbetet i harruar nga breznitë. Heshtja e kohës e kapërceu si luftë e painkuadruar e paplanifikuar nga Fronti Antifashist. Në të gjitha të dhënat që janë bashkuar si provë nga bashkëluftëtarët e tij vërtetohet që Bajram Dauti ka qënë i dënuar me vdekje nga pushtuesi fashist. Bajram Dauti në luftën e Plavë-Gucisë ka qënë i inkuadruar në frontin për mbrojtjen e tokave shqiptare të cenuara nga rebelët malazezë. Nga inkuadrimi në inkuadrim ai mori pjesë në të gjitha aksionet kundër çetnikëve dhe forcave rebele, që prishnin rendin dhe kundërshtonin Luftën Nacionalçlirimtare. Mendoj të mos i rendis aksionet e tjera territoriale kundër rebelëve të brendshëm e të jashtëm gjatë kohës mes dezertimit nga ushtria fashiste e deri në inkuadrimin në luftën për mbrojtjen e tokave tona në Plavë-Guci. Mendoj të mos i rendis për faktin se janë të bollshme këto dy akte për një djalë njëzet e një vjeçar. Akte që janë kryer me ndërgjegjen e një të riu për kombin, për atdheun.

Bota po rrotullohej drejt dy fillimeve të mëdha. Këto dy fillime po e ndanin botën në kampe, që asnjëri nga liderët botërorë nuk e dinin se ku mund të përfundojnë. Duhej një fuqi mbinatyrore që të ndërpresë këtë ndarje të rëndë për njerëzit. Për njerëzit mbarëbotëror. Fillimet po merrnin me vete gjakun e shumë njerëzve që nuk do të ndriçojnë kurrë të ardhmen e mundit, sakrificës së tyre. Ato fillime lanë pa emër sakrificën e Bajram Dautit.

Mendoj, punoj dhe protestoj që mendimi im të ngjitet në të kuqtë e Flamurit. Të ngjitet në atë flamur që Bajram Dauti e mbajti nga Korça deri në Krasniqe. Atë flamur që e mbajti nga Korça deri në Plavë e Guci. E mbajti edhe pse mori dijeni për aktin sublim që është marrë kundër jetës së tij. Vetëm e vetëm që ishte i denuar me vdekje nga një forcë pushtuese ai duhej të ishte i renditur në rradhën e Dëshmorve të Atdheut.

Bajram Dauti (Çakraj) është atdhetari që nuk mendoi kurrë për të vënë në dukje madhështinë e tij. Atë madhështia e mbuloi me aktet në shërbim të Atdheut e të popujve përrreth.

__________

Në foto: Bajram Daut Çakraj (lart) dhe Hasan Muzli Selimi (poshtë).