Nga dita e mërkurë, 10 mars, Maqedonia e Veriut do të shtrëngojë masat për mbrojtje nga përhapja e koronavirusit.

Masat që pritet të miratohen nga qeveria, parashikojnë ndalimin e plotë të lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 05:00.

Këto masa janë propozuar nga Komisioni i Sëmundjeve Infektive, pas rritjes së rasteve me koronavirus në tre javët e fundit.

Ora policore do të zgjasë dy javë dhe do të vlejë edhe për fundjavat – ka theksuar Ministri I Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ai ka thënë se objektet hotelerike punojnë deri ora 21.00, vërehen grupime në këto lokale, si dhe tubime në sipërfaqe publike, nuk respektohen masat dhe për këtë shkak ka edhe rritje të infektimeve të reja dhe të shtruarve nëpër spitale.

“Klinikat Interne në Shkup janë në gatishmëri për të pranuar pacientë të rinj. Goditja ndaj spitaleve nuk është aq I madh sikurse në Nëntor dhe ky është dallimi. Vështirë është të thuhet nëse do të vazhdojë ky trend. Ka mendime të ndara në mesin e epidemiologëve. Por duhet të jemi të kujdesshëm dhe të gatshëm. Kjo do të vlejë dy javë, por padyshim se po ndjekim situatën dhe ka mundësi të ketë ndryshime” – tha Ministri Filipçe.

Filipçe tha se KSI-ja ka bërë thirrje që inspektoratet kompetente më shpesh të dalin në terren, për shkak të mosrespektimit të masave.