Çajrat bimorë nuk janë kurrsesi eksluzivitet i dimrit dhe temperaturave të ftohta.
Ato mund të pihen rregullisht edhe gjatë verës për të ofruar jo vetëm freski por edhe shëndet të mirë.
I tillë është çaji i kamomilit i cili i bën mirë trupit, mendjes dhe shpirtit jo vetëm në dimër por edhe në verë.
Ky çaj gjithmonë është rekomanduar të pihet natën për të qetësuar mendjen dhe sjellë gjumin.
Megjithatë, burimet ku AgroWeb.org bazohet thonë se ky çaj është shumë i mirë kundër stresit dhe për të forcuar imunitetin gjatë temperaturave të nxehta.
Ai ndihmon kundër migrenës, dhimbjeve të stomakut, inflamacionit dhe ul nivelin e sheqernave në gjak.
Ky çaj bimor qetëson nervat dhe është i dobishëm edhe kundër ankthit dhe stresit.
Çaji i ftohtë kamomili për freski dhe shëndet të mirë
Çajrat e ftohtë bimorë rekomandohen njëzëri nga ekspertët për të mundur vapën dhe forcuar imunitetin.
Ato jo vetëm që shuajnë etjen dhe vapën por i japin organizmit një sërë vitaminash dhe mineralesh që nuk gjenden në pijet e tjera të përpunuara.
Për përgatitjen e këtij çaji të ftohtë ju nevojiten:
2 bustina çaj kamomili ose 2 lugë çaji me kamomil të thatë.
250 ml ujë i zier.
Për ëmbëlsim të çajit mund të zgjidhni: sheqer, mjaltë, gjethe mente ose feta agrumesh.
Pasi të ketë zier uji, hiqeni çajnikun nga zjarri dhe shtoni bustinat e çajit.
Lërini në ujë për 5 deri në 10 minuta dhe më pas hiqini bustinat nga çajniku.
Hidheni lëngun në një kavanoz dhe shtoni ëmbëlsuesin e preferuar.
Kur ai të jetë ftohur mjaftueshëm, vendoseni në frigorifer.
Pas 20 minutash hidhni ca kubikë akulli në gotë, shtoni çajin e ftohur të kamomilit, pak gjethe mente nëse ju gjenden dhe shijojeni.
Çaji i ftohtë i kamomilit kombinohet shumë mirë me agrumet.
Për një shije më të freskët ju mund ta pasuroni atë me feta portokalli, limoni ose limoni jeshil.