YJE TË KOHËS SHQIPTARE

 

Ti je zë i ri i Fishtës

Kushtue gjeniut të vogël, Nikollë Valentin Prendi, (tani 9 vjeçar), njëri nga “Yjet e Kohës Shqiptare”, që dinë përmendsh e reciton bukur rreth 3.000 vargje të të madhit Gjergj Fishta.

 

Hej, ç’na zgjove prapë Fishtën në njat Dajt me pisha, lisa.
Rreze dielli, vlla me dritën përmes burrash n’ballë me plisa.
Mijëra vargje si gurë bedene na i solle si dhuratë.
Si kalorës ardhë prej Lezhe solle Fishtën fjalëshpatë.
Dhe pse s’kishe n’dorë lahutën, dhe pse s’kishe fyell në buzë.
Zgjon kreninë e na zbardh kulla, varg më varg na zgjove gurrë.

Ti je zë i ri i Fishtës je një sofër shqiptarie.
Syth i barit të rudinës, solle fllad, piskamë lirie.
Marash Ucin po na zgjoke kur në log vikat me trima.
Dora jote krah shqiponje të ban shkëmb ku xixon xixa.
Vetë zanat vijnë nga krojet, sjellin ujë kristal për buzën
Ti nderon të gjithë trojet ku gjuhëshqipja rinon kullën.
Me ty zgjohet vrik lavdia ku fjalëshqipja kërkon besë.
T’u baftë zani si shkëndija që zjarr zemrash po na ndez!


NAMIK SELMANI, Amerikë
Tiranë, 1 shtator 2019