Franca vazhdon të jetë nën masa të forta kufizuese për shkak të pandemisë. Situata ka shkaktuar shumë probleme për të rinjtë, të cilët në mungesë të një pune po vuajnë të sigurojnë nevojat bazë. Por organizata si “Linkee” po u vijnë atyre në ndihmë, falë një numri programesh që ofron ndihmë ushqimore.
Ashtu si qindra të rinj të tjerë, 21-vjeçarja Leila Ideddaim u fut në radhë për të marrë ndihmë ushqimore. Pa asnjë perspektivë punësimi, studentja përpiqet çdo ditë të përmbushë nevojat e saj bazike.
Një e katërta e profesionistëve të rinj francezë nuk mund të gjejnë punë dhe shumë studentë qëndrojnë në radhë për ushqim apo marrin ndihmë psikologjike.
Planet e 21 vjeçares Ideddaim, e cila studion për menaxhim në fushën e shërbimeve, ndryshuan plotësisht për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Vitin e kaluar, ajo u zhvendos në Paris nga jugperëndimi i Francës dhe nuk mundi të kryejë praktikën sikurse ishte planifikuar, për shkak se restorantet u mbyllën.
Por falë një organizate me bazë në Paris si “Linkee”, që grumbullon ushqime të papërdorura për të mos i çuar dëm, ajo po siguron ndihmë ushqimore.
“Është një lehtësim që kam mundësi të ha më mirë dhe jo makarona apo ushqim të lirë çdo ditë. Natyrisht që kam fatura të tjera për të paguar përfshirë qiranë, sigurimin shëndetësor e transportin. Por ushqimi gjithashtu kushton dhe është një pjesë e rëndësishme e jetës”, thotë studentja.
Çdo muaj, Ideddaim, duhet të paguajë rreth 970 dollarë për strehimin, transportin dhe faturat e shërbimeve. Kohët e fundit ajo ka nisur praktikën në një kamp 45 kilometra në lindje të Parisit. Ajo fiton rreth 360 dollarë në muaj dhe kohë pas kohe punon në një qendër tregtare. Ajo thotë se aktualisht i ka shpenzuar pothuajse të gjitha kursimet e saj.
“Çdo muaj shënoj shpenzimet fikse. Llogaris sa fitoj dhe sa më kanë mbetur dhe ku mund ta shtrëngoj rripin, tek ushqimet për shembull, pasi kam fatura për të paguar“, thotë ajo.
Me vetëm tre javë mësim në auditor që nga shtatori dhe si një e sapoardhur në qytet, ajo e ndjen veten të privuar nga lidhjet shoqërore tejet të rëndësishme për të ndërtuar jetën.
Organizata Linkee, që siguron ushqim të freskët, produkte higjienike e maska për studentët në nevojë është ndeshur me një rritje të kërkesës në muajt e fundit. Rreth 500 studentë marrin ushqime çdo natë.
“Kjo do të thotë që sonte do të shpërndahet rreth 3 tonë ushqime. Nuk e di nëse e kuptoni, por kjo është nje sasi e madhe. Dhe kjo është arsyeja pse shumë prej nesh janë këtu, përfshirë shumë vullnetarë, shumë prej të cilëve janë studentë, të cilët gjithashtu do të largohen me çantën e tyre sonte“, thotë Julien Meimon, president i organizatës “Linkee”.
Aktualisht Franca ndodhet nën masa të rrepta kufizuese që fillojnë në orën 18:00 pasdite. Restorantet dhe pikat turistike që zakonisht ndihmojnë në nxitjen e ekonomisë, vazhdojnë të jenë të mbyllura.
Qeveria po bën përpjekje për të ndihmuar duke ofruar një shpërblim prej rreth 9,700 dollarësh për ato kompani që punësojnë të rinj.
Duke filluar nga ky muaj universitetet do të lejojnë studentët të kthehen në klasa një ditë në javë, për t’i ndihmuar ata të rifitojnë disi ndjesinë e jetës normale.