Shefi i Politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe komisionari për zgjerim, Olivér Várhelyi, thanë të hënën se presin formimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës dhe përfshirjen e saj në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në një deklaratë të përbashkët, të dy zyrtarët e lartë të BE-së thanë se presin më padurim “formimin e përbërjes së re të parlamentit e qeverisë së re si dhe zgjedhjen e një presidenti të ri të Kosovës”.

Ata thanë se Bashkimi Evropian pret që institucionet e reja ta shfrytëzojnë mundësinë për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Rruga evropiane e Kosovës gjithashtu kalon përmes normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë dhe Bashkimi Evropian pret që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim të vazhdimit të takimeve në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga BE-ja dhe të shfrytëzojnë mundësinë që është para tyre për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thuhet në deklaratë.

EU looks forward to formation of new Assembly, government &election of new President following #Kosovoelections. We will continue to support Kosovo in achieving progress on European path. Requires reforms+expect new authorities to engage constructively in EU-facilitated Dialogue https://t.co/xWbQdAIyuf

— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) February 15, 2021

Në njoftim po ashtu thuhet se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të angazhohet me autoritetet, me synimin për të mbështetur Kosovën në arritjen e përparimit të prekshëm në rrugën e saj evropiane. “Kjo do të kërkojë që Kosova të përparojë në reforma sipas marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe Agjendës Evropiane të Reformave, si dhe në bashkëpunimin rajonal”.

Kosova mbajti të dielën zgjedhjet e parakohshme parlamentare në të cilat lëvizja Vetëvendosje doli fituese. Kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, tha se bisedimet me Serbinë nuk janë përparësi. “Prioriteti ynë është drejtësia dhe punësimi”, tha ai të dielën mbrëma.