Shkruan: dr. Flamur Shala

Qytetarët janë pjesëmarrësit kryesorë të festës në Ditën e Pavarësisë sonë. Ata meritojnë shumë më shumë se një fushatë zgjedhore në kohë përvjetori.
Duhet të festojmë me dinjitet. Një popull i vuajtur që fiton lirinë nuk mbetet kurrë pa dinjitet. Dalja nga një gjendje okupimi ka ditë e data të shënuara me mund e sakrificë sublime.
Pavarësia është festa jonë e ditëpërditshme, e të gjithëve, kurdo e kudo. Është liria jonë e fituar.
Ai brez që e fiton lirinë ka dhe një detyrë: lirinë e fituar ta bëjë liri të shijuar për brezin që pason.
Liri të shijuar nuk do të ketë pa demokraci të zhvilluar. Zhvillimin e bën shteti funksional. Për të dyja na duhet investim politik dhe shtetëror.
Shpeshherë investimi politik partiak ka çuar ujë në mulli të “partizimit të demokracisë”. Interpretimi partiak i demokracisë e kthen këtë të fundit në “demokraci të partizuar”.
Departizimi i domosdoshëm i demokracisë është kusht i domosdoshëm i demokracisë së zhvilluar.
Demokracia nuk ka dalë prej sjelljeve të shumicës. Demokracia është prodhimi më i mirë historik i zhvillimit shoqëror me premisa intelektuale.
Sjellja e shumicës nuk do të kishte kuptim pa rregulla bazuar në ligje, nga aty ku buron ajo, demokracia.

Zbatimi i ligjeve është shpirti i demokracisë, është “festa jonë” e përditshme që respekton Ditën e Pavarësisë.