Gjermania po planifikon të shpenzojë gati 9 miliardë euro këtë vit për të ndihmuar në blerjen e deri në 635.1 milionë vaksinave anti-covid për shtetasit e saj dhe vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian, sipas një dokumenti të ministrisë së Financave, shkruan Reuters.
Vonesat në shpërndarjen e vaksinave relativisht të ngadalta të BE-së dhe shqetësimi për variantet e reja të koronavirusit po e bëjnë më të vështirë për qeveritë evropiane të lehtësojnë kufizimet aktuale të pandemisë. Problemet kanë çuar në disa tensione midis Brukselit dhe Berlinit.
Zëvendësministrja e Financave Bettina Hagedorn u propozoi ligjvënësve në një letër që ata të miratojnë një kërkesë nga Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn për 6.22 miliardë euro shtesë për të blerë më shumë doza, sipas dokumentit.
Kjo vjen mbi shumën prej 2.66 miliardë eurove të parashikuara tashmë në buxhetin e vitit 2021.
Sipas Reuters, dhoma e ulët e Bundestag në Parlament pritet të miratojë shpenzimet shtesë të mërkurën.
Ministria e Shëndetësisë do të përdorë një fond total prej 8.89 miliardë euro për të blerë deri në 635.1 milionë doza, si pjesë e planeve të përbashkëta të prokurimit të Bashkimit Europian dhe skemës kombëtare të Berlinit, thuhet në dokument.
Të gjithë vendet anëtare të BE kanë rënë dakord të prokurojnë vaksina sipas planit të bllokut.
“Për qeverinë federale, marrja e vaksinave anti-Covid është e një rëndësie themelore për të vënë nën kontroll pandeminë,” shkruan Hagedorn në letrën drejtuar ligjbërësve./Reuters