Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic, deklaroi se është e rëndësishme për Serbinë që presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nuk ka dëshirë të imponojë qëndrimet apo pikëpamjet e tij për Kosovën.

“Sa i përket Francës, ajo e ka njohur Kosovën, por presidenti Macron ka dëshirë të dëgjojë edhe palën serbe, gjë që zakonisht nuk është rast me shumë vende që kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçic në një konferencë për media nga Pallati i Serbisë, pas një mbledhjeje të Qeverisë serbe, ku ai mori pjesë.

Vuçiç u takua me presidentin francez, Macron në Paris më 1 shkurt, ku siç njoftoi më herët, diskutuan për zgjidhjet e mundshme për Kosovën, integrimin evropian të Serbisë dhe bashkëpunimin midis dy vendeve në fushën ekonomike.

Pas takimit, presidenti i Francës tha se në negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit janë të rëndësishme, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje, për të cilën do të pajtohen të dyja palët.

Pas mbledhjes së qeverisë, Vuçic tha se nuk duhet që qytetarëve t’u jepen shpresa të rreme për pozicionin e Serbisë lidhur me çështjen e Kosovës dhe “të pretendohet se gjërat janë të mrekullueshme në Kosovë”.

“Nuk janë dhe nuk do të jenë. Ai që thotë (kështu) gënjen”, tha Vuçic.

“Ne duhet të luftojmë për njerëzit tanë në Kosovë dhe t’i gënjejmë njerëzit se gjërat janë të thjeshta – unë me të vërtetë nuk mund ta bëj atë”, por “unë do të përpiqem të mos ia kthej në arkivol asnjë nëne djalin e saj”.

Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, zhvillojnë bisedime që nga viti 2011. Dialogu është thënë se ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve.

Presidenti serb, Vuçic dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti takimin e fundit e kanë pasur në korrik të vitit 2020. BE-ja, si ndërmjetësuese e këtij procesi, ka thënë se raunde të reja të bisedimeve nuk do të ketë, deri pasi në Kosovë të dalin institucionet e reja nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që janë caktuar të mbahen më 14 shkurt. /REL