Pas pёrfundimit tё emisionit tё mbrёmshёm, “Edicioni i analizёs” (Klan Kosova), ku unё mora pjesё, rrugёs pёr nё shtёpi, njё mik i imi mё dёrgoi njё mesazh ku mё shkruante: Dardan Islami tё akuzoi si proserb, kur tё pyeti: “A po tё vjen inati qё Trampi ja shtini Serbisё dy kamtё nё njё kёpucё?” Mesazhi i mikut tim mbyllej me fjalёt “Pse nuk reagove”?
E vёrteta ёshtё se unё nuk i kam dёgjuar fare kёto fjalё, pasi nё momentin e debatit me mua, z.Dardan Islami (kandidat pёr deputet i AAK-sё) mё shumё po bёnte zhurmuesin, se sa po ofronte argumente. Gjithsesi, nё vend tё pёrgjigjes, zotit Dardan po i tregoj njё histori tё shkurtёr, e cila ka ndodhur para 30 vjetёve:
Nё shtator tё vitit 1991, Bashkimi Sovjetik ishte vendi mikpritёs i Konferencёs pёr Siguri e Bashkёpunim nё Europё (KSBE) qё aktualisht njihet si OSBE. Atёkohё, unё isha diplomat nё Moskё. Shqipёria ishte ndёr anёtarёt mё tё rinj tё Konferencёs, ndёrsa Kosova vuante nёn thundrёn serbe. Pёr tё shfrytёzuar mundёsinё qё ofronte ky aktivitet, duke mbledhur njё numёr kaq tё madh vendesh, diplomatёsh, gazetarёsh, etj., nga Prishtina kishin ardhur dy burra tё nderuar, tё cilёt kishin sjellё me vete materiale e tё dhёna tё shumta, nё anglisht, qё dёshmonin dhunёn dhe terrorin e egёr shtetёror qё ushtronte Beogradi kundёr shqiptarёve. Misioni i tyre ishte qё kёto tё dhёna t’i bёnin sa mё tё njohura midis pjesёmarrёsve dhe, mundёsisht, tё organizonin njё konferencё shtypi me gazetarёt e pranishёm aty. Po si tё bёhej kjo punё? Ata as nuk i lejonin tё futeshin nё mjediset e Konferencёs. Atёherё, unё mora njё vendim, pa u konsultuar fare me delegacionin tonё zyrtar (pёr tё shmangur ҫdo implikim tё shtetit shqiptar, nё rast se zbulohesha) – do tё shfrytёzoja momentin e pushimit pёr kafe dhe tё gjitha materialet e ardhura nga Kosova do t’i shpёrndaja nё tavolinat e delegacioneve zyrtare, pёrfshirё atё tё Jugosllavisё dhe tё organizatorit – Bashkimi Sovjetik. Dhe kёshtu veprova. Sapo rifilluan punimet, fjalёn e mori pёrfaqёsuesi i delegacionit jugosllav, i cili protestoi pёr “incidentin” e papritur dhe kёrkoi shpjegime nga organizatori se si u gjendёn kёto materiale nё tavolinat e delegacioneve zyrtare.
Nё rast se do tё zbulohej se autori i kёtij “incidenti” isha unё, ishte e sigurtё se do tё shpallesha “persona non grata” dhe do tё kёrkohej largimi im i menjёhershёm nga Moska, pa pёrjashtuar mundёsinё e ndёshkimit tim edhe nga Ministria e Punёve tё Jashtme tё Shqipёrisё, pёr veprimin e kryer, pa u konsultuar me njeri pёr kёtё ҫёshtje. Por unё e kisha marrё parasysh ҫdo pasojё, pёr hir tё Kosovёs dhe ҫёshtjes sё saj tё drejtё. Pata fat dhe nuk u zbulova. Nё fund tё punimeve, arrita qё tё organizoj edhe njё konferencё tё pёrfaqёsuesve tё Kosovёs me disa nga gazetarёt e pranishёm aty.
Njёri nga dy burrat e nderuar kosovarё, qё erdhi me mision nё Moskё, nё atё moment tё vёshtirё, ishte babai i Dardanit, Nehat Islami. Tjetri, dr. Avdyl Krasniqi. Qё atёherё, e kam ruajtur miqёsinё me ta. Pёr vёrtetёsinё e kёsaj historie, Dardani mund t’i pyesё ata.
Sa vёshtirё ёshtё tё jesh djalё i njё babe tё mirё!