Komisioni Europian ka publikuar kontratën me prodhuesin e vaksinave anti-covid, kompaninë AstraZeneca.

Kjo lëvizje erdhi pas thirrjes që bëri Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila kërkoi publikimin e kontratës së vaksinave.

Në një intervistë për një radio gjermane, Ursula von der Leyen tha se kjo kontratë e nënshkruar në muajin Gusht përmbante urdhra të detyrueshme dhe kërkon shpjegime të arsyeshme përse po ndodhin vonesat.

Pjesë të konsiderueshme të kësaj kontrate janë mbuluar për të ruajtur sekretin e informacioneve sensitive. Pjesët që janë mbajtur sekret kanë të bëjnë me datat, kostot dhe pronësinë.

Sipas kontratës së nënshkruar mes BE dhe AstraZeneca, do të priteshin 300 milionë doza vaksinash me një mundësi për 100 milionë të tjera.

Por nga Bashkimi Europian thonë se tani presin të marrin vetëm ¼ e 100 milionë dozave deri në muajin Mars, pra një mungesë prej 75 milionë dozash, raporton BBC.

Vetë kompania deklaron se vonesat janë shkaktuar për shkak të problemeve me prodhimin e vaksinave në fabrikat e saj në Holandë dhe Belgjikë.

Shefi ekzekutiv i AstraZeneca thotë se në kontratë përcaktohet që kompania do të bëjë të pamundurën që të përmbushë kërkesën e BE-së, por nuk ka një detyrim kohor specifik.

Bashkimi Europian është nën presion pas kritikave se ritmi i shpërndarjes së vaksinave në disa vende ka qenë shumë i ngadaltë.