Tranzicioni paqësor i pushtetit presidencial në ShBA ndodhi. Mbas një viti, 2020, të trazuar nga pandemia, kriza ekonomike e sociale, nga fushata e polarizuar dhe shumë e tensionuar elektorale presidenciale, nga kontestimet insistuese kundër rezultatit të zgjedhjeve dhe ngjarja tronditëse e 6 janarit 2021, ShBA duket se po rikthehen sërish në shtratin e tyre të ndërtuar me aq mund e sakrifica, luftra e përpjekje, humbje e fitore. U duk për pak kohë se errësira po mbulonte shkëlqimin e demokracisë më të madhe dhe më të konsoliduar në botë. U krijua për pak momente makthi i përmbysjes së vlerave për të cilat Amerika qëndron dhe mbarë bota e admiron. U trondit për pak caste kryevepra e njerëzimit, endrra Amerikane nga fuqi demone brënda dhe jashtë saj. Por, më së fundi, si me magji, qielli Amerikan u hap sërish dhe ngjyrat kuq e blu të flamurit fluturuan e qartësuan dhe ngjyra gjithcka me besim, shpresë dhe optimizëm. Amerika zgjodhi liderin që do e udhëheq atë dhe mbarë botën…”jo me shëmbullin e fuqisë, por me fuqinë e shëmbullit”.

Demokracia dhe uniteti

Në cdo element të ditës inaugurale të Presidentit Joe Biden, që nga protokolli, fjalimet, ngjyrat, dekoracioni, muzika, atmosfera ndjehej motivi përshkues I binomit të pandarë: demokracia dhe uniteti. Në mënyrë të vecantë në fjalimin emblematik, plot ide dhe humanitet, që do mbahet mënd në historinë Amerikane, krahas atyre të Xhorxh Uashingtonit, Abraham Linkolnit, Dr. Luter Kingut tejshkuesja ‘demokraci dhe unitet’ mbeti e skalitur në mëndjen e gjithë atyre që e dëgjuan.
Perse ky mesazh binom dominoi gjithcka? Për arsye se pikërisht ky binom u kërcënua më shumë nga zhvillimet politike në Amerikë gjatë gjithë vitit 2020, u përkësua akoma më shumë gjatë fushatës elektorale dhe arriti kulmin me tentativën goditëse të 6 janarit mbi Kapitol Hill. Po të hedhim sytë mbi gjithë zhvillimet e vitit 2020 në Amerikë, mund të konstatojmë se goditjet më të mëdha i pësuan demokracia dhe uniteti. Ish presidenti Trump, sidomos përgjatë vitit 2020 përkeqësoi rëndë parametrat e demokracisë, të lirisë së shprehjes e të medias, të lirisë të protestave dhe të demonstrative, të lirisë së diversitetit të individëve, komuniteteve, racave, religjioneve, kategorive sociale dhe ekonomike.
Cënimet e vlerave demokratike, të nxitura nga sjellja, qëndrimet dhe veprimet e ish Presidenti Trump sollën krisje të mëdha në shoqërinë Amerikane, cënuan unitetin duke ngjallur përcarje, provokuan bashkëekzistencën duke krijuar polarizimin politik, rrënuan kohezionin social duke thelluar pabariznë sociale dhe ekonomike në vënd. Viti 2020 nën drejtimin e ish Presidentit Trump tregoi qartësisht se cënimi i demokracisë shpie pashmangësisht në cënimin e unitetit të popullit, në gërryerjen e themeleve të shoqërisë, dukuri këto që mbështeten nga populli Amerikan në masë të gjërë.
“Kjo është dita e demokracisë”, theksoi Presidenti Biden. ”Kjo kërkon gjënë më të vështirë për t’u arritrë në demokraci: Unitetin. Unitetin”. Kohët e fundit dëshmuan sërish se demokracia është precize. Demokracia është delikate. Por, ama demokracia zotëroi mbi gjithcka në Amerikë. Uniteti në demokraci mbetet sfidë për t’u arritur cdo ditë, përballë cdo sfide, përballë cdo zgjidhje. Kjo ka të bëjë jo vetëm me preferencat pro apo kundër ish Presidentit Trump apo Presidentit Biden, por parasëgjithash me vështirësitë për të menagjuar balancën e pushteteve në Dhomën e Përfaqësuesve me diferencë në pakët dhe në Senat gjysëm përgjysëm. Cdo ligj do të ketë nevojë për politikën e mesit, të balancës, të ekulibrit, të kompromisit dhe të konsesusit. Por, ka gjithnjë incentive politike që bëhen pengesë për presidentin për të realizuar plotësimin e këtyre gjërave. Përfshirja dhe jo perjashtimi e sjellin këtë frymë uniteti në diversitet. Pranimi i dështimit dhe jo kundërshtimi krijojnë mjedisin e pranueshmërisë me bazë të gjërë.
Historia e demokracisë Amerikane ka dëshmuar se nga Lufta Civile, Depresioni i Madh, Luftrat Botërore, lufta nisur nga 11 Shtatori kundër terrorizmit se përmes luftës e sakrificave e mira gjithnjë ka triumfuar. Në të gjithë këto momente kruziale shumica e Amerikanë janë bashkuar në unitet. Aktualiteti këtë kërkon përpara Amerikanevë përsëri. ”Historia, besimi dhe asryeja tregojnë rrugën e unitetit…theksoi Presidenti Biden. Ne mund ta shohim njëri-tjetrin jo si kundërshtarë, por si fqinjë. Ne mund të trajtojmë njëri-tjetrin me dinjitet dhe respekt. Ne mund të bashkojmë forcat, të ndalojmë goditjet dhe të ulim temperaturat. Pa unitet nuk ka paqe-vetëm idhtësi dhe përflakje. Ska progress-vetëm prishje të mjedisit. Nuk ka komb- por vetëm gjëndje kaosi”. Historia Amerikane nuk varet nga individët, nga një njeri apo nga disa njerëz, parasëgjithash varet nga gjithë populli që e bën më përfekt unionin. “Sjelljen e Amerikës së bashku, bashkimin e popullit, bashkimin e popullit. Dhe unë i kërkoj cdo Amerikani të më bashkohet mua në këtë kauzë”.
Bashkimi është mënyra më e mirë për të luftuar nervozizmin, indinjatën, urrejtjen, ekstremizmin, mungesën e ligjit, dhunën, sëmundjet, papunësinë, mungesën e shpresës. Përmes unitetit mund të bëhen gjëra të mëdha dhe të rëndësishme për punësim, arsim, shëndetsi, drejtësinë raciale, duke e bërë Amerikën sërish forcë udhëheqëse në mbarë botën. Dhe vetëm bashkimi është shtegu i kalimit përpara. Nëse bashkimi realizohet athere dështimi perjashtohet. Amerika kurrë, kurrë, kurrë nuk do njohë dështim.

Premtimet virusi, klima, kujdesi shëndetsorë, emigracioni

“Nuk ka kohë më të mirë se sot për të filluar”, kështu deklaroi Biden pak caste përpara firmosjes së pesëmbëdhjetë urdhërave ekzekutivë. Janë të gjithë pjesë integrale e premtimeve elektorave të tij. Këto vendime përfshijnë urdhëra ekzekutivë dhe veprimet e dy agjensive për të rikthyer një numër të madh të politikave të ish Presidentit Trump lidhur me pandeminë, me mjedisin, me politikat anti-emigrative, drejtësinë raciale, diversitetin dhe kompensimet ekonomike.
Konkretisht këto urdhëra janë: mbajtja e maskave për 100 ditë; për rikthimin e ShBA në OBSh; shtyrja moratoruimeve per përzënien deri në 31 mars; shtyrja e cështjes së pagesave të borxheve të studentëve; instrumenti për ribashkimin sërish me Marrëveshjen e Parisit për Ndryshimet Klimaterike; vendimi për evitimin e racizimit sistemik dhe barrierave për mundësi në programet dhe institucionet federale; vendimi për regjistrimin e emigrantëve pa dokumenta; memorandimi për mbrojtjen dhe konsolidimin e veprimit për Programin e Arritjes së Fëmijëve; vendimi për heqjen e ndalimit të hyrjes në ShBA nga vëndet me shumicë muslimane; vendimi për heqjen e detyrimeve të ashpra ekstreme të Trump kundër emigracionit; deklarimi për ndalimin e vijimit të ndërtimit të murit midis ShBA dhe Meksikës dhe kalimin e fondeve diku tjetër; memorandumi për shtyrjen e lejimit të Liberianëve që janë prej kohësh në ShBA që të qëndrojnë; vendimin për drejtimin e qeverisë për interpretimin e Aktit për të Drejtat Civile për ndalimin e diskriminimit mbi baza të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, krahas racës, ngjyrës, besimit, origjinës seksuale dhe nacionale; vendimi për rregullat etike të zyrtarëve të qeverisë; dhe vendimin për ndryshimin e procesit rregullave të urdhërave ekzekutiv. Presidenti Biden pritet që të firmosë edhe urdhëra ekzekutiv të tjerë lidhur me Cividod-19 dhe lehtësimet ekonomike si dhe të tjerë lidhur me drejtësinë racore etj.
Sic shihet Presidenti Biden filloi menjëherë me mbajtjen e premtimeve që ka bërë përpara popullit Amerikan, duke filluar nga ato më emergjentet dhe afat shkrurtër, sic është adresimi i Pandemisë dhe emergjencave ekonomike e deri te cështjet me rëndësi globale si Marrëveshja e Parisit për Ndryshimet Klimaterike, e më tutje tek ato afatmesme e më tutje. Bie në sy në këto vendime që shumica synojnë të kthjenë normalitetin në vënd dhe në cështje ndërkombëtare. Gjithashtu, bien ë sy se një pjesë e vendimeve ekzekutive synojnë që t’i shërbejnë forcimit të unitetit politik, racor, fetar Amerikan dhe kohezionit social dhe ekonomik në vënd. “Mosmarrëveshjet nuk duhet të na shpien në përcarje-theksoi Biden në fjalimin inaugural. Unë do jem president i gjithë Amerikanëve. Dhe unë premtoj se do të luftoj shumë për ato që nuk më kanë mbështetur mua sikundër edhe për ato që më kanë mbështetur”…”Objektivat tona të përbashkëta-vijoi Biden- janë: mundësia, siguria, liria, dinjiteti, respekti, nderi dhe e vërteta”.

Amerika në botë

Një nga fushat ku ish Presidenti Trump ka lënë kaos dhe pasiguri sikundër edhe paqartësi për vëndin dhe rolin e ShBA janë politika e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ShBA janë investuar jashtëzakonisht shumë për paqen, sigurinë, stabilitetin, zhvillimin dhe demokracinë anë e mbanë botës. Përgjatë Luftës së Ftohtë, ShBA u përballën me ekzistencën dhe rrezikuin e regjimit komunist ndërkombëtar, që kërcënoi seriozisht paqen, lirinë e demokracinë në botë, duke u ndërfutur thellë deri në Amerikën latine dhe Karaibe. Në fund të shekullit të kaluar, nga kjo përballje e Luftës së Ftohtë triumfoi demokracia liberale me ShBA në krye. Sistemi komunist Sovietik kolapsoi. U hap rruga për demokraci, liri e të drejta njeriu, ekonomi tregu dhe integrime Europiane dhe Euro-Atlantike në mbarë Evropën. Kjo përballje dhe ky triumf global rriti shumë imazhin pozitiv të ShBA në botë, mbështetjen globale ndaj tyre dhe dominimin mbi qeverisjen botërore.

Këto arritje u vunë në pikpyetje, u tronditën dhe një pjesë u rrezikuan seriozisht përgjatë katër viteve të ish Presidentit Trump. Vëmendja e tij rrëshqiti më shumë drejt regjimeve autoritarsite, totalitare sic janë Rusia, Korea e Veriut, Arabia Saudite dhe la pas dore, nënvleftësoi dhe në jo pak raste injoroi shtetet me sisteme demokracie liberale dhe lidershipet e tyre. Krisja më e madhe erdhi nga tërheqja e ShBA nga Marrveshja e Parisit për Ndryshimet Klimaterike, tërheqja nga Marrëveshja Nukleare me Iranin, zhvendosja e ambasadës së ShBA në Jeruzalem dhe shumë qëndrime që kthyen përmbys politikën afro një shekullore të ShBA në botë. Imazhi i ShBA në botë u trondit. Reputacioni i lidershipit Amerikan ra së tepërmi. Mbështetja për ShBA u lëkund, madje edhe nga vetë demokracitë e konsoliduara në botë.

Rikthimi I normalitetit të vëndit e rolit të ShBA në botë do jetë sfidë e madhe për Presidentin Biden. Kjo, sepse ShBA nuk janë më sic kanë qënë, por edhe bota nuk është më sic ka qënë katër vite më parë. Fuqitë e mëdha, qofshin aleatë apo kundërshtarë të ShBA kanë ndryshuar së tepërmi. Bashkimi Evropian ka humbur Britaninë e Madhe. Kina po progreson në hegjemonizmin e saj. Rusia po rikonfiguron gjithnjë e më shumë gjeopolitikën e saj midis tradicionalizmit dhe ambicjeve të reja. Regjimet kërcënuese si Irani, Koreja e Veriut ose ato Amerikano Latine si Venezuela e Kuba vijojnë të rreshtuara në zingjirin anti demokracive liberale me ShBA në krye. Lindja e Mesme dhe Lindja e Largme lëvizin në trajektoret e tyre. Mesdheu e Ballkani vijojnë të përballen me tranzicione të tejzgjatura: vëndet e Magrebit për stabilizimin post Pranverës Arabe dhe vëndet e Ballkanit Perëndimor për integrimin në BE dhe NATO.

Rendi botëror është midis dilemave të paparshikueshme. Ekuacioni ndërkombëtar është më shumë variabla dhe me shumë dinamika. Të gjitha në një mënyrë apo tjetër, në një masë apo tjetër presin qëndrimet dhe veprimet e ShBA. ShBA janë investuar shumë në botë. Ndaj bota nuk mund të heqë dorë lehtë nga ShBA. Bota dhe ShBA, në gjithë kontraversitetin e tyre, janë një simbiozë që nuk mund të c’bëhet.

Vetë Presidenti Biden është investuar mbi 50 vjet në politikën e jashtme të ShBA. Si senator, drejtues i komisionit të punëve të jashtme të Kongresit, zëvendës President, Biden ka qënë në krye të punëve të politikës së jashtme të ShBA në momente krizash dhe qetësie, në caste fitoresh e humbjesh, në situata lavdie dhe rënie dhe periudha lidershipi dhe lëkundjesh globale. Por, rikthimi Biden si President në Shtëpinë e Bardhe vjen në një konjukturë shumë të ndryshuar. Aq e ndryshuar është situata ndërkombëtare, saqë cdo përpjekje për të rikthyer normalitetin e përpara katër vitesh është gati-gati utopike. Kjo e bën sfidë rithimin e Amerikës në krye të punëve botërore.

Mesazhi i Biden për botën është: “Amerika u testua dhe doli më e fortë. Ne do t’i riparojmë aleancat tona dhe do të angazhohemi sërish në punët botërore…Dhe ne do të udhëheqim jo më shëmbullin e fuqisë tonë, por me fuqinë e shëmbullit tonë”. E thënë ndryshe, Amerika do rikthehet në botë me sundimit e vlerave, parimeve e normave të modelit të sistemit të saj dhe jo me sundimin e forcës, shantazhit dhe imponimit të saj. Janë vlerat, parimet, normat dhe tërësia e modelit Amerikan që do e rithejnë sërish Amerikën në krye të lidershipit botëror dhe të rendit të ri në ndërtim e sipër.

“Ne-konkludoi Presidenti Biden në fjalimin inaugural- përballuam një goditje mbi demokracinë dhe të vërtetën, një virus në rritje, një mungesë të drejtësisë, të përkeqësimit të racizmit, të klimës në krizë. Secila është sfidë e mjaftueshme për ne. Por, është fakt që po përballemi me të gjitha njëherësh, duke e përballur këtë komb me një prej përgjegjësive më të mëdha që ka pasur ndonjëherë. Ne do të testohemi. Do të qëndrojmë? Të gjithë?…Unë ju premtoj: Ne do të gjykohemi, ju dhe unë, nga mënyra sesi do të zgjidhim këtë kaskadë krizash të kohës tonë…Kjo Amerikë siguroi lirinë brënda saj dhe qëndroi si fanar në botë”.