Ballina Ravijëzime Pesë ide të shkëlqyera si të përdorni uthullën e mollës për lulet...

Pesë ide të shkëlqyera si të përdorni uthullën e mollës për lulet në shtëpi

 

Përdorimet dhe përfitimet e uthullës së mollës janë të panumërta.

Falë vlerave shëndetësore, uthulla e mollës është bërë pjesë e pandashme e kuzhinës.

Ajo është efikase jo vetëm për lëkurën dhe flokët por edhe për shtëpinë dhe kopshtin.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni më shumë se si të shfrytëzoni të mirat e uthullës së mollës në kopshtin tuaj.

Uthulla për fertilizim

Uthulla mund të përdoret për fertilizimin dhe mirëmbajtjen e bimëve.

Duke qenë se ajo ka përmbajtje të lartë aciditeti, rekomandohet që të përdoret tek bimët që lulëzojnë më mirë në ambient me aciditet të lartë siç janë boronica apo gardenia.

Në një bidon 30 litrash hidhni 300 ml uthull molle dhe pjesën tjetër mbusheni me ujë.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, uthulla duhet tretur në shumë ujë që të mos të dëmtojë bimët.

Hidheni tretësirën në pjesën e rrënjëve duke përdorur një shishe spërkatëse.

Kujdesuni që tretësira të mos prekë pjesën e sipërme të bimës por vetëm atë të nëndheshme.

Për fertilizim duhet të përdorni uthull të pafiltruar.

Kundër mizave të frutave

Ju mund t’i mbroni frutat e kopshtit duke krijuar një solucion me uthull molle dhe sheqer.

Përzieni në një enë një gjysëm gote me uthull molle, çerek filxhan çaji me sheqer një gotë me ujë.

Tretësirën hidheni në disa kanaçe të prera në gjysmë të lidhura me njëra tjetrën në një tel të hollë.

Varini ato në pemët frutore dhe mizat do të bien në kurth.

Pastrimi i mjeteve të kopshtarisë

Shumë prej mjeteve të përdorura në kopshtari ndryshken shpejt, ndaj ju mund të përdorni uthullën e mollës për t’i pastruar ato.

Mjafton t’i spërkasni zonat e ndryshkura me uthull molle dhe t’i lini për disa minuta e më pas ndryshku zhduket.

Nëse ato janë shumë të ndryshkura atëherë duhet t’i fusni në një enë të madhe e të thellë të mbushur me ujë e uthull molle.

Insektet Dhe Kafshët E Rrugës

Kafshët e rrugës dhe insektet e urrejnë erën e uthullës dhe rrjedhimisht do të qëndrojnë larg kopshtit tuaj.

Përdorni lecka të vjetra të kuzhinës, lagini mirë me uthull dhe vendosini në zona strategjike të kopshtit.

Përsëriteni këtë pas një jave.

Për insektet duhet të përdorni një tretësirë me ujë dhe uthull. Për një gotë me uthull molle duhet të shtoni 3 gota të tjera me ujë dhe një lugë çaji me sapun të lëngshëm.

Hidheni tretësirën në një shishe spërkatëse dhe përdoreni kundër insekteve.

Pastrimi i vazove prej gëlqereje

Përzieni në një legen katër gota me ujë dhe një gotë me uthull dhe futeni vazon e ndotur. Fërkojeni mirë dhe më pas vendoseni në një legen me ujë të pastër.

Vazoja do të jetë si e re.