Lady Gaga do të këndojë himnin kombëtar ditën e inaugurimin të Presidentit të 46-të të SHBA Joe Biden, më 20 janar. Ndërsa në krahun perëndimor të Kapitolit, Jennifer Lopez do të japë një shfaqje muzikore.

Lajmi për pjesëmarrjen e tyre vjen një ditë pas njoftimeve se Tom Hanks do të drejtojë një program special televiziv 90 minutësh me rastin e inaugurimit të zotit Biden, në fashën orare televizive me nivelin më të lartë të shikueshmërisë. Atij pritet t’i bashkohen emra të njohur të muzikës amerikane sikurse Justin Timberlake, Jon Bon Jovi, Demi Lovato dhe Ant Clemons.

Lutjet në ceremoninë e betimit të presidentit të ri do të drejtohen nga kleriku Leo O’Donovan, ish-president i Universitetit Georgetown, ndërsa betimi për besnikëri ndaj flamurit e kombit, do të drejtohet nga Andrea Hall, një zjarrfikës nga Xhorxhia.

Gjatë inaugurimit do të lexohen poezi nga Amanda Gorman, fituesja e garës së parë mes të rinjve në rang kombëtar në poezi. Bekimi presidentit të ri do t’i jepet nga kleriku Silvester Beaman i Kishës Episkopale Metodiste Afrikane e të Bethelit që ndodhet në Uilmington të Dellauerit.