Ballina Bota Pompeo anulon vizitën në Europë

Pompeo anulon vizitën në Europë

 

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka anuluar udhëtimin dy-ditor në Evropë.

Njoftimi është bërë nga ana e Departamentit të Shtetit. Ky mund të kishte qenë udhëtimi i fundit diplomatik i nivelit të lartë nga ana e administratës së presidentit në largim të SHBA-së, Donald Trump. Pompeo kishte planifikuar të vizitojë Brukselin dhe Luksemburgun.

Sipas njoftimit, anulimi është bërë për të ndihmuar “një proces tranzicioni të qetë dhe të rregullt” në administratën e ardhshme presidenciale. Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, do të marrë detyrën më 20 janar. Anulimi erdhi mes përpjekjeve për të dëbuar Trumpin nga zyra për shkak të sulmit të dhunshëm ndaj Kongresit të SHBA-së të kryer nga mbështetësit e tij më 6 janar.

Iniciativatt e drejtuara nga demokratët ndaj presidentit republikan, përfshijnë një rezolutë që do të votohet nga Dhoma e Përfaqësuesve më 12 janar ku i bëhet thirrje zëvendëspresidentit, Mike Pence, të heqë Trumpin nga detyra për rolin e tij në dhunën vdekjeprurëse, dhe një masë e veçantë që parasheh shkarkimin e Trumpit nga ana e Kongresit, nëse Pence nuk i nënshtrohen kërkesës.

Pompeo pritej të takohej me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dhe udhëheqësit belgë dhe të zhvillojë një vizitë të shkurtër në Luksemburg.

Vetë Pompeo u vu nën kritika pasi në mesin e polemikave mbi humbjen e Trumpit në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit ai tha se presidenti do të shërbente edhe për një mandat të dytë.

Pompeo ka dënuar dhunën e kryer nga mbështetësit e Trumpit në Kongres, ku mbetën të vdekur pesë persona. Protestuesit e dhunshëm pro-Trump hyn në Kongres në kohën kur po certifikohej rezultati i fitores së Bidenit.