Në një kohë të largët, në ditët kur miu ishte berber, gomari bartte porositë dhe breshkat piqnin bukët, ishte një mal i madh i quajtur Kaf Daği në kufi të mbretërisë shpirtërore, nga ku u shpërndanë shumë përralla dhe mite të Lindjes së Mesme.
Sot, Kaf Daği mendohet të jetë diku në vargmalin e Kaukazit që ndan Detin e Zi nga Kaspiku. Në këtë vend magjik – i njohur gjithashtu si “Jabal Qaf” në arabisht dhe “Kuh-e Qaf” në persisht – princat janë mallkuar nga shtrigat, të cilat i kthejnë në drerë; vajzat e bukura lindin nga portokajtë; dhe sulltanët, oborrtarët, skllevërit dhe fermerët janë në mëshirën e zanave dhe demonëve që popullojnë vendin e zanave turke.
Përrallat gojore të fushës së Anadollit janë përzierje e jashtëzakonshme e motiveve dhe traditave të tregimit, duke u frymëzuar nga “Njëmijë e një net” dhe vëllezërit Grimm, si dhe nga tregimet kurde, persiane, sllave, hebreje dhe rumune.
Ignatuis Kunos, një turkolog hungarez, i cili ishte një nga akademikët e parë që mblodhi dhe shkroi disa prej tyre në vitet ‘80, krahasoi thesaret e folklorit turk me “gurët e çmuar që qëndrojnë të lënë pas dore në rrugët e filologjisë për shkak të mungesës së mbledhësve për t’i hulumtuar”.
Ai shqetësohej se lëvizja e vazhdueshme e modernizimit – veçanërisht hekurudhat – do të gërryejnë trashëgiminë kulturore të Anadollit. Për fat të mirë, për më shumë se një shekull, tradita gojore e përrallave ka mbijetuar, dhe një projekt akademik gjigant i quajtur “Masal” ka për synim të mbledhë dhe indeksojë 10 mijë tregime si formë e ruajtjes së tyre për brezat e ardhshëm.
Njerëz nga shoqëria civile si dhe akademikë të universiteteve prej departamenteve të letërsisë në gjithë Turqinë mund të ngarkojnë përralla në ueb-faqen e projektit “Masal”. Materialet e dërguara do të kalojnë në tri faza shqyrtimi nga studiues dhe redaktor gjuhësh. Projekti financohet nga Qendra Kulturore “Atatürk” dhe është ndërmarrja e parë e këtij lloji në Turqi.
Tregimet do të ndahen bazuar se nga cili prej shtatë regjioneve janë dhe në cilën nga pesë kategoritë bëjnë pjesë: përralla me kafshë, magji apo të jashtëzakonshme, përralla realiste dhe humoristike. Përrallat e “Zincirlemelit” ndjekin një formulë të rreptë, pothuajse si një poezi, në të cilën personazhet dhe ngjarjet në fillim dhe në fund formojnë imazhe pasqyre.
Shpesh ekzistojnë disa variante të ndryshme të një historie, që kërkon referencë të përpiktë për të kuptuar se si një përrallë mund të ndryshojë me kalimin e kohës nga një rajon në tjetrin: ekzistojnë rreth 20 versione të ndryshme të “Tın Tın Kabacık”, për dy vajza të vogla të braktisura nga babai i tyre, vetëm në provincën e Muğlas. Shumë histori dhe poezi gjatë viteve janë kthyer në turqisht nga versionet origjinale kurde, laze, armene dhe çerkeze.
Nëse një përrallë e ngarkuar miratohet, ajo bëhet pjesë e databazës në ueb-faqen “Masal”, e cila gradualisht do të jetë në dispozicion të publikut. Më shumë se 3 mijë e 300 përralla janë mbledhur nga 77 zona të ndryshme deri më sot, dhe drejtuesit e projektit shpresojnë që përmbledhja të përfundojë deri në shkurt të vitit 2022.
Motive të tilla si qilima magjikë, kafshë dhe zogj që kanë dhuntinë që të flasin dhe pasqyra me magji, molla dhe shega, jehojnë në të gjithë kanunin. Personazhet e guximshme që sfidojnë dragonjtë dhe gjigantët e Kaf Daği ose i mbijetojnë një udhëtimi nëpër shkretëtirë, shpërblehen me propozime martese në kopshte të bukura dhe zogu-fenik si “Zumrutu Anka” ose “Simurgh” e të ngjashëm janë gjithmonë në afër për të ndihmuar një hero kur është i zënë ngushtë.
Përrallat mund të jenë gjithashtu edhe të shëmtuara. Shërbëtorët e zinj dhe shtrigat e moshuara pothuajse gjithmonë paraqiten si njerëz të ligë. Pashallarët kanë vrarë gratë e tyre të pafajshme dhe armiqtë copëtohen nga kuajt e egër; një harabel vjen për t’i thënë një gruaje të re se vdekja është fati i saj.
Përrallat turke gjithashtu morën një dimension të rëndësishëm politik gjatë ditëve të para të republikës, kur themeluesi i Turqisë moderne, Mustafa Kamal Atatürk, përpiqej të fuste atë që kishte mbetur nga Perandoria Osmane në botën moderne. Kultura popullore u refuzua si e prapambetur dhe studiuesit turq si Pertev Naili Boratav, i cili ishte pionier i studimit të përrallave popullore, u bënë një shënjestër e nacionalistëve turq në vitet 1940 për theksimin e larmisë etnike në vend përmes punës e tij.
“Përpikëria e Boratavit dhe intelektualizmi publik i guximshëm më frymëzuan”, ka thënë autori Kaya Genç, libri i të cilit “Luani dhe Bilbili” kryqëzon Turqinë moderne në një ekzaminim të “shpirtit kontradiktor të kombit turk”.
“Në përrallat popullore, heronjtë janë kryesisht të huaj që vuajnë dhunën e autokratëve të fuqishëm; për politikanët, toni i tyre sfidues është i rrezikshëm”, ka thënë ai.
Mehmet Naci Onal, një pedagog në departamentin e gjuhës dhe letërsisë turke në Universitetin “Muğla Sıtkı Koçman”, që është i cili shërben si studiues në projektin “Masal”, shpreson që akademikë, shkrimtarë dhe artistë do të jenë në gjendje që të përfshijnë një databazën e projektit rrëfime për gjeneratat që vijnë.
“Përrallat na mësojnë se si të mendojmë. Të përdorim arsyen, të jemi të durueshëm, të ëndërrojmë, të tejkalojmë vështirësitë, të mos frikësohemi, të mos ngecim kur hasim në vështirësi, të jemi njerëz të mirë, të luftojmë kundër të keqes, të tregojmë të vërtetën, të vëmë re gënjeshtrat dhe mashtrimet, të rezistojmë dhe të dëgjojmë. Këto vlera janë vlera universale për njerëzit: kohët ndryshojnë, njerëzit nuk ndryshojnë”. /Koha/