Bashkimi Evropian tha se ka siguruar edhe 300 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit të prodhuar nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech, gjë që do t’i mundësojë bllokut që të ketë pothuajse gjysmën e dozave që këto dy kompani kanë planifikuar që të prodhojnë për këtë vit.
“Tani ne jemi pajtuar me kompanitë BioNTech dhe Pfizer që ta zgjerojmë këtë kontratë. Me marrëveshjen e re, ne mund të marrin në total edhe 300 milionë doza të vaksinës”, tha Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian, gjatë një konference për media në Bruksel.
Në nëntor, vendet e bllokut kishin arritur marrëveshjen e parë për blerjen e vaksinave nga kompania amerikane Pfizer dhe ajo gjermane, BioNTech dhe tashmë ka nisur edhe administrimi i vaksinave.
Von der Leyen tha se edhe 75 milionë doza shtesë do të vijnë në BE në çerekun e dytë të vitit, ndërkaq pjesa tjetër e dërgesës do të arrijë në fund të vitit.
Vendimi për blerjen e dozave shtesë pritet të zbusë kritikat se Komisioni Evropian nuk ka bërë mjaftueshëm sa i përket sigurimit të vaksinave për vendet e bllokut.
BE-ja deri më tani ka arritur gjashtë marrëveshje për rreth dy miliardë doza të vaksinës me kompanitë: Moderna, AstraZeneca, Sanofi-GSK, Janssen Pharmaceutica NV, Pfizer/BioNTech dhe CureVac.
Por prej tyre, vetëm vaksinat e Pfizer/BioNTech të Modernas janë miratuar për përdorim nga Agjencia Evropiane për Barna. Kjo agjenci tha se edhe vaksina e AstraZenaca mund të miratohet për përdorim deri në fund të këtij muaji.
Von der Leyen tha se BE-ja tani ka kapacitet të vaksinojë 380 milionë njerëz – më shumë se 80 për qind të popullatës së bllokut.
BE-ja i ka premtuar edhe shteteve të Ballkanit Perëndimor se do t’i ndihmojë sa i përket sigurimit të vaksinave.
Pfizer, që ka thënë se mund të prodhojë gjatë këtij viti 1,3 miliard doza për mbarë botën, ka qenë më i kujdesshëm, duke njoftuar se totali prej 500 milionë dozave do t’i dorëzohen BE-së deri në fund të këtij viti dhe 100 milionë doza potenciale, po ashtu mund t’i jepen bllokut.
“Ne jemi në bisedime me Komisionin Evropian rreth një ndryshimi në marrëveshjen tonë ekzistuese”, tha Pfizer përmes një deklarate.
Pfizer po ashtu ka marrëveshje për shitjen e 600 milionë dozave të vaksinës Shteteve të Bashkuara, ku tashmë 200 milionë doza janë dërguar. Po ashtu, gjatë këtij viti, Japonia pritet të marrë nga kjo kompani 120 milionë doza, ndërkaq Britania ka marrëveshje për marrjen e 40 milionë dozave të vaksinës.
Marrëveshja e re me BE-në me gjasë do të bëjë që kompanitë Pfizer dhe BioNTech të rrisin kapacitetin e prodhimit të vaksinave për këtë vit.
Më 4 janar, Gjermania njoftoi se është pajtuar me BioNTechun që të sigurojë edhe 30 milionë doza – një lëvizje kjo që është në kundërshtim me marrëveshjet që ka arritur BE-ja, ku ndalohet që shtetet e bllokut të arrijnë marrëveshje paralele me kompanitë farmaceutike.
“Asnjë shtet anëtar nuk lejohet që të negociojë në mënyrë paralele apo të arrijë marrëveshje paralele”, tha von der Leyen.
Dozat e vaksinës që blihen nga BE-ja ndahen te shtetet e bllokut në proporcion me popullatën që ata kanë.
Programet e vaksinimit në shtetet anëtare të bllokut tashmë kanë nisur, por është kritikuar se kjo gjë është vonuar. Faji për vonesën është adresuar te Komisioni Evropian, ku kritikët kanë argumentuar se ky trup i BE-së dështoi që të shpërndajë me kohë dozat e vaksinës në vendet e bllokut./ REL