Ballina Aktualitet Ashpërsohen masat kundër variantit të ri të koronavirusit

Ashpërsohen masat kundër variantit të ri të koronavirusit

 

Greqia do të izolojë në karantinë të gjithë shtetasit nga vendet e BE

Qarkullimi i varianteve të reja të koronavirusit që përhapen më shpejt ka detyruar shumë vende të botës të ashpërsojnë masat e hyrjes së të huajve. OBSH njoftoi se 22 vende europiane kanë konstatuar praninë e mutacionit të ri.

Greqia ka rikthyer në fuqi masat që u lehtësuan për festat e fundvitit. Masat e reja, që do të qëndrojnë në fuqi deri më 21 Janar, parashikojnë kryerjen e testit të shpejtë dhe izolim 7 ditor në karantinë për të gjithë personat që hyjnë nga vendet e Bashkimit Europian. Shtetasit nga Britania e Madhe do të kryejnë një test të dytë në përfundim të karantinës në Greqi. Mediat greke shkruajnë se të gjitha fluturimet nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për në Greqi do të kryen vetëm nëpërmjet aeroportit ndërkombëtar të Athinës.

Sakaq autoritetet franceze njoftuan zgjatjen për një periudhë të pacaktuar të rregullit për kufijtë e mbyllur me Britaninë e Madhe për të frenuar hyrjen e bartësve të variantit të ri të koronavirusit. Vazhdojnë të jenë të ndaluara udhëtimet që nuk janë të domosdoshme, ndërsa të tjerët u nënshtrohen testeve të shpejta.

Edhe Australia ushtron kontrolle me teste të shpejta për të gjithë personat që hyjnë në vend. Ndërsa nga 7 deri më 21 Janar, Izraeli do të qëndrojë në karantinën e tretë kombëtare.