Pandemia do të jetë kryefjala e Presidencës portugeze, e cila zyrtarisht në 1 Janar mori kryesimin e Këshillit të Bashkimit Europian për 6 muajt e ardhshëm.
Në krye te axhendës do të jetë kordinimi i paketës së ndihmës, si dhe sfidat shëndetësore që paraqet COVID-19, përfshi edhe shpërndarjen e vaksinave.
“Deutsche Welle” shkruan se kryesimi e gjen më të lehtësuar Portugalinë, për shkak se nën kyesimin e Presidencës gjermane në Bruksel kaloi buxheti i BE-së.
Ndaj dhe fokusi i shtetit të vogël në cepin më perëndimor të Europës, do të përqëndrohet tek përgatitja e unionit për të përballuar më mirë krizat.
E në këtë aspekt edhe Portugalia, shkruan “Deutsche Welle”, ka nevojë urgjente për pjesën e saj në paketën 750 miliardëshe të ndihmës, ashtu si vendet e tjera.
Për shkak të rritjes së papunësisë me rreth 9% dhe borxhit publik me 131% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, rreth 26 miliardë Euro do të shkojnë për kufizimin e dëmeve të pandemisë dhe rimëkëmbjen e ekonomisë në Portugali.
Por pandemia nuk është e vetmja sfidë gjatë Presidencës së Portugalisë. Në planin e saj bën pjesë edhe promovimi si dhe rimëkëmbja gjithëpërfshirëse në Europë përmes transformimit klimatik dhe dixhital.
Sa i përket politikës së jashtme, Brexit, zgjerimi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregjet e reja me Indinë shihen si pjesë e planit ambicioz të Portugalisë.
Një axhendë e ripërtërirë me administratën e ardhshme të Presidentit të zgjedhur në SHBA, Joe Biden, si dhe forcimi i marrëdhënieve me Afrikën dhe Amerikën Latine janë disa nga prioritetet e Presidencës portugeze.
Sa i përket zgjerimit të Ballkanit Pereëndimor, nuk dihet nëse në Presidencën e Portugalisë do të mbetemi sërish në vendnumëro, pasi sikundër u shpreh një ditë më parë edhe ministri gjerman për Europën, Michael Roth, lënia jashtë e vendeve të rajonit do të përdoret nga forca të tjera që nuk ndajnë të njëjta vlera demokratike me vendet e BE-së.