Prindërit tani do të kenë një arsye më tepër t’u rezistojnë lutjeve të fëmijëve për embëlsira. Të martën qeveria amerikane nxori udhëzimet e para për dietën e foshnjeve dhe fëmijëve të moshës parashkollore, ku rekomandon ushqimin me gji për gjashtë muajt e parë të jetës, pa shtuar ushqime të tjera dhe shmangien e sheqerit në ushqimet për fëmijët nën dy vjeç.
“Nuk është kurrë herët për të filluar së mbari. Duhet që çdo kafshatë të ketë vlerë,” thotë Barbara Schneeman, dietologe në Universitetin e Kalifornisë në Dejvis.
Udhëzimet nuk përfshijnë një rekomandim të bërë nga shkencëtarët, të cilët thanë në korrik se të gjithë, të vegjël e të rritur, duhet të kufizojnë sheqerin në 6% të kalorive totale që konsumon njeriu dhe se meshkujt duhet të kufizojnë konsumin e alkoolit në një pije alkoolike në ditë.
Këto rekomandime nuk përfshihen në udhëzimet e qeverisë për dietën. Mbeten në fuqi rekomandimet e mëparshme për të kufizuar konsumin e sheqerit në më pak se 10% të kalorive të konsumuara në ditë pas moshës 2 vjeç. Rekomandohet gjithashtu që burrat të mos i kalojnë dy pije në ditë, një sasi dy herë më e lartë se ajo që rekomandohet për gratë.
“Nuk mendoj se kemi mbaruar punë me alkoolin. Duhet të mësojmë më shumë,” thotë zonja Schneeman, e cila kryesoi komisionin që ofroi këshilla për qeverinë.
Udhëzimet për dietën nxirren çdo pesë vjet nga Departamenti i Bujqësisë dhe Departamenti i Shëndetësisë. Qeveria i përdor këto udhëzime për të përcaktuar standardet për ushqimin në mencat e shkollave dhe programe të tjera.
Foshnjet, të vegjlit dhe nënat
Foshnjet duhet të ushqehen vetëm me gji deri kur mbushin gjashtë muaj, sipas udhëzimeve. Nëse nëna nuk ka qumësht të mjaftueshëm, foshnja duhet të ushqehet me formulë që përmban hekur shtesë. Foshnjet duhet të marrin sasi shtesë vitamine D pak kohë pas lindjes.
Pasi mbushin 6 muaj foshnjeve u shtohet ushqim tjetër, përfshirë ushqim që mund të shkaktojë alergji.
“Duke u dhënë foshnjeve ushqime që përmbajnë pak kikirik gjatë vitit të parë të jetës ulet rreziku që fëmija të krijojë alergji nga kikiriku më vonë në jetë,” thuhet në udhëzime.
Krahasuar me udhëzimet e mëparshme këtë radhë ofrohen hollësi shtesë për gratë shtatzëna dhe nënat që ushqejnë fëmijët me gji. Për të ndihmuar zhvillimin e trurit tek foshnja, nënat duhet të hanë 200-350g peshk në javë, ndër të cilët merluc, salmon, sardele apo tilapia që kanë nivele më të ulëta mërkuri, i cili mund të shkaktojë dëme tek sistemi nervor i foshnjes.
Gratë shtatzëna nuk duhet të pinë alkool, ndërsa nënat që e kanë foshnjen në gji duhet të tregohen të kujdesshme, sipas udhëzimeve. Kafeina në sasi të vogla nuk duket se paraqet problem.
Rreziku i Alkoolit për Meshkujt
Në korrik, shkencëtarët që këshilluan qeverinë rekomanduan që burrat të kufizohen në një pije alkoolike në ditë, si për shembull një kanaçe birre, një gotë verë ose një putir pije me ngjyrë. Por në udhëzimet e nxjerra të martën, qeveria nuk i merr në konsideratë këto rekomandime, por sugjeron që konsumi i alkoolit të mos kalojë dy pije në ditë.
Dr. Westley Clark i Universitetit Santa Clara thotë se është e qartë që pija e tepruar është e dëmshme, por nuk është e qartë se kur konsumi i moderuar i alkoolit fillon të bëhet i rrezikshëm.
Udhëzime që rekomandojnë konsum më të ulët alkooli për burrat mund të jenë të papranueshme në aspektin social, fetar dhe kulturor për shumë veta, thotë Dr. Clark, i cili shqetësohet se kjo mund të ketë ndikim negativ mbi udhëzimet në përgjithësi.
“Udhëzimet duhet të jenë të pranueshme, përndryshe do të flaken përnjëherësh dhe atëherë do të shkaktojmë problem më të madh. Nëse nuk ke mbështetjen e publikut, udhëzimet nuk kanë asnjë vlerë”.
Duhet bërë më shumë punë studimore për të parë se në çfarë mase konsumi i moderuar i alkoolit fillon të bëhet i rrezikshëm, thotë ai.
Si ta Mbushësh Pjatën
Pjesa më e madhe e amerikanëve nuk ndjekin këshillat për dietën, gjë që ka çuar në ritme të larta obeziteti, probleme kardiake dhe diabet. Ekspertët këshillojnë që ta mbushim pjatën me zarzavate dhe të reduktojmë sa më shumë ëmbëlsirat apo ushqimet me yndyrë shtazore ose kripë.
Ekspertët inkurajojnë ndryshime të vogla, por të vlefshme, si për shembull ujë të gazuar në vend të një kanaçeje me pije freskuese.
Lexo Etiketën!
Sheqeri gjendet me shumicë në embëlsira, pije freskuese, karamele, kafe apo çaj që kanë në vetvete fare pak ose aspak vlera ushqyese. Ekspertët rekomandojnë që konsumatori të lexojë me kujdes etiketën e paketave ushqimore për të zgjedhur produktet me më shumë vlera ushqyese dhe sa më pak yndyrë, sheqer apo kripë.