Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, shpërndau një mesazh shprese dhe shërimi për vitin e ri, për qindra miliona njerëz në gjithë botën, jeta e të cilëve është rrënuar nga pandemia e COVID-19 në vitin 2020.

Sekretari Guterres nuk e fshehu trishtimin e për vështirësitë e krijuara nga kjo pandemi, e cila, thotë ai, ka rrënuar jetën e miliona njerëzve, duke e zhytur botën në vuajtje dhe pikëllim.

Ai e përshkruan vitin 2020 si një vit sprovash, tragjedish dhe lotësh, një vit që vazhdon të shkretojë dhe të shkaktojë viktima të reja ndërsa COVID-19 po zgjerohet. Pandemia, tha ai, ka rritur në shkallë të reja varfërinë, pabarazinë dhe urinë.

“Por viti i ri ndodhet para nesh”, tha ai. “Me të, ne shohim rrezet e shpresës: njerëzit që u japin një dorë ndihme fqinjëve dhe të huajve. Punëtorët e vijës së parë duke dhënë gjithçka. Shkencëtarët që zhvillojnë vaksina në kohë rekord. Vendet që marrin angazhime të reja për të parandaluar katastrofën klimatike”.

Zoti Guterres tha se ndryshimi i klimës dhe pandemia janë kriza që nuk kapërcehen lehtë. Duhet punë e madhe, sipas tij, përkushtim dhe mbi të gjitha një gatishmëri e të gjithë njerëzve për të punuar së bashku për të njëjtin qëllim.

“Nëse punojmë të bashkuar dhe me solidaritet, rrezet e shpresës mund të shtrohen në gjithë botën. Ky është mësimi i këtij viti të vështirë. Së bashku, le të bëjmë paqe mes nesh dhe me natyrën, të trajtojmë krizën e klimës, të ndalojmë përhapjen e COVID-19 dhe ta bëjmë vitin 2021 një vit shërimi”.

Zoti Guterres tha se viti 2021 mund të jetë një vit i tejkalimit të ndarjeve që u përkeqësuan nga infeksioni vdekjeprurës dhe ekonomitë e rrënuara, nëse njerëzit punojnë së bashku. Ai tha se përkushtimi më i mirë për vitin 2021 është shërimi i planetit.