Agjencia Evropiane e Hapësirës, ESA ka nënshkruar një kontratë me vlerë 102 milionë dollarë me një kompani zvicerane për të sjellë në tokë një pjesë të madhe të mbetjeve hapësinore. Sonda e prodhuar nga kompania ClearSpace SA, do të mbledhë një pjesë të mbetjeve të raketave hapësinore, duke i kthyer ato në tokë.
Ekspertët kanë paralajmëruar prej kohësh se qindra mijëra mbetje hapësinore që rrethojnë planetin, përfshirë pasqyrën e humbur të një astronauti, përbëjnë një kërcënim për punën e satelitëve dhe Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës.
Mbetjet e krijuara në dekadat e fundit në orbitën e Tokës paraqesin një kërcënim për fluturimet hapësinore dhe satelitët në të cilët mbështetemi për parashikimin e motit, udhëtimet ajrore dhe komunikimet globale.
“Ne kemi afërsisht më shumë se një milion copa mbetjesh, copëza më të vogla me diametër rreth një centimetër, që fluturojnë rreth Tokës. Ky është një problem shumë i veçantë në hapësirë, e cila tani është pjesë e infrastrukturës sonë që duhet ta mbajmë të pastër“, tha në një diskutim drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Evropiane të Hapësirës, Jan Woerner.
Ekspertët paralajmërojnë se problemi mund të përkeqësohet pasi kompanitë private si SpaceX, Google dhe OneWeb me bazë në Arlington të Virxhinias pritet të dërgojnë një mori satelitësh të rinj në hapësirë në vitet e ardhshme.
Kjo mund të shkaktojë një kaskadë përplasjesh gjithnjë në rritje që do të rezultonte në atë që quhet sindromi Kessler, që mori emrin e një shkencëtari të NASA-s, i cili paralajmëroi katër dekada më parë se orbita e afërt e Tokës mund të bëhet e papërdorshme për brezat e ardhshëm.
“Ka njerëz si Elon Musk-u që dëshirojnë të lëshojnë mijëra satelitë në orbitë si pjesë e një konstelacioni më të madh. Kështu që për një kohë të shkurtër, numri i satelitëve në orbitë mund të shumëfishohet, dhe ne duhet të gjejmë mënyra dhe mjete për të trajtuar këtë çështje“, thotë drejtori i operacioneve të Agjencisë Evropiane të Hapësirës, Rolf Densing.
Agjencia Evropiane e Hapësirës thotë se në bazë të marrëveshjes, kompania zvicerane ClearSpace SA do të kryejë “misionin e parë aktiv të heqjes së mbeturinave” në vitin 2025.
Objekti i parë që do të hiqet nga orbita e Tokës do të jetë Vespa, një raketë që u përdor për të dërguar në hapësirë një satelit në vitin 2013. Ajo peshon rreth 112 kilogramë.
Presidenti i kompanisë ClearSpace SA, Luc Piguet thotë se ata shpresojnë të zgjerojnë operacionet në të ardhmen, duke përfshirë heqjen e shumë objekteve në të njëjtën kohë nga orbita e Tokës, dhe furnizimet me karburant në hapësirë.
“Tani ka më shumë se 5,000 objekte jo-funksionale në orbitë, të cilat duhet të pastrohen ose kanë nevojë për mirëmbajtje. Dhe çdo vit kësaj liste i shtohen 74 objekte të reja. Pra, ne duhet të ulim koston e shërbimeve tona në orbitë dhe duhet të fillojmë të merremi me pastrimin ose mirëmbajtjen e të gjitha këtyre aseteve në të ardhmen, duke përfshirë konstelacionet që sot janë në proces të nisjes në hapësirë“, tha drejtuesi i kompanisë zviceriane.