Ballina Aktualitet BE, shpërndahen sasitë e para të vaksinave

BE, shpërndahen sasitë e para të vaksinave

 

Sasitë e para të vaksinave për koronavirusin kanë mbërritur tashmë nëpër vendet e Bashkimit Evropian dhe autoritetet po përgatiten të bëjnë imunizimet e para tek njerëzit më të ekspozuar duke filluar nga e diela.

Vaksinat e krijuara nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech u shpërndanë me kamionë nëpër depo të premten dhe të shtunën herët. Ato u dërguan nga një qendër prodhimi në Belgjikë përpara Krishtlindjeve.

Shpërndarja e vaksinave shënon një moment shprese për një kontinent që përfshin disa nga vendet më të prekura të botës, si Italia dhe Spanja, apo të tjera si Republika Çeke, të cilat e shmangën valën e parë, por që përhapja e virusit në vjeshtë i vuri sistemet e tyre shëndetësore përballë një prove të rëndë.

Sasitë e para, megjithatë, janë të kufizuara në vetëm 10,000 doza maksimum për shumicën e vendeve. Vaksinimi masiv pritet të fillojë në janar.

Secili vend do të vendosë vetë se kush do të marrë vaksinat e para, por të gjithë po u japin përparësi personave më të ekspozuar ndaj virusit.

Të marra së bashku, të 27 vendet anëtare të BE-së kanë patur deri tani të paktën 16 milion raste me koronavirus dhe më shumë se 336,000 vdekje.