Pasi tejkaloi 2 milionë raste të koronavirusit të ri (COVID-19), Kalifornia është bërë shteti më i prekur nga pandemia në SHBA, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas Universitetit John Hopkins me qendër në SHBA, Kalifornia deri më tani ka raportuar 2.010.485 raste të konfirmuara me COVID-19 dhe 23.660 vdekje.
Dje, guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, tha se numri i pacientëve me COVID-19 dhe i pacientëve që po trajtohen në Njësitë e Kujdesit Intensiv është dyfishuar brenda 3 javëve të fundit, ndërsa shtrimet në spital janë rritur për 61 për qind.
“Mos e trajtoni shëndetin tuaj si dhuratë e dhënë. Mbani maskë. Qëndroni në shtëpi. Qëndroni të sigurt”, shkroi Newsom në twitter
Për sa i përket numrit të rasteve me COVID-19, Kalifornia ndiqet nga Teksasi (1.65 milionë raste) dhe Florida (1.25 milionë raste). Numri i vdekjeve në Teksas aktualisht është 26.406, ndërsa në Florida është 20.874.
SHBA vazhdon të jetë vendi më i prekur nga pandemia me pothuajse 18.5 milionë raste të konfirmuara dhe mbi 327 mijë vdekje. Deri më tani gati 44.5 milionë persona janë shëruar nga virusi në SHBA.
Në SHBA ka filluar vaksinimi kundër virusit pasi vaksinat e kompanive Moderna dhe Pfizer/BioNTech morën një autorizim për përdorim emergjent.