Ballina Rajoni Për një ndryshim substancial e jo artificial! – Shkruan: Florim Zeqa

Për një ndryshim substancial e jo artificial! – Shkruan: Florim Zeqa

 

Ndryshimi i pritur një kohë të gjatë në Kosovë, duhet të vjen jo si rezultat i trazirave dhe përmbysjeve si shkak i akumulimit të pakënaqësive të shumta sociale (“shpërthimi i bombës sociale”), por duhet të ndodhë si rezultat i ngritjes së vetëdijës qytetare, emancipimit politik dhe kulturor, në mënyrë të qetë dhe të civilizuar, përmes votës së lirë dhe demokratike.

Ndryshimi duhet të jetë real dhe substancial

Ndryshimi i natyrshëm duhet të ndodhë nga poshtë-lartë dhe anasjelltas, me kalimin nga filozofia e pasurimit nga shteti në filozofinë e dhënjës gjithçka për shtetin.

Ndryshimi duhet të jetë substancial dhe real, për t’i kthyer dinjitetin dhe shpresën e humbur qytetarëve të këtij vendi.

Kosova ka nevojë për një ndryshim të thellë dhe përmbajtësorë, ku qytetari e ndëshkon pushtetin kur e keqëpërdor shtetin, ndërsa shteti e ndëshkon qytetarin kur e shkelë ligjin.

Me këtë formë të ndryshimit, do të kthehej besimi i qytetarëve në institucionet shtetërore dhe do të ndalet trendi i ikjes së popullatës nga Kosova, i migrimit dhe shpërnguljes së të rinjëve drejt vendeve evro-perëndimore.

Nuk e mendoi dhe as që besoi që ndryshimi vjen me njerëz që thirren në parime, por në fund, për interesa personale i shkelin të njëjtat parime dhe përfundojnë në një formacion tjetër politik.

Nuk është punë aq e thjeshtë kur disa politikan thirren në emrin e popullit, pa e pasur mbrapa as çerekun e popullit! Gjëja më e vështirë e një politikani të sinqertë dhe të përgjegjshëm është mbajtja e premtimit dhe mbrojtja e parimeve duke u thirrur në emrin e popullit.

Nuk kemi nevojë për sundimtar të rinje, por për qeveritar të mirë dhe të përgjegjshëm, që interesin e qytetarit e vëjnë në plan të parë, që ruajnë dhe zhvillojnë marrëdhënjet me SHBA-të, aleatin numër 1 të shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës në veçanti.

Kosovës i duhet një fiilim i ri politik, me figura të reja dhe të padjallëzuara politike

I kaluam dy dekada në shtetin e lirë dhe 13 vite në shtetin e pavarur duke pritur dhe duke iu besuar premtimeve të politikanëve mashtrues, duke na premtuar zhvillim ekonomik dhe hapje të shumë vendeve të punës, shëndetësi dhe arsim cilësorë, barazi ligjore e çka jo tjetër…

Në fakt të gjitha këto ndodhen për një pjesë të popullatës, jeta e lumtur dhe mirëqenja erdhen vetëm për familjet e politikanëve dhe oligarkëve ekonomik, por jo edhe për qytetarët e rëndomtë.

Fëmijët dhe familjet e politikanëve të profilit të lartë ushqehen me lugë të artë, ndërsa shumica e qytetarëve të Kosovës përballen me ekzistecën, me sigurimin e kafshatës së gojës dhe gjërave elementare për jetë.

Përderisa fëmijët dhe familjarët e politikanëve të profilit të lartë punësohen në intsitucionet e larta shtetërore dhe publike, bëjnë edhe jetë luksoze në shtetin e varfër, qytetarët që nuk janë të lidhur me politikën trajtohen si skllëvër në sektorin privat.

Qytetarët duan prova konkrete për ç’kapjen e shtetit e jo fjalë

Në mesin e atyre që përmes nepotizmit dhe formave tjera korruptive i kanë punësuar të gjithë familjarët e tyre nëpër institucione shtetërore dhe publike, janë edhe ata që sot thotë çirren e thirren në ç’kapjen e shtetit dhe reformimin e partive politike.

Qytetarët e vendit e kanë të vështirë t’i përgjigjen me besueshmëri këtij kontrasti social apo siq i thonë ndryshe në gjuhën e hollë politike “konflikt interesi”.

Politikanët “reformatorë që po pretendojnë ta grabisin besimin e qytetarëve nën mashtrim për ç’kapje të shtetit dhe barazi qytetare, nëse njëmend e kanë për ndryshimin e çasjes qeverisëse, atëherë, së pari duhet të na bindin me tërheqjen e familjarëve të tyre nga institucionet shtetërore, nga përfaqësitë diplomatike (ambasadat dhe konsullatat), nga postet që mbajnë në institucionet publike (KEK, PTK, RTK,…etj), e tek pastaj të na flasin për moral njerëzorë dhe pastërti politike.

Ka kaluar koha e mashtrimeve, po vjen koha e ndryshimeve! Nuk kemi kohë për eksperimentime të reja me figura të vjetra politike.

Verdikti i popullit nuk e përcakton nivelin intelektual të një politikani dhe as veprimet e tij politike, por në të kundërtën, hipnozat e politikanëve e dëmtojnë rëndë vetëdijen e popullit, i cili është forca e ndryshimit dhe zhvillimit të çdo vendi!

Përfundimisht ka ardhur koha që populli ynë të zgjohet nga agonia e thellë e pritjes, për t’u liruar një herë e mirë nga hipnozat e politikanëve mashtrues!

Momentumi kohor në të cilin ndodhemi na obligon të gjithëve që ta shfrytëzojmë kohën, si dhurata më e çmuar që na ofrohet çdo ditë nga i madhi Zot, që të investojmë sa më shumë që është e mundur në realizimin e interesave të popullit dhe shtetit të Kosovës në veçanti.

Pra, koha është gjëja më e çmuar, prandaj si të tillë duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht për arritjen e qëllimeve të përbashkëta, në funksion të ndryshimeve  pozitive, prosperitetit shoqëror dhe mirëqenjes qytetare.

 “Koha sjellë çka investojmë ne dhe sa arrijmë ne në kohë” (F.A.).

P.S.

Këtë opinion nuk e personalizova me emra të përveqëm të politikanëve apo subjekteve politike, për arsye të mos ngacmimit të adhuruesve të “legjendave” aktuale partiake. Shkrimet e mia janë sikur baqja me lule, secila “bletë” le ta merr ushqimin që e kërkon!