Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se janë në “kontakt të ngushtë” me zyrtarët britanikë lidhur me mutacionin për të cilin thuhet se koronavirusi i ri (COVID-19) përhapet më shpejt, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Jemi në kontakt të ngushtë me zyrtarët britanikë lidhur me llojin e ri të COVID-19 që përhapet më shpejt”, tha OBSH-ja në një postim nga llogaria në Twitter.
Ndër të tjera në postim thuhet se autoritetet britanike do vazhdojnë të ndajnë “informacione, rezultate dhe analizat” e hulumtimeve që vazhdojnë lidhur me llojin e ri të COVID-19.
Gjithashtu u vu në dukje se 194 vendet anëtare të OBSH-së do të informohen pasi të merren më shumë informacione rreth “karakteristikave dhe efektet e mundshme të llojit të ri të virusit”.
Lloji i ri 70 për qind më infektues
Në juglindje të Britanisë u zbulua një lloj i ri i COVID-19 i cili përhapet më shpejt.
Kryeministri britanik, Boris Johnson dhe një grup shkencëtarësh në një deklaratë njoftuan se lloj i ri i virusit të zbuluar në vend është 70 për qind më shumë ngjitës (infektues).