Kur pritet anëtarësimi i Malit të Zi në BE? Cilin vend do të vizitojë të parin në rajon dhe cili është mesazhi i tij për rajonin? Për këto pyetje përgjigjet kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq në bisedë me DW.
DW: Zoti Krivokapiq, ju jeni kryeministër i një vendi që është lider në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Si e shihni politikën e zgjerimit të BE-së për momentin? A mendoni se, megjithë metodologjinë e re, ka ende vonesa? Dhe çfarë mund të bëjë rajoni për të shpejtuar këto procese?
Zdravko Krivokapiq: Unë mendoj se procesi i anëtarësimit varet ekskluzivisht nga ata që dëshirojnë të shkojnë në rrugën e integrimit evropian. Kjo është e qartë për të gjithë. Janë vendosur kritere të qarta dhe qëllimi ynë nuk është të jemi të privilegjuar, por të përmbushim të gjitha kriteret e mundshme sa më shpejt të jetë e mundur dhe kështu të tregojmë gatishmëri që të jemi pjesë – pasi gjeografikisht i përkasim hapësirës evropiane – e hapësirës së Bashkimit Evropian.
Nëse mund të kemi një mesazh të mirë, duhet të jetë i njëjtë për të gjithë rajonin tonë – e ky është që ne këtu jemi kryesisht si fqinjë të mirë. Nëse nuk mund të jemi fqinjë të mirë me njëri-tjetrin, si mund të jemi të pranueshëm edhe për BE? Kjo është logjika që të gjithë duhet t’i përmbahemi dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin për t’u bërë anëtarë të BE në Ballkanin Perëndimor sa më shpejt të jetë e mundur.
Ju thatë që prisni që Mali i Zi të jetë anëtari i 28-të i BE-së. A keni ndonjë perspektivë kohore kur mund të realizohet ky synim?
Unë nuk dua të mendoj, por nëse arrijmë rezultatet që kemi parashikuar, shpresoj se do të kemi progres të dukshëm dhe në 2023 do të krijojmë parakushtet për të kaluar në aktin më të rëndësishëm, e ky është procesi i verifikimit nga anëtarët e tjerë të BE-së. Kështu, mbase, në vitin 2025, nëse të gjitha gjërat zhvillohen në mënyrë optimale, do të bëheshim anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian.
A do të thotë kjo se, kur Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelji, thotë se ai pret që “një vend nga Ballkani Perëndimor të jetë i gatshëm të bashkohet me BE” deri në 2024, ai mendon për Malin e Zi?
Nuk do të doja të dekurajoja askënd, por pozicioni ynë fillestar është pak më ndryshe nga të tjerët, e nëse punojmë mjaft mirë, nuk ka asnjë arsye që të mos jemi anëtari i 28-të i BE-së.
Si i vlerësoni marrëdhëniet e Malit të Zi me Serbinë në këtë moment? A do të ndryshojnë ato në mandatin tuaj dhe në cilin drejtim?
Ne shpresojmë të ndërtojmë marrëdhënie më të mira dhe më kualitative me Serbinë. Ne jemi të gatshëm për çdo aktivitet në lidhje me veprimin institucional. Vlera jonë është një komunitet i bazuar në potencialin ekonomik, kulturor, madje njerëzor, i cili është aq i ndërthurur sa nuk dihet më kush se nga është. Të gjithë (në Serbi) zakonisht thonë se ata janë kryesisht nga Mali i Zi. Nëse është kështu, atëherë le ta vërtetojë Mali i Zi këtë me një shembull të mirë. Ne do të përpiqemi të mos i reduktojmë këto marrëdhënie në përshtypje personale, por në veprim institucional.
Kur planifikoni ta vizitoni Beogradin?
Unë do të doja që kjo të jetë pjesë e një analize që do të bëhet nga Ministria e Punëve të Jashtme. Unë me dëshirë do t’i përgjigjem çdo thirrjeje, të vijë dhe të vizitoj të gjithë rajonin. Por kur dhe kush do të jetë i pari – mos më detyroni të bëj tani premtime, të cilat ndoshta nuk do të jem në gjendje t’i përmbush.
Nëse kjo çështje “analizohet”, a do të thotë kjo se vizita juaj do të ketë edhe një mesazh të caktuar?
Unë dua të dërgoj një mesazh më ndryshe, e ai është se rajoni ynë duhet të përjetojë një ndryshim demokratik dhe që kjo të jetë kaq e dukshme, saqë të gjithë të kuptojnë se liria e njeriut dhe qëndrimi ndaj demokracisë janë më të rëndësishme se çdo politikë.