Hipnoza është krijimi i një gjendje ëndërrore tek njerëzit nëpërmjet përdorimit të sugjestionit gojor, respektivisht bartja e mendimit personal tek një grup më i madhë personash me intelekt të ulët apo të mesëm. Hipnoza e nënkupton gjendjen e tjetërsuar të ndërgjegjës njerëzore, për çka veprimet e personit të hipnotizuar hyjnë nën komandën e hipnotizuesit dhe mund të kryejnë
veprime të pazakonta dhe jashtë vetëdijes së tyre normale. Pas daljes nga gjendja e hipnozës, shumë persona do të jenë të detyruar që të trajtohen për një kohë të gjatë me Hipnoterapi dhe Psikoterapi shëruese.
Si pasojë e hipnozës së liderëve partiakë, disa individ apo grupe të interesit, po mundohen që fatin e vendit ta ndërlidhin me personalitetin e 4-5 figurave politike, duke i trajtuar si të vetmit shpëtimtar për vendin!
Një çasje e tillë pashmangshëm i kontribuon krijimit të miteve të reja në fillimdekadën e tretë të shekullit 21, të shekullit të zhvillimit të hovshëm teknologjik i cili po e bën transparente çdo veprim në jetën e njerëzve dhe subjekteve në përgjithësi!
Nëse, ne si popullatë e Kosovës, nuk i kemi edhe nga 100 personalitete që mund t’i zavendësojmë secilin nga 4-5 figurat politike të kohës, atëherë pashmangshëm jemi duke shkuar drejt zhbërjes fizike si komb dhe fundosjes si shtet i pavarur.
Vendit tonë nuk i duhen politikanë aventurierë dhe karrierist, me të kaluar të dyshimtë dhe pa vizion të qartë për të ardhmen. Qytetarët e vendit duan ta kenë të qartë, nga duam të shkojmë si shtet, majtas apo djathtas, kah lindja apo perëndimi, kah forcimi i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës apo kah ideja e bashkmit kombëtar.
Janë këto pyetje, në të cilat qytetarët e Kosovës kërkojnë përgjigje nga liderët partiak dhe grupet tjera që pretendojnë marrjen e pushtetit në zgjedhjet e rregullta apo të jashtëzakonshme kurdo që të mbahen ato!
Pa përgjigje në këto pyetje, qytetarët e Kosovës, më mirë është të mos votojnë fare sesa ta hedhin votën e tyre “symbyllur”.
Qytetarët e vendit kërkojnë qartësi e transparencë në veprimet e politikanëve e jo fjalë megalomane dhe pa mbulesë.
Mbulesa e fjalëve të një politikani janë veprat e tij në shërbim të kombit dhe atdheut, duke e dëshmuar para qytetarëve të vendit, se çka ka dhënë ai apo ajo nga vetja e tij (saj) për lirinë e vendit qoftë në aspektin material apo fizik gjatë luftës për çlirim dhe shtetndërtim të Republikës së Kosovës!
Nuk ka çka i duhet popullit një politikan, i cili për 15, 20 apo 30 vjet ska dhënë gjë nga vetja për shtetin, por që ka marrë gjithçka që i është dhënë mundësia, filluar nga pagat e majme si deputet, ministër, kryeministër apo president e deri tek benificionet e tjera financiare nëpër komisione qeveritare dhe parlamentare, nga tenderomania, nga aferat korruptive dhe skandalet e pandërprera deri në ditët e sotme.
Në qeverisjen e ardhshme të vendit nuk na duhen politikan që nuk kanë mbulesë të veprimtarisë së tyre atdhetare, materiale apo financiare në shërbim të shtetit, për shkak se qytetarët e vendit nuk duan t’i humbin edhe 20 vjet të tjera nga pseudopatriot dhe matrapazët e të njëjtit brum politik.
Populli tashmë është vetëdijësuar, nuk i vlerëson politikanët sipas fjalëve, por sipas veprave. Ka kaluar koha e mashtrimeve dhe hipnotizimeve me ideologji boshe dhe megalomane.
Populli është në pritje të një alternative të re, me figura të reja politike që nuk kanë qenë pjesë e sistemit të inkrimunar politik pozitë-opozitë të këtyre njëzetë vjetëve të fundit.