Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i bëri thirrje çdo vendi në botë që të deklarojë një “gjendje të emergjencës klimatike”. Ai komentet i bëri gjatë një samiti online për të shënuar përvjetorin e pestë të marrëveshjes së Parisit për klimën.
Gutteres i tha Samitit se një emergjencë globale duhet të mbetet në fuqi derisa të arrihet neutraliteti i karbonit dhe të mos lëshohen më gazra serë në atmosferë.
Udhëheqës nga më shumë se 70 vende – por jo Shtetet e Bashkuara, morën pjesë në ngjarje dhe diskutuan planet ambicioze për të luftuar ngrohjen globale.
Sidoqoftë, Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar që temperatura e Tokës pritet të rritet më shumë se 3 gradë këtë shekull. Shtetet e Bashkuara, të cilat lëshojnë rreth 15 për qind të gazrave serë, u bënë vendi i parë që la marrëveshjen. Administrata e presidentit në largim të SHBA-së, Donald Trump, u tërhoq në nëntor. Masa erdhi tre vjet pasi Trump njoftoi planet e tij për të lënë marrëveshjen.
Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, më 12 dhjetor tha se Shtetet e Bashkuara do të jenë sërish pjesë e marrëveshjes.
“Unë menjëherë do të filloj të punoj me homologët e mi në të gjithë botën për të bërë gjithçka që mundemi, duke përfshirë edhe thirrjen e liderëve të ekonomive kryesore për një samit të klimës brenda 100 ditëve të para në detyrë”, tha Biden.
Në vërejtjet e tij në samit, Guterres e quajti zotimin e Biden për t’u kthyer në marrëveshjen e Parisit “një sinjal shumë i rëndësishëm”.
“Ne shpresojmë që tani e tutje për një udhëheqje shumë aktive të SHBA-s në veprimet klimatike”, tha Guterres.