“Vendi ka ecur përpara me reformat e kërkuara”
Shtetet e Bashkuara shpresojnë që Konferenca Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së të organizohet para fundit të presidencës gjermane të Bashkimit Evropian. Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se shpresonte për një vendim pozitiv për Tiranën dhe Shkupin.
“Ne ishim shumë të kënaqur kur Këshilli Evropian ra dakord Marsin e kaluar për të hapur negociatat për anëtarësim me Shqipërinë. Tani duam të shohim hapin e ardhshëm logjik, përcaktimin dhe organizimin e Konferencës Ndërqeveritare, si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut. Ne vazhdojmë të shpresojmë që Këshilli Evropian javën që vjen të bjerë dakord që të ndërmarrë këtë hap tjetër logjik”.
Palmer tha se Shqipëria ka ecur me reformat e kërkuara, por tha se mbetet ende për të bërë.
“Mendoj se Shqipëria ka bërë shumë. Nëse sheh çështjen e reformës zgjedhore, reformat për të cilat ishte rënë dakord, të kthyera në legjislacion në përputhje me rregullat e ODIHR-it, mjaft kohë përpara zgjedhjeve të prillit. Do të donim që Gjykata Kushtetuese të formohet dhe të gjykojë çështje, do të donim të shihnim një pakësim të çështjeve të prapambetura, rreth 35 mijë prej tyre që presin të gjykohen nga Gjykata e Lartë. Do të donim të shihnim që Byroja Kombëtare e Hetimit dhe SPAK-u të funksiononin me kapacitet të plotë dhe përparim në këtë drejtim”.
I dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor tha gjithashtu se qasja e Shteteve të Bashkuara ndaj rajonit ka pasur vazhdimësi, pavarësisht nëse administrata ka qenë demokrate apo republikane dhe ai pret të njëjtën gjë me ardhjen e Presidentit të ri Joe Biden.