Ballina Bota SHBA, punonjësit shëndetësorë do të vaksinohen të parët

SHBA, punonjësit shëndetësorë do të vaksinohen të parët

 

Një ekip ekspertësh të pavarur të cilët këshillojnë Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) votuan në një takim publik të martën që punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe banorët e institucioneve të kujdesit afatgjatë të jenë të parët që do të marrin vaksinën e shumëpritur të koronavirusit.

Në SHBA, punonjësit shëndetësorë kapin shifrën prej rreth 21 milion dhe janë njerëzit më të ekspozuar ndaj koronavirusit. Banorët e institucioneve të kujdesit afatgjatë janë rreth 3 milion.

Shumica e njësive juridike shtetërore dhe lokale shpresojnë të jenë në gjendje t’i vaksinojnë punonjësit e tyre të kujdesit shëndetësor brenda tre javësh nga marrja e dozës së parë të një vaksine për COVID-19n, tha një zyrtare e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve gjatë një takimi të komisionit këshillues të martën.

Nancy Messonnier, drejtore e Qendrave Kombëtare të CDC për Imunizimin dhe Sëmundjet e Frymëmarrjes, foli gjatë një takimi të Komitetit ku u diskutua se cilat grupe duhet të marrin të parat vaksinat pasi ato të vihen në dispozicion, ndoshta në dhjetor.

FDA-ja po shqyrton një kërkesë të kompanisë Pfizer për dhënien e autorizimit për përdorimin e vaksinës së saj kundër COVID-19. Kompania tjetër amerikane Moderna njoftoi të hënën se ka aplikuar gjithashtu për të marrë një autorizim për përdorimin e vaksinës së saj.

CDC-ja kishte rekomanduar më parë që punonjësit e shëndetësisë, që punojnë në vijën e parë të frontit dhe personeli i tyre ndihmës të marrin dozat e para të vaksinave. CDC-ja gjithashtu tha se banorët e shtëpive të të moshuarve dhe institucioneve të tjera të kujdesit afatgjatë duhet të jenë ndër të parët që të vaksinohen.

Disa orë pas njoftimit të kompanisë Moderna, Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore Alex Azar tha se agjencia do të njoftojë vendimin rreth një javë pas vendimit lidhur me aplikimin e Pfizer-it.

Dr. Larry Corey i universitetit të Uashingtonit, i cili udhëheq provat klinike mbi vaksinat në SHBA, ka thënë se pasi të miratohen vaksinat e kompanive Pfizer e Moderna, ato mund të prodhojnë 50 milionë doza në janar.

Komisionit këshillimor mblidhet një ditë pasi në SHBA u raportuan rreth 139 mijë raste të reja me koronavirus dhe 826 vdekje, sipas Universitetit Johns Hopkins.

Prej muajsh SHBA vazhdon të kryesojë në botë për nga numri i infektimeve me koronavirus, me më shumë se 13.5 milionë raste nga totali prej 63.3 milionë rastesh në të gjithë botën. Që nga fillimi i pandemisë në SHBA kanë vdekur mbi 268 mijë njerëz si pasojë e COVID-19-s, të dhëna këto të universitetit Johns Hopkins, që raporton 1.47 milionë vdekje në të gjithë botën.