Kryeministri britanik Boris Johnson, me anë të një konference për shtyp, këtë të shtunë, njoftoi mbylljen katër javore për anglezët. “Tani është koha për të ndërmarrë veprime sepse nuk ka asnjë alternativë” – tha kryeministri anglez.

Kryeminstri britanik Boris Johnson njoftoi këtë të shtunë mbylljen katër javore të anglezëve për shkak të koronavirusit

Krahas shefit kryesor të shëndetësisë për Anglinë, Profesorit Chris Whitty dhe këshilltarit kryesor shkencor Sir Patrick Vallance, Johnsoni ka bërë njoftimin duke thënë, “Tani është koha për të ndërmarrë veprime sepse nuk ka asnjë alternativë”.

Boris Johnsoni njoftoi një valë të re masash bllokimi për Anglinë, që do të zgjasin nga kjo e enjte që vjen deri të mërkurën e datës 2 dhjetor.

Masat e ndërmarra përfshijnë mbylljen e bizneseve të cilësuara jo-thelbësore, një thirrje për të shmangur udhëtimet jo të domosdoshme dhe një serë masash të tjera.

Nëse nuk veprojmë ‘mjekët dhe infermierët do të detyrohen të zgjedhin cilët pacientë do të trajtohen kush do të marrë oksigjen dhe kush jo, kush do të jetojë dhe kush do të vdesë’, tha Johnson.

Ai shtoi “Krishtlindjet do të jenë të ndryshe këtë vit, ndoshta shumë të ndryshe”, duke shtuar se ruajtja e pjesëmarrjes në arsim për nxënësit dhe studentët e universitetit është përparësia e tij.