Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev kreu mbikëqyrje të aktiviteteve në rrugën Kriva Pallankë – Dever Bair në afërsi të kufirit me Bullgarinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri Zaev gjatë vizitës u shoqërua nga zëvendës-kryeministri për luftë kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe resurseve njerëzore, Lupço Nikollovski, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët shtetërore”, Ejup Rustemi dhe kryetari i komunës Kriva Pallankë, Borjanço Micevski.
“Modernizimi i Korridorit 8, rikonstruktimi dhe zgjerimi me korsi të tretë të rrugës Kriva Pallankë-Deve Bair, në gjatësi prej rreth 13 kilometrave është e rëndësishme për shkak të lidhjes rajonale dhe bashkëpunimit, si një nga aspektet më të rëndësishme të integrimit në Bashkimin Evropian dhe me rëndësi të madhe ekonomike për vendin tonë”, theksoi Zaev.
Mes tjerash, ai tha se “aksi rrugor Kriva Pallankë-Deve Bair është pjesa më e rëndësishme e Korridorit 8, meqë paraqet linjën më frekuentuese në trafikun e mallrave, drejt dhe nga Bullgaria fqinje”.
“I gjithë Korridori 8 është duke u rikonstruktuar. Akset rrugore janë duke u rinovuar dhe brenda një ose dy viti qytetarët do të kenë rrjet të rindërtuar modern që lidh vendin tonë me Bullgarinë dhe Shqipërinë fqinje dhe ofrojmë hyrjen në dy porte: Burgas në Detin e Zi dhe Durrës në Adriatik. Kjo do të ketë efekt pozitiv në lidhjen e qytetarëve të tre vendeve dhe në promovimin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike midis kompanive”, tha Zaev.
Ministri Boçvarski tha se përkundër të gjitha sfidave me krizën e COVID-19, vazhdon investimi në përmirësimin e cilësisë së rrjetit rrugor dhe ngritjen e sigurisë rrugore në nivelin e Bashkimit Evropian.
“Në realizimin e investimeve më të mëdha historike deri më tani në infrastrukturën rrugore, vetëm në këtë pjesë të shtetit investojmë rreth 90 milionë euro për ndërtimin dhe modernizimin e Korridorit 8. Presim që deri në vitin 2022 të kemi lidhje tërësisht të re rrugore drejt Republikës së Bullgarisë ndërsa njëkohësisht punohet në lidhjen rrugore në perëndim drejt Shqipërisë fqinje. Investimi i përgjithshëm në modernizimin e Korridorit 8 arrin një miliardë euro”, theksoi Boçvarski.
Drejtori i N.P. “Rrugët shtetërore”, Ejup Rustemi tha se bëhet fjalë për rikonstruktimin, rehabilitimin dhe mbindërtimin e korsisë së tretë për 13.2 kilometra me gjerësi të paraparë prej 10.5 metra, për çka janë ndarë 10.16 milionë euro, të siguruara përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.