Të gjendur mes dhjetra alternativash dhe markash në markete, shqiptarët që duan një vaj cilësor, ose zgjedhin më të shtrenjtin ose më së shumti e blejnë direkt nga prodhuesi i besuar.

Po ç’thonë vetë prodhuesit? Për AgroWeb.org pyetëm Kryetaren e Shoqatës së Vajit të Ullirit AOA, Silvana Pinari dhe një prej prodhuesve të mirënjohur të vajit në Elbasan, zotin Fatmir Skilja.

‘Vaji i ullirit është produkt i domosdoshëm për çdo familje. Përzgjedhja e tij është shumë e rëndësishme për shëndetin e familjes’, thotë për AgroWeb.org, Kryetare e Shoqatës së Vajit të Ullirit AOA, Silvana Pinari.

Jemi me fat që në vendin tonë kemi ullinj shumë të mirë dhe prodhues cilësorë të vajit të ullirit, vijon zonja Pinari duke sugjeruar, që nëse munden, konsumatorët mund t’i drejtohen fabrikës më të afërt bashkë më fëmijët, për të blerë Vaj Ekstra të Virgjër Ulliri.

Në fakt, i të njëjtit mendim është edhe zoti Skilja. ‘Për mua është viti i katërt i prodhimit dhe pothuajse të gjithë vajin e shes me paketim 5 litërsh te konsumatorët që më njohin, dhe jo në treg” thotë ai për AgroWeb.org.

‘Paketimi ka në kosto shumë të lartë, prej 100 lekë të reja për shishe, gjë që i rrit koston tregëtimit, ndërkohë sasia që ne prodhojmë nuk është aq e madhe sa të përballojë këtë kosto. Kosto e paketimit është një prej arsyeve kryesore, që bën që prodhuesit e vajit të preferojnë shitjen në fabrikë.

Për një litër vaj ulliri duhen rreth 6-7 kg ullinj. Kosto pra është rreth 700 lekë për litër, shto këtu paketimin prej rreth 100 lekë, do të thotë që ështe vështirë që një vaj që shitet nën këtë çmim në market, të jetë Ekstra i Virgjër.

Problemet me Vajin ekstra të virgjër

Eksperti i mirënjohur amerikan i vajit Paul Vossen në një intervistë për AgroWeb.org gjatë një vizite trajnuese në Shqipëri tha se nga vëzhgimet e fundit në Shtetet e Bashkuara 70% e vajrave që shiten si Ekstra të Virgjër, nuk janë të tillë.

Në Australi kjo sasi është 56% dhe në Spanjë 50%. Sigurisht edhe në Shqipëri kjo përqindje është e lartë dhe për zotin Vossen, u takon autoriteteve shqiptare të monitorimit të bëjnë verifikimet e duhura në treg.

Për zonjën Pinari është shumë e vështirë të heqim nga tregu vajin fallco. Ajo që të paktën duhet të bëjmë thotë ajo është edukimi i konsumatorit.

‘Ullinjtë janë fruta dhe vaji i ullirit është lëngu i tyre. Mendoni çfarë frutash shtrydhni për të përftuar një lëng: gjithmone të freskëta.

Kështu duhet të jenë dhe ullinjtë: të freskët dhe të padëmtuar. 20 % e cilësisë varet nga përpunimi, i cili duhet te kryhet brenda 48 orëve nga vjelja e frutave, në temperatura deri 30 gradë.

Si të testoni vajin e ullirit në shtëpi?

Ju mund ta testoni edhe vetë vajin e ullirit.

Hidhni pak vaj ulliri në një gotë të pastër dhe butësisht ngrohni fundin e gotës me njërën dorë ndërsa me tjetrën mbuloni grykën e gotës për pak sekonda. Më pas nuhasni vajin e ullirit dhe shijoni një gllënkë.

Nëse aroma është e ullirit të freskët jeshil dhe shija e tij vjen paksa e hidhur dhe djegëse, jo me tepri, pra jo t’ju shkaktojë kollë, shija e vajit u duket e pastër dhe jo shumë e trashë dhe e yndyrshme, atëherë keni bërë zgjedhjen e duhur.

Nuese ju jep kollë nuk është vaji i duhur.

Sa më i freskët aq më i mirë, sepse një gjë është e sigurt, vaji i ullirit nuk është si vera.

Vaji i ullirit extra i virgjër, i ruajtur mirë, ka një jetëgjatësi rreth një vjeçare. Me vjetërimin, atij i humbasin vlerat aq të vyera që mbart.

Si ta ruani Vajin e Ullirit

Konsumatorit i duhen dy vjet të mësohet me shijen e një vaji cilësor.

Pasi të blini vajin nga fabrika apo një vaj që jeni të sigurt që është Ekstra i Virgjër, ruajeni në një enë qelqi ose inoksi. Ruajeni larg dritës dhe nxehtësisë.

Ky vaj do të ketë qartësi, ngjyrë, densitet, aromë, hidhësi e djegësi të ndryshme çdo muaj që kalon.

Dy komponente thelbësore janë tek vaji i ullirit cilësor: të jetë ekstra i virgjër dhe të jetë prodhim i atij viti.

Kjo është mënyra më e mirë për të përzgjedhur një vaj të mirë, të freskët me të gjitha vlerat e jashtëzakonshme që i ka falur natyra.