Ballina Bota Biden: Lufta është me virusin, jo me njëri-tjetrin

Biden: Lufta është me virusin, jo me njëri-tjetrin

 

Presidenti i zgjedhur Joe Biden u bëri thirrje amerikanëve që “të dyfishojnë përpjekjet dhe të ri-angazhohen në luftë” kundër koronavirusit.

Zoti Biden i bërë komentet drejtpërdrejt përpara kamerës në Uilmington të shtetit Delauer.

“Duke i hedhur një vështrim historisë sonë, do të shihni se pikërisht në rrethanat më të vështira është farkëtuar shpirti i kombit tonë.” Tani, tha ai, “e gjejmë veten përsëri përballë një dimri të gjatë dhe të vështirë.”

Ai u bëri thirrje njerëzve të heqin dorë nga grumbullimet e mëdha familjare, të mbajnë maska mbrojtëse dhe të ruajnë distancimin social.

“Unë e di që ne mund dhe do ta mposhtim këtë virus,” shtoi zoti Biden, duke pranuar se amerikanët po e ndjejnë lodhjen nga pandemia. “Jeta do të kthehet në normalitet. Ju premtoj. Kjo do të ndodhë. Nuk do të zgjasë përgjithmonë,” tha ai.

“E kuptoj se sa e vështirë është të heqësh dorë nga traditat familjare. Por është shumë e rëndësishme,” tha zoti Biden, pasi përshkroi se si ai dhe anëtarët e familjes së tij po festonin veçmas njëri-tjetrit, për të shmangur infektimet nga koronavirusi.

Presidenti i zgjedhur ka deklaruar se do ta bëjë trajtimin e COVID-19 një përparësi kryesore pas marrjes së detyrës në 20 janar.

Në një mesazh bashkimi për amerikanët, zoti Biden tha se lufta është me virusin, jo me njëri-tjetrin:

“E kuptoj që vendi është i lodhur nga lufta. Por duhet të kujtojmë, ne jemi në luftë me virusin, jo me njëri-tjetrin. Ky është momenti ku ne duhet të forcojmë shtyllën kurrizore, të dyfishojmë përpjekjet dhe të angazhohemi përsëri në këtë luftë,” tha ai.

“Të mos harrojmë se ne i kemi hyrë kësaj të gjithë së bashku,” tha zoti Biden.

Presidenti i zgjedhur shprehu optimizëm, duke thënë se “kjo stinë e zymtë ndarjesh do t’i hapë rrugën një viti “drite dhe bashkimi”.

“Ky është një vend i shkëlqyer. Ne jemi një popull i mirë. Pikërisht këto janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” tha ai.

Fjalimi ishte konceptuar si mesazh i stilit presidencial për Ditën e Falenderimeve, me synimin për të bashkuar popullin amerikan përballë sfidave si dhe për sakrificat e përbashkëta që amerikanët po bëjnë këtë këtë stinë festash.

Presidenti Trump nuk tërhiqet

Ndërkohë, edhe pse ka lejuar tranzicionin e pushtetit, Presidenti Trump nuk ka hequr dorë nga beteja e pasuksesshme ligjore për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve.

Të mërkurën ai anuloi një udhëtim për t’iu bashkuar avokatit të tij personal, Rudy Giuliani, në një takim të ligjvënësve republikanë të shtetit të Pensilvanisë në qytetin Getisburg, ku zoti Giuliani përsëriti pretendimet e tij të pabazuara për mashtrim në votime.

Por zoti Trump u foli pjesëmarrësve me telefon, duke përsëritur pretendimet e tij të pabazuara në fakte se zgjedhjet u vodhën. Komentet e tij u pritën me brohoritje nga të pranishmit.

“Këto zgjedhje u humbën nga demokratët. Ata mashtruan. Ishin zgjedhje mashtruese,” tha zoti Trump, pa ofruar prova.

Joe Biden fitoi ndaj zotit Trump me 306 vota elektorale, kundrejt 232 të rivalit të tij republikan. Ai fitoi gjithashtu votat popullore, me më shumë se 6.1 milion më shumë se sa zoti Trump në të gjithë vendin.

Drejtorja e Komunikimit të zotit Biden, Kate Bedingfield, e quajti aktivitetin në Getisburg “një shfaqje anësore”. Zyrtarët shtetërorë dhe federalë kanë thënë se nuk ka prova për atë lloj mashtrimi në shkallë të gjerë për të cilin pretendon zoti Trump.

Prokurori i Përgjithshëm i Pensilvanisë, demokrati Josh Shapiro, i hodhi poshtë pretendimet e Presidentit Trump.

“Komentet e sotme të presidentit ishin të shkëputura nga realiteti,” tha ai në Twitter. “Zgjedhjet kanë mbaruar. Pensilvania ka çertifikuar rezultatet dhe e ka shpallur Joe Bidenin fitues. Të gënjesh përmes një telefoni celular në një seancë të rreme, kjo nuk ndryshon asgjë,” tha zoti Shapiro.