Vijnë në Shqipëri edhe 230 mijë doza, vijon pa u ndalur vaksinimi ndaj gripit. Në Dhjetor fillon testimi i shpejtë.

Fjala e plotë e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu:

Prej mëse 9 muajsh, i gjithë sistemi ynë shëndetësor është në gatishmëri të plotë në përballje me këtë virus që po sfidon mbarë botën.
Ne jemi duke vijuar punën tonë për të fuqizuar kapacitetet e sistemit tonë shëndetësor, duke filluar nga përmirësimi i testimit, gjurmimit, izolimit dhe në këtë momente përfshirja e testeve të shpejta brenda muajit dhjetor do të bëjë të mundur kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit.
Bazuar në planin tonë të vjeshtë-dimrit kemi siguruar gjithashtu vaksinimin falas ndaj gripit për grupet e riskuara, për 368 mijë qytetarë dhe sot ka mbërritur sasia e fundit prej 230 mijë vaksinash, që po shpërndahet në të gjitha qendrat shëndetësore.
Si pjesë e planit tonë ka filluar gjithashtu rimbursimi i paketës së barnave falas për çdo qytetar të diagnostikuar me covid19.
Spitali Covid 4 dhe spitalet rajonale janë gati për të shërbyer pacientëve sipas skenareve në strategjinë tonë të vjeshtë-dimrit.
Për t’iu përgjigjur gjithashtu nevojave dhe për të mbështetur stafet tona të shëndetësisë kemi punësuar deri në këto momente 270 profesionistë të shëndetit.
Ndaj me zemër dua që të falenderoj ekipet tona mjekësore në të katër anët e Shqiperisë për gjithë punën, sakrificën, përkushtimin që ata kanë treguar e po tregojnë në këto kohë shumë sfiduese.
Bazuar në percaktimet dhe udhezimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe analizën gjithashtu mbi baza dinamike të situatës epidemiologjike të bërë nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Komiteti ynë i ekspertëve, situata që jemi sot paraqitet në një nivel risku të shtuar.
Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik vlerësojnë se impakti i masave që ne kemi ndërmarrë deri më sot, vlerësohet në hapësirën kohore 4-6 javë nga fillimi i zbatimit të çdo mase.
Por, që këto masa të kenë efektin e pritshëm duhet që të zbatohen nga të gjithë, me përgjegjësi edhe me përpikmëri.

Të dashur qytetarë,
Ashtu sikurse ne e kemi përsëritur në këto javë, për ne shëndeti juaj, shëndeti është i pari shëndeti i fëmijëve tanë dhe mirëqenia e përgjithshme e fëmijëve tanë, siguria e tyre janë prioriteti ynë absolut.
Deri tani, siç ekspertet kanë analizuar, fëmijët nuk vlerësohet të jenë transmetues të lartë të infeksionit nga Sars-CovV2.
Rezulton nga ana tjetër se protokollet e sigurisë në tërësi në shkolla, janë zbatuar nga strukturat arsimore, gjë që është reflektuar edhe në shifrat që ne ju kemi prezantuar.
Por, për të minimizuar risqet gjatë kësaj periudhe, ku të pranishme janë edhe infeksione të tjera respiratore, kemi peshuar rëndësinë e ekuilibrit të mirëqenies dhe sigurisë së shëndetit të fëmijëve tanë, dhe pas rekomandimit të Komitetit të Ekspertëve kemi vendosur:

1. T’i rekomandojmë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë që prej datës 1 Dhjetor, të aplikojnë skenarët që parashikojnë kryerjen e mësimit të alternuar, pra në formën klasike, me prani fizike dhe të kombinuar gjithashtu me mësimin ne distance (online) bazuar sigurisht këtu në specifikat e sistemit arsimor por gjithashtu dhe në të dhënat lokale të situatës epidemiologjike  në bashkëpunim me autoritetet shëndetësore.

Të dashur qytetarë
Në këto 9 muaj kemi nxjerrë shumë mësime dhe në fakt shumë mësime janë nxjerrë kudo në botë.
Një prej tyre mbetet i pandryshueshëm: Masat në mbrojtje të jetës kanë efekt, vetëm nëse gjithësecili prej nesh, gjithësecili prej jush merr përgjegjësitë e veta.
Në këtë pandemi, çdo veprim i pakujdesshëm ka pasoja të drejtpërdrejta në shëndetin tuaj, dhe në shëndetin e të afërmve tuaj.
Përpara kemi një dimër të vështirë, por sot shpresa që do t’ia dalim të fituar në këtë luftë, është akoma më e madhe, është më e madhe se kurrë më parë.
Pasi, lajmet e mira që kanë ardhur nga kompani ndërkombëtare për efikasitetin e vaksinës janë shumë inkurajuese. Dhe gjithashtu Shqipëria ndërkohë i ka hedhur tashmë hapat dhe po punojmë intensivisht për të patur qasje në këto vaksina, njësoj si shtete të tjera të botës.

Të dashur qytetarë,

Në fund kam dy fjalë edhe një lutje për të gjithë Ju:
E kuptojmë fare mirë dëshirën për të festuar, aq më tepër që në këtë fundjave kemi dhe Festat e Nentorit.
Por këtë vit, këto festa na gjejnë përballë një sfide të shëndetit publik, që ndodh një herë në shekull.
Patriot sot është kush qëndron në shtëpi. Kush qëndron në shtëpi dhe mbron kështu shëndetin e vet, të familjes së vet dhe të gjithë të afërmve të tij.
Do të vijë një kohë kur, ndër fitoret më të medha që do të rradhisim do të jetë dhe kjo, fitorja që arritëm së bashku në betejën për shëndetin!