–Skënder Demaliaj sapo ka dalë para lexuesit me librin e ri “Kthimi i shpejtë i shqiptarëve të Kosovës në trojet e tyre mijëvjeçare në verën e vitit 1999”–.
Një monografi e cila me fakte dhe argumente rrëfen nga një këndvështrim origjinal krimet shekullore serbe mbi shqiptarët. Një libër konçiz, publicistik dhe shkencor me njëqasje të re adekuate rreth problemit të luftës për çlirimin e Kosovës, me dritëhijet dhe të vertetat, të cilat vijnë pasi lufta ka mbaruar, dhimbjet sadopak janë fashitur, por nuk është shuar plaga që kullon e gjenocidit dhe etnocidit, trishtimi i të pagjeturve akoma dhe ajo çka vertet ndikon fuqishëm në mentalitetin tonë bashkëkohor. Përpjekja komplekse për ta errësuar qellimin e luftës çlirimtare dhe bartësit e saj dhe për të ndrruar në të gjitha format e mundshme rrjedhjen e historisë për shqiptarët dhe fatin e tyre kombëtar…
Autori mbështetet në dokumentacione të kohës, nëargumente historike të autorëve shqiptarë dhe të huaj, duke spikatur dhunën e pandalshme serbe qindravjeçare ndaj shqiptarëve, apelon për të mos heshtur dhe aq më pak për të harruar, paralel me thirrjen për të ridimensionuar qendrimet politike dhe jo vetëm ndaj raporteve strategjike me historinë e marrëdhënieve tona kudo në rajon dhe më tej.
Kthimi i shqiptarëve në atdheun e lirë si simbol me krahasim biblik, ndjenja e respektit për token e vet nga ana e shqiptarëve si raporti i Zotit me besimtarët e vet të përjetshëm, e bën librin lehtësisht të dëshirueshëm nga çdo lloj lexuesi, sidomos pjesën e dytë të tij ku kujtimet, esetë dhe reportazhet e bëjnë atë më të ngrohtë dhe më të prekshme nga ana e tyre.
Që nga evokimi i kujtimeve familjare, tek amanetet dhe përjetimet e dëshmorëve të krahinës, epilogu i librit natyrshëm sjell përfundime logjike dhe emocionale të autorit, por dhe refleksione komplekse të kristalizuara në memorien serioze, e cila garanton në themele ruajtjen e vlerave të një epoke, e cila padyshim shënoi një rrjedhë të re në udhëtimin e kombit tone kah e ardhmja evropiane dhe jo vetëm.
Nga kthimi në atdheun e lodhur nga lufta dhe të përlotur në plagët e rënda deri tek synimi aktual për të përfaqësuar tëvertetën historike para botës demokratike, krejt kjo sagë madhështore përshkruhet objektivisht dhe realisht nga autori, në një përpjekje fisnike dhe emocionale, në këtë libër që shënon një vlerë të rëndësishme jo vetëm në trashëgiminë familjare, por edhe në udhetimin e tij intelektual.
Tropojë, nëntor 2020