Turqia tha se do t’i zgjasë deri më 29 nëntor punimet e kërkimit sizmik që po kryhen nga anija e saj “Oruc Reis” në një pjesë të diskutueshme të Mesdheut lindor, një hap që mund të shtojë tensionet në rajon.
Anëtaret e NATO-s, Turqia dhe Greqia janë në një mosmarrëveshje lidhur me shtrirjen e tabaneve të tyre kontinentale, me pretendime të kundërta ndaj burimeve të hidrokarbureve në Mesdheun lindor.
Mosmarrëveshja shpërtheu në gusht kur Turqia dërgoi anijen “Oruc Reis” në ujërat e pretenduara gjithashtu nga Greqia dhe Qiproja.
Anija pritej ta mbaronte misionin deri më 23 nëntor, por në një njoftim të autoriteteve detare turke të shtunën thuhej se anija do ta vazhdonte punën në një zonë në perëndim të Qipros për gjashtë ditë më tepër.
Ankaraja e hoqi anijen në shtator për të lejuar një zgjidhje diplomatike me Greqinë, por më pas e riktheu atë në zonë, duke shkaktuar një reagim me zemërim nga ana e Greqisë, Francës dhe Gjermanisë.
Presidenti Reccep Tajip Erdogan tha se Turqia ka vepruar me durim për çështjen e Mesdheut lindor, pavarësisht nga ato që ai i quajti provokime të Greqisë dhe të qipriotëve grekë.
“Akuzat e BE-së në lidhje me veprimtarinë tonë të vendosur kërkimore dhe shpuese në Mesdheun lindor për të mbrojtur të drejtat e Turqisë dhe interesat turko-qipriote nuk pasqyrojnë historinë, ligjin dhe realitetin”, tha zoti Erdogan në një fjalim.