Qeveria greke do të mbyllë pikën kufitare me Shqipërinë në Kapshticë, duke filluar që nga e premtja në mëngjes dhe do të testojë të gjithë njerëzit që hyjnë në vend nëpërmjet kufijve tokësorë, deklaroi sot zëdhënësi i qeverisë, Stelios Petsas, ndërsa vendi lufton për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.
Kalimet kufitare në Kakavijë, Evzoni dhe Promachonas do të qëndrojnë të hapura, ndërsa vetëm kamionët do të lejohen të hyjnë nga Nymphaea, kalimi që lidh Greqinë dhe Bullgarinë.
Vizitorët që vijnë në vend nëpërmjet kufijve tokësorë do të duhet ende të paraqesin një test negativ PCR të kryer 72 orë para mbërritjes në Greqi.
Petsas tha se autoritetet shëndetësore do të rrisin kontrollet dhe testimet në Greqinë veriore për të krijuar një ide më të qartë të ngarkesës epidemiologjike.
“Situata në vendin tonë mbetet kritike. Të dhënat e djeshme treguan se nivelet e të infektuarve në disa zona të Greqisë veriore mbeten në nivele shumë të larta nëse marrim parasysh se kemi qenë në kushtet e bllokimit për javë të tëra. Kjo dëshmon se qytetarët në shumë zona janë shumë më të relaksuar sesa kërkojnë kushtet.”/Ekathimerini