“Au revoir”, Marrëveshja e Parisit. Duke nisur nga sot (e mërkurë), sipas rregullave të Kombeve të Bashkuara, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë zyrtarisht jashtë marrëveshjes globale të klimës….

Më poshtë është një vështrim i shpejtë se si ndodhi kjo, çfarë do të thotë dhe çfarë mund të ndodhë në të ardhmen…

Mund t’ju falej nëse do të kishit menduar se Shtetet e Bashkuara e braktisën marrëveshjen globale mbi ndryshimet klimatike shumë kohë më parë. Nga viti 2017, kur Presidenti Trump njoftoi qëllimin e braktisjes së marrëveshjes, ai foli për largimin nga kjo gjë si të ishte një marrëveshje e përfunduar. Në të vërtetë, largimi nga Marrëveshja e Parisit ishte një rrugëtim i gjatë.

Më 4 nëntor 2019, dita e parë e mundshme, sipas rregullave të Kombeve të Bashkuara, kur një vend mund të nisë procesin e largimit përfundimtar, sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, dorëzoi dokumentet e nevojshme për ta bërë këtë. Procesi u mbyll automatikisht një vit më vonë. Kështu, duke nisur nga sot, Shtetet e Bashkuara nuk bëjnë më zyrtarisht pjesë në grupin e vendeve që janë angazhuar në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Presidenti Trump e ka cilësuar Marrëveshjen e Parisit “një punë vrasëse” dhe ka thënë se “ajo do të ndëshkojë popullin amerikan dhe do të pasurojë ndotësit e huaj”. Por, teknikisht, Marrëveshja e Parisit nuk u kërkon SHBA të bëjnë asgjë. Në të vërtetë, nuk është as traktat. Është një marrëveshje jo-detyruese mes vendeve të të gjitha niveleve të pasurisë dhe përgjegjësie për çështjen e ndryshimeve klimatike, për të reduktuar emetimet e brendshme të gazit serrë.

Marrëveshja lidh në praktikë, në një kontekst unik, çdo shtet që zotohet të reduktojë emetimet, me synimin që  të vendosë objektiva me kalimin e kohës. SHBA, nën drejtimin e presidentit Barack Obama, premtuan se do të reduktonin emetimin gazit serrë rreth 28% krahasuar me nivelet e vitit 2005 brenda vitit 2025, por progresi për këtë objektiv u ndal nën administratën e Trump.

Doug Mills/The New York Times

Cilat vende janë në këtë marrëveshje dhe çfarë po bëjnë ato

Kësaj marrëveshje i është bashkuar thuajse çdo vend i botës. Nga 195 vende që e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Parisit, 185 e kanë miratuar zyrtarisht atë. Në fillim, Nikaragua dhe Siria e refuzuan mbështetjen e tyre, por në fund të dyja u bënë pjesë e saj.

Duke nisur nga e mërkura, përveç Shteteve të Bashkuara, janë edhe vendet që fillimisht e nënshkruan por nuk e kanë miratuar zyrtarisht: Angola, Eritrea, Irani, Iraku, Sudani i Jugut, Turqia dhe Jemeni. Deri tani, asnjë vend nuk ka ndjekur shembullin e Shteteve të Bashkuara për të hequr dorë nga Marrëveshja e Parisit. Në një moment, edhe presidenti i Brazilit. Jair Bolsonaro, kërcënoi se do të bënte të njëjtën gjë, por në fund, ndryshoi kurs.

Në javët e fundit ka pasur angazhime ambicioze në lidhje me çështjet klimatike nga Europa dhe Azia. Parlamenti Europian votoi muajin e kaluar për reduktimin e emetimeve me 60% brenda vitit 2030, me synimin për të arritur neutralitetin e karbonit brenda vitit 2050.

Kjo masë do të merret në konsideratë edhe nga Këshilli i Ministrave në Bashkimin Europian. Kina ka premtuar se do të bëhet ‘carbon neutral’ në vitin 2060. Këtij angazhimi i janë bashkuar edhe Koreja e Jugut dhe Japonia, të cilat kanë premtuar se do të reduktojnë emetimet deri në vitin 2050.

“Ka një përpjekje të vazhdueshme, e cila vijon të rritet edhe me largimin e Shteteve të Bashkuara” tha Alden Meyer, drejtor i “Union of Concerned Scientists” dhe një veteran prej 30 vitesh mbi negocimet ndërkombëtare mbi klimën. Pyetja është: a do të vijojnë këto përpjekje pa pjesëmarrjen e SHBA-së? – tha ai.

A do t’i rrisin emetimet e gazit serrë SHBA?

Jo domosdoshmërisht. Largimi nga Marrëveshja e Parisit nuk do të thotë në vetvete se SHBA do të heqin dorë nga lufta kundër ndryshimeve klimatike. Nga ana tjetër, do të thotë se qeveria federale e ka braktisur zyrtarisht, të paktën për tani, objektivin e presidentit Obama për të reduktuar emetimet me rreth 28% krahasuar me nivelet e vitit 2005 brenda vitit 2025.

Erin Schaff/The New York Times

Ish-zëvendëspresidenti Joseph R. Biden Jr., është zotuar se do t’i bashkohet Marrëveshjes së Parisit ditën e parë që do të nisë detyrën si president. Në terma praktikë, kjo do të thotë se në Ditën e Inaugurimit, më 20 janar, administrata e tij do t’i nisë një letër Kombeve të Bashkuara për t’i bërë të ditur qëllimin e Amerikës për t’iu bashkuar Marrëveshjes. Rikthimi do të mund të bëhej zyrtar vetëm 30 ditë më pas.

Marrë me shkurtime: The New York Times