Nga Avni PONARI

Konsull i Përgjithshëm Nderi i Japonisë në Shqipëri,

Ish nxënës i Gjimnazit “Asim Vokshi” të Tropojës

 

-Fjala e diplomatit e biznesmenit filantropist, Avni Ponari, mbajtur në 60-vjetorin e Gjimnazit “Asim Vokshi” të Tropojës-

Të nderuar ish nxënës të Gjimnazit “Asim Vokshi”,

Të nderuar ish mësuses,

Të nderuar nxënës,

Të nderuar mësues,

Të nderuar të ftuar pjesëmarrës në këtë Takim,

Kur mësova se Drejtoria e Gjimnazit “Asim Vokshi” kishte vendosur që të organizonte festimin e 60 vjetorit të krijimit të gjimnazit, e vlerësova duke e menduar si diçka të mirë dhe të rëndësishme, sepse nëse Malësia e Gjakovës ka patur shumë gjëra të mira përgjatë këtyre viteve, njëra prej tyre ka qenë niveli i shkollave, në përgjithësi, dhe Gjimnazi “Asim Vokshi”, në veçanti. Ky është një vlerësim për mbi 6.000 nxënës që kaluan nëpër bankat e  kësaj shkolle dhe të mbi 250 mësuesve që i kanë dhënë plot vlera të paçmuara këtij gjimnazi.

Nga ana tjetër, mendova se, ky është një kujtim i bukur tani edhe në qoftë se pjesëmarrja në këtë festim mund të mos jetë e madhe për shkak të distancave dhe ndarjeve që ka krijuar moderniteti i sotëm, kaq i ndryshëm nga e djeshmja jonë së bashku dhe për shkak të kohës së organizimit, por si ata që janë këtu, edhe si ata që nuk janë këtu fizikisht me ne, ata janë të pranishëm përmes rrjeteve sociale. I përshëndes përzemërsisht që të gjithë.

Tashmë, prej disa vitesh, unë jam Konsull i Përgjithshëm Nderi i Japonisë në Shqipëri dhe kam mësuar kaq shumë nga jeta e tyre. Këto ditë lexova diku një thënie të Kryeministrit të Japonisë pasi një gazetar e pyeti se cili ishte sekreti i zhvillimit teknologjik dhe përparimit ekonomik të Japonisë. Dhe përgjigjja ishte: “Mësuesit i kemi dhënë rrogen e ministrit, imunitetein e diplomatit dhe autoritetin e perandorit”!  Ndoshta, ne nuk jemi ende në një gjendje të tillë zhvillimi që të shkojmë deri këtu, por ne mund të mësojmë shumë nga kjo urtësi japoneze, dhe vlerësimi i mësuesit le të dalë nga opinjoni i qytetarëve mësimdashës të Tropojës.

Unë i përkas një brezi të këtij gjimnazi, kur gjërat kishin filluar të liberalizoheshin dhe ku menjëherë filluan që të këputeshin pa çelur ende lulet.

Plenumi i 11-të i Komitetit Qëndror na gjeti në vit të parë gjimnaz dhe natyrshëm ne kishim ëndrrat tona të fillimeve të reja, por që dalëngadalë u mbyllën dhe në atë çast për të gjithë ne filloi një jetë totalisht tjetër. Ne ishim të rinj, por ende më kujtohen mbledhjet që mbaheshin në klasë pasditeve dhe që i përfundonim të nesërmen në orën 16:00, ku goditej çdo shfaqje e huaj, që do të thotë, çdo gjë që në mendimin e të deleguarit në klasë e mendonte si të tillë. Imagjinoni pak sikur diçka e tillë të ndodhte në ditët e sotme. Në atë kohë, unë isha në Tabelën e Nderit të Gjimnazit, por nga ana tjetër, kritikoheshim, unë dhe të tjerë, me karikatura në xhamat e mapos dhe për  çfaqje të huaja  dhe veshje me modë.

Të ndiqje Gjimnazin “Asim Vokshi”, për pjesën më të madhe të familjeve të nxënësve, ishte një sakrificë e madhe. Rruga e gjatë që e bënim çdo ditë, nga fshatrat e largëta prej nga kufiri me Puken dhe deri te kufiri me Kosoven, për të ardhur në shkollë si dhe mungesa e shkollave të tjera të mesme në rreth, na detyronin të bënin, ndoshta me tre orë rrugë në këmbë, për të filluar mësimin fiks në orën 08:00. Pra, edhe unë i përkisja atij brezi që niseshe nga shtëpia në orën 05:30 për të filluar mësimin në kohë. Kur i tregova tim biri se unë e ndiqja shkollën në këmbë duke ecur mbi një orë në 8-vjeçare, dhe 2 apo 3 orë kur shkoja në gjimnaz, ai më pyeti: “Po ku të merrte ty autobuzi?” As ai, as brezi i tij, dhe as brezat e tjerë që do të vijnë pas tij, as që mund t’a përfytyrojnë e kuptojnë atë kohë  dhe vështirësitë e atyre viteve  për t’u arsimuar.

Nostalgjikët e kujtojnë me dhimbje, por në të vërtetë ishte kohë e vështirë dhe veçanarisht për nxënësit e asaj kohe. Autobuzët në Tropojë numëroheshin me gishtat e dorës jo ma ta mendoje ta shkoje me autobus na shkolla.

Ne ishim gjithashtu me fat, sepse ishim një brez nxënësish të shkëlqyer që e kishim kuptuar se nga vinim dhe se ku do të shkonim.

Ne mësuam që të jetonim së bashku dhe të rriteshim duke mbrojtur njëri-tjetrin, të ishim pranë njëri-tjetrit. Por ne kishim mësues të rreptë, por edhe tolerantë. Surpriza na prisnin brezin tonë edhe pas gjimnazit.

Mbas shkollës ne ishim të parët që filluam stazhin në  gjeologji, në  Kam e Kepenek,  në sonda, ku të ngrinte dora në shtangën e sondës, ku punonim me tre turne dhe vetëm pak veta e fituan të drejtën për të shkuar në shkollë të lartë. Në atë kohë, Tropoja ishte larg vëmendjes, Ne tropojanët gënjeheshim me fjalë e fjalime të vakta të udhëheqësve të asaj kohe që donin që të gjithë të rrinim këtu. Tropoja e vogël, pa asnje industri, ku kishte vetëm bujqësi, miniera, shfrytëzim të pyjeve dhe transport. Mungonin të gjitha industritë dhe për pasojë edhe zhvillimi masiv intelektual.

Këto që përmenda më lart vetëm ushqejnë me bukë  dhe nuk japin asnjë lloj zhvillimi intelektual?! Natyrisht që jo, sepse ne ishim larg vëmendjes dhe interesave të shtetit të asaj kohe. Pak Tropojanë ishin pjesë e administratës shtetërore,  dhe kush nuk merr pjesë  në administrimin e shtetit është i përjashtuar dhe i dënuar të qëndrojë në nivele të ulta. Ne krenoheshim e mburreshim se kishim mësues, infermierë apo doktorë dhe se gjoja plotësonim nevojat e rrethit me kuadro. Por e vërteta ishte se, ne ishim të përjashtuar nga drejtimi i administratës shtetërore dhe diçka e tillë ka patur një ndikim të madh në nivelin kulturor dhe të zhvillimit të popullatës së një zone apo të një shteti.

Por tani nuk duhet të ankohemi. Ne, tani, jemi këtu, së bashku, dhe me gjithçka kemi arritur në këtë rrugëtim jete duhet te shohim para. Ajo që është e rëndësishme është që, ne të tregojmë se ne dimë të bëjmë shumë gjëra dhe ne i bëjmë  mirë,  sepse populli i kësaj treve të Shqipërisë është një popull me cilësi tepër të veçanta. Ka një lloj tjetër palce inteligjenca jonë.

Kur mbarova gjimnazin, une shkova në një shkollë që nuk e dija se nga binte. Ne patëm fatin e keq se ju nështruam edhe stazhit pas shkollës së mesme dhe të lartë. Shkolla e Lartë e Marinës, që unë bëra, ishte aq e panjohur, por njëherësh edhe shumë e veçantë për mua edhe pse ishte një nga universitetet më të vështira. Në atë shkollë diplomoheshin në vit vetëm 40 studentë dhe ku kishte mbi 100 pedagogë, të cilët që të gjithë kishin mbaruar jashtë. Kjo shkollë nxorri nga duart e saj inxhinierët, drejtuesit dhe kapitenët më të mirë të anijeve, që në sprovat e tyre shumëvjeçare nuk patën asnjë avari apo aksident detar. Për mua shumë gjëra ishin më të lehta, sepse unë vija nga një gjimnaz i fortë dhe të them të drejtën, një pjesë të lëndëve si matematikë, kimi apo edhe lëndë të tjera i kaloja me shumë “sportivitet”, vetëm për shkak të nivelit të lartë të mësimeve që unë mora këtu tek gjimnazi im “Asim Vokshi”.

Kur dola për herë të parë jashtë shtetit në vitin 1981 isha vetëm 23 vjeç dhe me veten time kisha vendosur që të mos kthehesha më pas rrugës së dytë, por një fjalë e pjekur e tim eti më ktheu, pasi unë i kisha treguar atij planin tim. “Mos më lër mua këtu; më merr me vete.” Por kjo ishte e pamundur. Pasojat do të ishin shumë të rënda për familjen time dhe, në fakt, unë nuk u largova, por dëgjova fjalën e tim eti. Por kthimi im ishte një kthim për të qëndruar në vendin tim dhe për të mos u larguar. Dhe kam bërë mirë.

Shteti e dërgoi dritën në zonat më të largëta dhe kjo ishte mburrje për të, kur mund të bënte të kundërtën duke sjellë njerëzit tek drita. Edhe zhvillimi dhe politikat ekonomike ishin të fokusuara në programe të tjera dhe ne kishim një ambicie tjetër. Por kjo ishte Tropoja e harruar dhe e lënë pas dore, edhe pse kishte studentë të shkëlqyer dhe që tashmë e kanë treguar se kanë ditur dhe dinë t’a përfaqësojnë vetveten dhe qytetin nga burojnë me dinjitet dhe integritet në të gjithë botën.

Prandaj, sot, Tropoja është e boshatisur, sepse as dje nuk kishte themele të vërteta për të ndërtuar jetën, por edhe sot terreni, kushtet dhe garancitë e saj mbeten të vogla dhe sepse ekonomia e tregut ndërtohet mbi elementë të tjerë zhvillimor.

Sot, unë kam fatin të njoh dhe shikoj ish gjimnazistë të brezit tim dhe të brezave të mëpasshëm, të cilët punojnë në institucione shkencore, mjekësore, finaciare në vend, në Evropë dhe deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra kjo trevë e ka treguar denjësisht se çfarë brumi talentesh ka mbrujtur, një zgjuarsi dhe dritshmëri mendjeje që shumë vende nuk e kanë dhe sepse ne e dimë shumë mirë se sa e mundimshme është që të kultivosh brezat e së ardhmes për të shërbeyr në avancimin e zhvillimit të vendit të tyre dhe specifikisht të kësaj zone të veçantë nga ku ne rrjedhim.

Dua të them se, nga ato çfarë unë di nga përvoja ime dhe ato që kam dëgjuar asnjëri gjimnazist i kësaj shkolle nuk ka patur negativitete në jetë, por vetëm gjëra pozitive dhe përgjegjësi që e kanë ngritur lartë emrin e këtij gjimnazi.

Dhe se ju takon  juve,  nxënësve e studentëve të kësaj shkolle  dhe të gjithë neve, të vazhdojmë të ngremë lart dhe të çojmë përpara emrin e saj, cilësitë dhe karakteristikat që na ka falur, për vetitë e spikatura dhe shpirtin e dëlirë që ne kemi.

Ndryshimi i regjimit në Shqipëri na gjeti të gjithëve të pa përgatitur, pa shtëpi dhe pa punë. Ne harruam shpejt se në vitin 1991, Shqipëria kishte vetëm 50 milionë dollarë garanci shtetërore dhe se ne ushqeheshim nga Gjysëm Hëna e Kuqe, ca ndihma të tjera vinin nga Italia dhe nga Kryqi i Kuq. Ishte një shók i madh, ku të gjithë mendonim se si do t’a gjenim veteveten.

Kështu, të gjithë ne filluam të bënim diçka. Ekonomia e tregut është e vështirë, ka shumë sakrifica, por ka edhe sfida personale. Startuam shumë që në fillim, por ruga për të ecuar kërkon shumë impenjime. Biznesi është talent, në fund të fundit është guxim, por ka brenda shumë vështirësi. Fakti që edhe sot, pas 30 vitesh, vendet më të preferuara janë vendet e punës në shtet, tregon se, ne mbetemi me një mentalitet të tillë ku mbizotëron preferenca për punë në shtet dhe kjo nuk është aspak normale.

Edhe në ambiciet e nxënësve të shkollave të sotme është që kryesisht që nesër të jenë në një punë të rehatshme shtetërore, ku mund të përfitojnë në mënyra të pandershme. Të gjitha këto duhet të jenë objekt diskutimi për shtetin dhe të gjithë shoqërinë shqiptare dhe veçanërisht shkollat dhe mësuesit duhet të punojnë fort për të edukuar brezin e ri me një frymë të re.

Sot, unë..

JAM KRENAR për çdo person të kësaj treve kur dëgjoj për arritjet e tyre;

JAM KRENAR për ish gjimnazistët që janë sot kudo nëpër botë dhe që jetojnë e punojnë si njerëz të nderuar.

JAM KRENAR për të punësuarit në Kompaninë time, ku midis 1.500 vetave që ka kompania jo pak midis tyre janë që vijnë nga kjo zonë dhe ju them me bindje se janë shumë të zgjuar, të aftë, të përgatitur, se janë kërkues ndaj vetes dhe punës së tyre, dhe me shpirtin e tyre nismëtar, dhe të gjitha këto falë edukimit cilësor që ata kanë marrë këtu. Ata janë përshtatur më së miri dhe sot drejtojnë me kompetencë, përgjegjshmëri dhe sukses punët që unë iu kam besuar, dhe më besoni që nuk janë pak.

JAM KRENAR, që sot takoj kudo, nëpër të gjithë Shqipërinë djemë e vajza shumë të zotë nga këto treva, që po ashtu janë përshtatur dhe drejtojnë suksesshëm sektorë, kompani e biznese me një kulturë të veçantë; që janë largpamës, të guximshëm, novatorë dhe korrekt në detyrat që u janë besuar. Dhe, në fund të fundit, të gjitha këto janë ato që tregu i punës kërkon sot: shkollim cilësor, vetbesim, shpirt sipërmarrës dhe profesional. Këto cilësi i ka çdo djalë e vajzë të kësaj treve.

Prandaj pa u zgjatur më shumë do të dëshiroja edhe një herë të përshendes çdo nxënës e mësues të kësaj shkolle duke urur: Qofshim kahera reflektimi i bukur i një kulture të gjithanshme kudo ku shkojmë dhe arrijmë në jetë. Mirënjohje Gjimnazit “Asim Vokshi”!

 

Avni PONARI

Drejtor i Përgjithshëm i Sigal Uniqa Group Austria,

Shqipëri-Kosovë-Maqedoni e Veriut