Autor: Jens Thurau
Më herët se mendohej gjermanët duhet të përballen me kufizime të reja të forta. Për shkak të infektimeve në rritje të shpejtë nuk u mbeti zgjidhje tjetër qeveritarëve, mendon Jens Thurau.
Dihej që punët do të vinin kështu: Gjatë gjithë verës gjermanët u përkundën në një ndjesi sigurie iluzore, se kaq keq sa e ka goditur pandemia ndonjë vend tjetër nuk do të ndodhë tek ne. Parë në përgjithësi kufizimet e pranverës ishin për shumicën e njerëzve të durueshme, pa harruar se një numër i madh artistësh, të vetëpunësuarish e gastronomësh kufizimet i goditën fort, shumë kishin frikë për ekzistencën.
Por opinioni i përgjithshëm u bashkua me rregullat. Në spitale dhe zyrat e shëndetësisë, punonjësit ia dolën me përpjekje të intensifikuara, aq sa u krijua përshtypja, se më e keqja kaloi. Gabim! Numri i infektimeve po rritet këto ditë me shpejtësi, dhe tani qeveria gjermane dhe kryeministrat e landeve menduan të shkelin frenat. Për një muaj rresht do të mblidhemi në shtëpi, e do të vrasim mendjen, si në pranverë.
Askush nuk e di arsyen
Nuk sjell gjë të fillosh e të kërkosh fajtorin në këtë situatë. Ka një dallim me fazën e parë të kufizimeve në mars dhe prill. Askush nuk e di me siguri, pse është kjo gjendje, por realiteti është se infektimet po shtohen. A janë fajtore partyt-private të keqpërfolura? Apo të rinjtë që kanë festuar me qindra vetë në park? Ishte vendimi i duhur të ndaloje fjetjen për udhëtarët nga zonat gjermane me numër të lartë të infektimesh, gjë që gjykatat e hodhën poshtë?
Sipas disa hulumtimeve udhëtimet nuk kontribuojnë aq në përhapjen e infektimeve. Por kryeministrat e landeve megjithatë vepruan. Kjo tregoi panikun e madh para situatës së paqartë që po afronte. Ende shifrat absolute të infektimeve janë më të ulta se në shumë vende të tjera, edhe në Europë. Por është shuar besimi, se politika si në pranverë, do ta marrë në dorë situatën me qetësi dhe mençuri.
Hotelet duhet të pranojnë në nëntor se turizmi privat ndalohet. Nga ana tjetër kush do të udhëtojë, në një kohë, kur restorantët janë mbyllur? Si restorantet e baret do të mbyllen sërish operat dhe sallat e koncerteve e evenimentet e mëdha. Kontaktet private duhen minimalizuar. Një gabim nga pranvera është kuptuar- shkollat dhe kopshtet mundësisht do të mbeten hapur. Që edhe qeveria e ka kuptuar, se sa e ashpër është kjo kohë që po vjen për ekonominë, e tregon plani, që firmat që duhet të mbyllen tani do të dëmshpërblehen me 75% të xhiros të të njëjtës periudhë në vitin e kaluar. Deri në 10 miliardë euro do të kushtojë kjo. Para të investuara mirë, sido që të jetë.
Kërkohet sens komuniteti
Do të kemi një nëntor të ftohtë e të zymtë. Ndoshta më shumë se në pranverë, tani kërkohet virtyti më i mirë demokratik: sensi i komunitetit. Vëmendje për më të dobtit, të mos lejosh të ta marrin mendjen ata që e mohojnë virusin, të cilët do t’i tjerrin tani edhe më shumë teoritë e tyre konspirative. Por gjermanët nuk i torturon Angela Merkel, as Bill Gates apo liderë të ndonjë qeverie botërore të ligë, por një vírus, rrezikshmëria e të cilit po provohet përditë.
Tani mbetet të shpresohet që nëntori i fjetur të sjellë edhe një kthesë të mirë. Me siguri këtë nuk mund ta thotë askush. Gjendja është siç është: Nuk kemi zgjidhje tjetër.