Ballina Ravijëzime Rrëfimi i astronautit që mban rekordin për kohën e qëndrimit në hapësirë

Rrëfimi i astronautit që mban rekordin për kohën e qëndrimit në hapësirë

 

2 nëntori shënon 20 vjetorin e dërgimit të njerëzve të parë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Scott Kelly, astronauti që mban rekordin e qëndrimit nëstacion me 340 ditë resht, rrëfen përvojën e tij.

Scott Kelly, një astronaut amerikan dhe kapiten i marinës amerikane, tashmë në pension, ka regjistruar më shumë se 15 mijë orë fluturimi në 40 mjete ajrore dhe hapësinore.

Përvoja e tij e gjatë në hapësirë përfshin dy fluturime në anijen ruse Soyuz, e cila u nis nga dhe zbriti në Kazakistan.

Ai po ashtu qëndroi dy herë në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar në cilësinë e komandantit.

I pari ishte një mision 159 ditor më 2010-2011, pasuar nga misioni prej 340 ditësh më 2015, së bashku me kozmonautin rus Mikhail Kornienko.

Zoti Kelly reflekton mbi kohën e tij në Stacionin ndërkombëtar të Hapësirës, në prag të 20 vjetorit të dërgimit të njerëzve atje.

“Një nga arritjet më të mëdha të Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor është fakti se ai është një program ndërkombëtar dhe është një eksperiment i vazhdueshëm se si mund të jetosh dhe punosh në një hapësirë të kufizuar dhe me shumë rreziqe, sepse një ditë duam të shkojmë në Mars. Duam të shkojmë në vende tjera të sistemit tonë diellor”, thotë ish astronauti i NASA-s.

Kolegia e tij, astronautja Kate Rubins, votoi më 22 tetor për zgjedhjet presidenciale amerikane ndërsa ndodhej më shumë se 200 milje mbi tokë.

Zoti Kelly, i cili po ashtu ka votuar nga hapësira, shpjegon procesin.

“Mendoj se është me rëndësi që të gjithë të votojnë. Unë kam votuar nga hapësira, prandaj askush nuk mund të arsyetohet. Mua më ndihmoi NASA të votoj. Është njësoj si në tokë, të duhet një plan, nëse do të votosh ditën e zgjedhjeve ose përmes postës. Është e rëndësishme të pranojmë se ka shumë mënyra për të votuar. Edhe pse nuk është e detyruar të votosh, unë mendoj se e kemi detyrim qytetar”, thotë ai.

Sytë dhe sistemi imunitar i astronautit nganjëherë reagonin çuditshëm gjatë qëndrimit në orbitë, të paktën krahasuar me trupin e vëllait të tij binjak në tokë, Mark.

Lajmi i mirë është se ai po përmirësohet. Kështu thonë shkencëtarët që publikuan rezultatet e studimit të binjakëve, një hulumtim i parë që mundësoi ndjekjen e pasojave biologjike gjatë qëndrimit në një anije hapësinore duke krahasuar vëllezërit.

Një ekip ekspertësh analizoi shëndetin e binjakëve para, gjatë dhe pas qëndrimit 340 ditor të zotit Kelly në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Studimi analizon rreziqet e mundshme të fluturimeve më të gjata hapësinore.

Astronauti thotë se Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës përfaqëson atë që mund të arrihet nga njerëzimi nëse bashkëpunohet dhe dëgjohen ekspertët.

“Ky stacion është gjëja më e vështirë që e kemi bërë ndonjëherë. Madje më e vështirë se shkuarja në hënë. Është një dëshmi se nëse përqëndrohemi tek diçka, nëse dëgjojmë ekspertët, nëse punojmë si ekip mund të arrijmë gjëra të pabesueshme” thotë astronauti Scott Kelly.

Në kohën kur kapsula me astronautët Kelly dhe Krinenko u lëshua nga Kazakistani, dyshja kishte udhëtuar 144 milionë milje në hapësirë, ishin rrotulluar 5 mijë e 440 herë rreth tokës dhe kishin përjetuar 10 mijë e 880 herë lindjen dhe perëndimin e diellit në orbitë.