Vala e dytë e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19 ka bërë që Italia prej disa ditësh të shtrëngojë masat, vendim që nuk është pritur mirë nga qytetarët.
Në Napoli mbyllja nga ora 23:00 e mbrëmjes deri në ora 05:00 të mëngjesit ka shkaktuar protesta të shumta.
Nën parrullën “liri, dinjitet, punësim”, qytetarët kanë kundërshtuar mbylljen e qytetit në orët e caktuara nga qeveria, duke e përshkallëzuar revoltimin edhe në dhunë ndaj forcave të policisë bashkiake.
Zv/ministri i Brendshëm, Matteo Mauri, i ka konsideruar përleshjet një luftë urbane dhe agresionin kundër policisë si akte kriminale që do të marrin gjykimin që u takon.
Por protestat, që vijojnë prej javësh në qytete të ndryshme të Italisë, nuk e ka ndalur qeverinë të vijojë me masat anti-covid.
Veç orareve të kufizuara, Italia ka vendosur gjithashtu të mbyllë të gjitha aktivitetet që konsiderohen “jo thelbësore” siç janë pishinat apo palestrat e të njëjtin fat mund të kenë edhe qëndrat tregtare.